“Vrasësi në Deçan është sjellë nga jashtë”, ish agjenti: AKI të kërkojë ndihmën e këtyre dy shërbimeve

Politika

“Vrasësi në Deçan është sjellë nga jashtë”, ish agjenti: AKI të kërkojë ndihmën e këtyre dy shërbimeve

Nga: P.R Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 19:58
Pamje e autobusit ku ndodhi tragjedia në Gllogjan

Kur kanë kaluar 7 ditë që nga mbrëmja e 26 nëntorit, ku Kosova u trondit nga vrasja e trefishtë që ndodhi në Gllogjan të Deçanit, ende nuk ka asnjë gjurmë të autorit të këtij krimi makabër.

E avokati Arianit Koci ka shkruar se në vrasjen në Gllogjan ka marrë pjesë më shumë se një person.

“Kaloi java dhe ende nuk ka informata për vrasësin/it në Gllogjan. Hetuesia e ka humbë momentumin. Ditën e parë pas krimit, gjurmët janë të freskëta. Rasti është “i nxehtë” - siç quhet në zhargon kriminalistik. Kjo edhe ka qenë arsyeja pse kam insistuar që të bllokohet krejt Rrafshi i Dukagjinit menjëherë pas sulmit, të bëhet regjistrimi i çdo veture që qarkullon dhe të shtohet kontrolla kufitare. Çka mund të konkludojmë nga të dhënat e deritashme: - Në vrasje ka marr pjesë më shumë se një person - qoftë edhe në formë të ndihmës pas kryerjes së veprës penale; - Ka pasur një plan të detajuar për sulm dhe për ikje nga vendi i ngjarjes; - Nuk përjashtohet asnjë motiv apo pistë e hetimit”, ka shkruar Koci.

E sipas ish agjentit të SHIK-ut, Naim Miftari thotë se sulmi në Deçan duhet të ndiqet si sulëm terrorist. Sipas tij, autori i vrasjes në Gllogjan është sjellë nga jashtë.

Image
Naim Miftari

“Vrasja duhet mu ndjek si sulëm terrorist kundër qarkullimit të lirë publik dhe kundër shkollave tonë, pasi dy të vrarë janë nxënës edhe pse nuk do të del herët a vonë se ka qenë i tillë, por do të del se ishte një hakmarrje ndaj shoferit por që ekzekutimi i shoferit ka dal nga kontrolli pasi me siguri ka qenë vrasësi i sjellur nga jashtë të cilit nuk i ka interesuar se a do të bëj dëme dhe viktima të rastit”, thotë Miftari.

Miftari e mbështet pohimin e avokatit Koci, së me vrasjen në Gllogjan ka marr pjesë më shumë se një person.

“Avokati Koci ka të drejtë kur thotë se pos vrasësit kishte edhe njerëz të tjerë. Unë mendoj se urdhëruesit që kanë organizuar dhe paguar vrasjen, në lojë është së pakut një person vendor që i ka ndihmuar vrasësit të largohet ose është strehu në ndonjë fshat aty afër për disa ditë, nuk besoj së ka kaluar kufirin atë natë ndoshta ka kaluar vetëm ilegalisht jo në kufi legal”, shprehet Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se AKI duhet të kërkojë ndihmën e shërbimit sekret amerikan dhe gjerman.

“Kushtet e këqija atmosferike ishin në favor të vrasësit pasi nuk bënë punë as qentë e policisë që janë të ushtruar shumë mirë. Vrasja është e vështirë të gjurmohet pasi nuk ka dëshmitar okular ose njerëzit frikësohen të flasin, por besoj shumë se herët a vonë do të zbulohen autorët edhe pse do të jetë e vështirë. Shteti i jonë sidomos AKI-ja në vend se t’i gjurmojë dëshmitarët e Gjykatës Speciale e kundërshtarët politik të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, duhet të punojë ngushtë me shërbimin amerikan dhe gjerman se a kanë ata farë informacioni shtesë pasi qytetarët e një shteti të fuqishëm botëror ambasada e vet i kishte paralajmëruar për sulëm të mundshëm terrorist në Kosovë”, thekson ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

“Dhe shpërblimi për informata mbi vrasësin apo organizatorin dhe fshihja e burimit të informacionit duhet me qenë shumë strikte, unë me disa shokë që punojmë jashtë vendit në një fabrikë kemi afruar privatisht nga pagat tona edhe 30.000 euro shpërblim shtesë ai që ndihmon të zbardhet kjo vrasje, sidomos vrasësi dhe urdhëruesi pasi na nuk i njohim asnjërën viktimë por vrasja e nxënëseve të shkollës na ka irrituar shumë që duhet të bëjmë çdo gjë të mundur që të kapet vrasësi i fëmijëve tanë. Vrasja e nxënëseve shkollorëve të rij, nuk do të jetë e pa ndëshkuar herët a vonë dhe ndëshkimi do të jetë brutal e maksimal që herën tjetër të mos guxojnë kurrë askush më që të vrasin fëmijë e nxënës të shkollave tonë. Me shekuj jem vra, e kem luftuar e derdhur gjak të atdhetarëve e rilindësve tanë për ato shkollat shqipe që fëmijët tanë të mësojnë e studiojnë lirshëm në gjuhen shqipe!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Kujtojmë se më 26 nëntor, në Gllogjan të Deçanit një person shtiu në drejtim të autobusit me nxënës, ku mbeten të vdekur shoferi Gani Gjokaj, dhe dy nxënës Genta Mustafa dhe Ledion Hamzaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat