Juristi i kundërpërgjigjet Peter Stanos

Politika

Juristi i kundërpërgjigjet Peter Stanos

Nga: N. Sh. Më: 25 janar 2022 Në ora: 17:26
Peter Stano

Juristi dhe njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani thotë se BE-ja dhe sidomos shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, vazhdojë ta konstestojnë shtetin e Kosovës, përderisa për të gjitha shtetet e tjera Kosova është shtet i pavarur.

Kjo deklaratë e tij vjen si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stanos.

Zëdhënësi i BE-së kishte reaguar pas vendimit të institucioneve të Kosovës, të cilat nuk e lejuan mbajtjen e referendumit antikushtetues në Kosovë, të Serbisë. Mbajtja e tij u ndalua edhe me votimin në Kuvend të Rezolutës së miratuar me 76 vota për, dhe një asbtenim.

“Qëndrimi ynë ishte shumë i qartë. Të gjithë serbëve të Kosovës me të drejtë vote, duhej t’ju ishte krijuar mundësia për të votuar përmes operacionit të mbledhjes së kutive të votimit të lehtësuar nga OSBE/ODHIR. Ne shprehim keqardhje që operacioni i mbledhjes së kutive të votimit nuk ndodhi. Kjo ka ndodhur në 2012, 2014, 2016, 2017 dhe 2020. Ndaj, kjo është vërtetë për të ardhur keq. Për ta bërë këtë operacion të mundshëm duhej aprovimi i të dy palëve”, deklaron Stano.

I pyetur, nëse BE-ja do të nxiste palët që të negociojnë për mospërsëritjen e një skenari të tillë në zgjedhjet që do zhvillohen më 3 prill në Serbi, Stano është përgjigjur se BE-ja dëshiron të gjejë një zgjidhje para zgjedhjeve në prill.

“Por lidhur me modalitetet, datat, afatet kohore, ne preferojmë që ta mbajmë në nivelin e komunikimit diskret me partnerët tanë dhe të mos përçojmë mesazhe përmes medias”, është shprehur Stano.

Por me këtë nukë shtë pajtuar juristi Burjani.

“Mendoj që BE-ja e ka vështirë të flas me një zë unik dhe ajo vazhdon t’i bëjë trysni shtetin tonë. Kosova nuk mund të kryejë shërbime për serbët që t’i lejojë zgjedhjet apo referendumin. Serbia nuk ka asnjë raport as minimal e as teknik me Kosovën dhe e sheh ende si pjesë të saj. E kjo për Kosovën është e papranueshme. BE-ja mund të flas, por situata nuk është si dikur kur është lejuar që Serbia të organizoj zgjedhje. Më së miri është që Serbia t’i zgjerojë kapacitetet e saj të zyrës që e ka në Kosovë për të organizuar zgjedhje bazuar në parimin e dy shtetësisë për serbët lokal”, shprehet Burjani për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, Serbia duhet të harroj sikurse edhe pesë shtetet e BE-së që Kosova të mos trajtohet si shtet, që sipas tij, tashëm kjo temë është mbyllur dhe Kosova është shtet i pavarur e sovran.

“Reagimet e BE-së janë reagime individuale edhe pse zëdhënësi flet në emër të të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Realisht Kosova shihet si shtet për të githë BE-në, përjashtim bëjnë vetëm pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën”, thotë ai.

Burjani shton se marrëveshje teknike Kosovë-Serbi në fushën e tillë është e pamundshme në këto rrethana që jemi.

“Kosova duhet të jap shtetësinë në mënyrë automatike për tërë shqiptarët e Kosovës Lindore, kjo duhet të ndodhë sa më parë”, përfundon Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat