Diplomati britanik komenton deklaratën e Kurtit për bashkim kombëtar, tregon si mund të përshpejtohet ky skenar

Politika

Diplomati britanik komenton deklaratën e Kurtit për bashkim kombëtar, tregon si mund të përshpejtohet ky skenar

Nga: A.ZH Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 10:05
Timothy Less

Ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less, ka thënë për "Bota sot" se deklarata e fundit e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, për bashkimin kombëtar, është tregues i vërtetë se si e sheh ai të ardhmen e Kosovës. I pyetur ditë më parë nga radio “Monocole”, Kurti ka thënë se në të ardhmen do të votonte pro një referendumi të bashkimit me Shqipërinë, nëse do të prezantohej në formë demokratike.

E sipas udhëheqësit të projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ishte opsioni më i mirë për rrethanat aktuale, duke marrë parasysh se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e saj.

“Albin Kurti e ka mbajtur këtë qëndrim për bashkimin kombëtar për një kohë të gjatë dhe komentin e tij të fundit e shoh si një tregues të vërtetë se si e sheh ai të ardhmen e Kosovës. Ai është i pakënaqur me gjendjen aktuale të pavarësisë jo të plotë të Kosovës. Ai gjithashtu mund të shohë se Serbia nuk ka gjasa ta njohë atë. Në këto kushte, opsioni më i mirë i Kosovës është ndoshta bashkimi me shtetin që e njeh më së shumti, Shqipërinë”, ka thënë Less për gazetën “Bota sot”.

Sipas ish-diplomatit, Kurti e din se duhet të ketë kujdes nga hakmarrja serbe nëse e shtyn çështjen e bashkimit. Ndërsa, duke folur për afatin se kur do të mund të ndodhte ky projekt, ai ka thënë se nëse dy vendet punojnë më shumë, bashkimi do të jetë një synim afatgjatë.

“Kjo nuk do të thotë se bashkimi është një synim afatshkurtër, një pikë të cilën Kurti e ka theksuar. Ai e di se shtetet e fuqishme në Perëndim janë të përkushtuara për të ruajtur kufijtë ekzistues në Ballkan. Ai është i kujdesshëm ndaj hakmarrjes nga Serbia nëse e shtyn çështjen e bashkimit. Ai gjithashtu mund të ketë dyshime se Shqipëria është e gatshme të integrojë Kosovën. Rrjedhimisht, derisa të dy palët ka të ngjarë të punojnë në rritje drejt bashkimit, kjo ka më shumë gjasa të ndodhë në një afat më të gjatë”, është shprehur Timothy Less për “Bota sot”.

Megjithatë, sipas tij, bashkimi mund të përshpejtohej nëse Serbia do të intensifikonte kërcënimin ndaj Kosovës, gjë që do ta shtynte Prishtinën më afër Tiranës. Less e sheh këtë projekt si më realist.

“Ka rrethana që mund ta përshpejtojnë këtë proces, më e dukshme nëse Serbia e intensifikon kërcënimin ndaj Kosovës, gjë që do ta shtynte Prishtinën më afër Tiranës, aleatit të saj më të besueshëm në rajon. Një shtrëngim i marrëdhënieve të sigurisë do të siguronte më pas bazën për një integrim më të gjerë, në sferën politike dhe ekonomike. Derisa të dyja konkurrojnë për statusin e Kosovës veriore dhe serbët e Bosnjës përpiqen për pavarësi, ky skenar është gjithnjë e më realist”, ka theksuar ish-diplomati.

Pro bashkimit kombëtar është deklaruar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Në mbledhjen e fundit të dy qeverive shqiptare, të mbajtur dy ditë më parë, ai ka thënë se beson se kjo do të ndodhë një ditë, por nuk e di se kur.

“Nëse më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkim kombëtar, unë do të bëja një shkelje të ligjit për fshehtësinë e votës, do votoja hapur pro. Tani në rast se pyesni se a do ndodh kjo apo jo, meqë ju po më provokoni, do të ndodhi, por kur nuk e di, kur do ndodhi, si do ndodhi sot, por që kjo do ndodhi një ditë, unë them që po”, ka thënë Rama./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat