Skënder Hysenit i vjen kundërpërgjigja/ Ja pse Albin Kurti e ka vënë në vështirësi Aleksandër Vuçiqin

Politika

Skënder Hysenit i vjen kundërpërgjigja/ Ja pse Albin Kurti e ka vënë në vështirësi Aleksandër Vuçiqin

Nga: P.R Më: 19 janar 2022 Në ora: 19:01
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Ish-koordinatori nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, në njërën nga debatet ku ka marr pjesë, është shprehur se Albin Kurti nuk ka guxim që të përballet për një zgjidhje përfundimtare me Serbinë.

“S’mund të më mohosh të drejtën time që unë me mendu që Albin Kurti s’ka guxim me u përballë për një zgjidhje përfundimtare me Serbinë. Është bindja ime”, ka thënë Hyseni.

E lidhur me këtë deklaratë të Hysenit dhe guximin e Kurtit për tu përballur me Serbinë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe qëndrimeve të kryeministrit Kurti për këtë, ish-koordinatori dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka kritikuar ashpër qeverinë dhe kryeministrin për “paaftësinë” e tij për t’u përballur me Serbinë. Ai ka thënë se “S’mund të më mohosh të drejtën time që unë me mendu se Albin Kurti nuk ka guxim me u përballë për një zgjidhje përfundimtare me Serbine. Eshte bindja ime“! Në këtë kontekst gjithkush do të mendojë se “Skënder Hyseni është më i guximshëm se sa Albin Kurti për t’u përballur me Serbinë në dialog“! Por nuk duhet shumë mend, as shumë mund, as shumë kohë me analizuar empririkisht se sa guxim ka kryeministri Kurti dhe sa guxim kishte ish-ministri i Jashtëm, Hyseni. Kur është fjala për guximin e politikanëve, atëherë vihet në pyetje vetëm integriteti dhe dinjiteti që ata kanë. Ndërkaq dinjiteti dhe integriteti varen nga shkalla e korrupsionit dhe figura morale e tyre”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Albin Kurti është i vendosur, i guximshëm dhe parimor. Ndërsa Skënder Hyseni, nuk është i tillë.

“Kur ky Skënder Hyseni ishte ministër apo koordinator i bisedimeve Kosovë-Serbi, kurrë nuk ngriti zërin kundër kërkesave të Beogradit që çuan në Marrëveshjen për Asociacionin, apo në përpjekjet e ethshme për ndarjen e Kosovës. Kjo do të thotë se Thaçi, Isa, Skënder Hyseni e të tjerë si këta marrin guxim kur u kërkohet të sulmojnë dhe ta bëjnë plaçkë të tyre viktimën, në rastin konkret Kosovën. Madje e bëjnë këtë për llogari të agresorit, Serbisë! Këta janë njerëzit e guximshëm sipas matjes vlerore që përcakton Hyseni në deklaratën e tij. Të jesh i guximshëm për të shkatërruar shtëpinë tënde, për ta copëtuar atdheun tënd, ose për të krijuar një Serbi të vogël në Kosovë, pra në atdheun tënd, është vërtet trimëri. Por në kushtet kur ne shqiptarët vrasim kushëririn për një kanal uji dhe nuk reagojmë kur politikanët na e shesin atdheun, ky guxim sponsorizohet nga heshtja jonë, nga apatia jonë, nga indiferenca jonë. Në këto kushte pse të mos jetë i guximshëm kundër Kosovës Skënderi, Hashimi dhe Isa, si autorë dhe promovues të marrëveshjeve pro-serbe e kundër Kosovës?!”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Por pse Skënder Hyseni po e sulmon kryeministrin, Albin Kurti?

“Ndërkaq edhe sot zoti Hyseni shprehet se nuk mund t’ia mohojë askush të drejtën që të thotë se Albin Kurti “është frikacak”! Këtu dalloj dy aspekte: Së pari, bën viktimën, sepse atij po ia kërkojnë të mos flasë hapur. Këtu shoh se pikëpamja e tij lidhet me faktin se në emër të fjalës së lirë, mund të flasësh edhe në emër të Serbisë. Së dyti, se Skënder Hyseni kërkon ta vejë në sedër zotin kryeministër dhe ta bëjë që të lëshojë sovranitet territorial ose shtetëror në bisedimet me Serbinë. Shkurt ai nënkupton: “Atë që e bëmë ne me Hashimin dhe Isën, ti nuk guxon ta bësh”!”, thekson Bytyçi.

Me tej, profesor Bytyçi thekson se Kurti e ka vënë në vështirësi Vuçiqin në dialogun midis dy vendeve.

“Po është e vërtetë! Albin Kurti, së paku deri më sot, ka dëshmuar se nuk do, jo nuk guxon, të bëhet palë me Serbinë kundër Kosovës në dialog. Po është e vërtetë! Albin Kurti kur merr vendime, nuk kthehet mbrapsht dhe vendimet e tij shkojnë gjithnjë kundër pranisë, influencës dhe shkeljes së sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Po është e vërtetë! Albin Kurti e ka vënë në vështirësi presidentin e Serbisë në dialogun midis dy vendeve, sepse Vuçiq për herë të parë përballet me integritetin e një kryeministri të një shteti të pavarur! Gazetarët mund ta pyesin zotin Hyseni, nëse ai është ndjerë ndonjëherë i lirë dhe Sovran përballë delegacionit serb gjatë dialogut nën koordinimin e tij. Nuk e besoj të ketë ndodhur kjo, nëse gjykojmë për lëshimet e tmerrshme që ai dhe shefat e tij i kanë bërë Beogradit në dëm të vendit të tyre”, deklaron Bytyçi.

Ai thotë se Hyseni me bashkëpunëtor, e kishte vënë në pazar me Serbinë territorin e Kosovës.

“Nga kjo pikëpamje zoti Kurti “nuk është aq i guximshëm” sa Skënder Hyseni për të vënë në Pazar me Serbinë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror. Dhe kjo ndodh thjesht për faktin se kryeministri i Kosovës nuk është peng, nuk është i korruptuar, nuk ka frikë nga kundërshtari! Hyseni, Thaçi dhe Mustafa kishin frikë nga kundërshtari, nga presidenti I Serbisë, apo kryeministrat e saj para Vuçiq!”.

Për fund, Bytyçi ka edhe një mesazh për Skënder Hysenin.

“Dhe së fundmi, dua që t’i them zotit Hyseni se askush nuk përpiqet t’jua mbyllë gojën ose të ndryshoni bindje, por sa herë shkruan e flet vetëm se shfaqesh dukshëm se kush vërtet jeni. Kam pas një xhaxha që gjithmonë më thoshte: “Dëgjo bir, po nuk tregove vetë se kush je, askush nuk e merr vesh këtë”! Unë uroj që zoti Hyseni të flasë e të shkruajë vazhdimisht, sepse kësisoj qytetarët e Kosovës do të mësojnë shumë më tepër se kush I ka udhëhequr në kohën e mjaltit me Serbinë!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat