Reagon ekonomisti për masat anti-covid të Qeverisë

Politika

Reagon ekonomisti për masat anti-covid të Qeverisë

Nga: A.Z Më: 25 janar 2022 Në ora: 18:02
Qeveria e Kosovës

Ekonomisti Mustafë Kadriaj, në një prononcim për “Bota sot”, është deklaruar rreth masave të reja të miratuara nga qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kjo pas rritjes së numrit të rasteve.

Kadriaj mendon se Qeveria po merr masa vetëm atëherë kur po rriten rastet.

Gjithashtu ai thekson se, po merren disa masa të paarsyeshme që sipas tij janë, ora policore dhe mbyllja e palestrave, sepse këto nuk ndikojnë në ndalimin e përhapjes së pandemisë.

Image
Mustafë Kadriaj

“Si rezultat i neglizhimit nga ana e qeverisë vetëm kur po rriten rastet me covid, të vetmen punë që e bënë është marrja e masave në paralizimin ekonomik. Pra, Qeveria duhet me qenë vigjilente, përmes mekanizmave të ketë teste dhe vaksinim masiv e jo me çdo kusht masa, ku disa masa janë të paarsyeshme, mund të kujtojmë orën policore si dhe mbylljen e palestrave dhe të fitneseve, ndërsa qendrat tregtare janë të mbipopulluara dhe potencialisht vetëm në një ditë pune të një qendre ka qarkullim sa një palestër fitnesi tërë vitin nuk mund ta ketë. Pra, kësaj Qeverie i ka humbur rruga në oborr, nuk di çfarë po bënë kështu vetëm sa me dalë para opinionit dhe bashkësisë ndërkombëtare që po merr masa. Por, këto masa nuk ndikojnë në parandalimin e përhapjes së pandemisë”, potencoi Kadriaj.

Ai shton se Qeveria nuk po i përkrahë bizneset, si dhe propozon se masat që duhet ndërmarrë janë testimi dhe vaksinimi masiv.

“Pra, qeveria aktuale me masat e ndërmarra nuk po ndikon në ruajtjen e shëndetit, njëherit po paralizon ekonominë, ndërsa nuk i përkrah bizneset dhe punëtorët, të cilët ju rrezikohet aktiviteti ekonomik dhe vendet e punës. Të vetmet masa që duhet të marr Qeveria, duhet të jetë testimi dhe vaksinimi masiv pa e ndalur aktivitetin ekonomik dhe palestrat sportive, e them këtë sepse me ndaljen e aktivitetit ekonomik vetëm çka përkeqësohet gjendja ekonomike, si dhe me mbylljen e palestrave sportive do të rëndohet shëndeti i qytetarëve”, thekson ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat