Rashit Qalaj: Ky është synimi i Rusisë dhe Serbisë në Kosovë e Mal të Zi

Politika

Rashit Qalaj: Ky është synimi i Rusisë dhe Serbisë në Kosovë e Mal të Zi

Nga: N. Sh. Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 19:08
Rashit Qalaj

Anëtari i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë se, sot jemi dëshmitarë të keqësimit të situatës së sigurisë në Ukrainë, e cila pashmangshëm po shkon drejt luftës.

“Lufta në Ukrainë dhe pushtimi i saj nga Rusia do të ketë pasoja të mëdha jo vetëm per Ukrainën, por edhe për sigurinë evropiane në përgjithësi si dhe mendoj unë që do të ndikojë direkt në infrastrukturën globale të sigurisë, gjithmonë duke pasur parasysh që Rusia është njëra ndër vendet kyçe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thotë Qalaj për gazetën “Bota sot”.

Deputeti thotë se, Rusia është duke bërë përpjekje që krahas Ukrainës të ndikojë sa më shumë në destabilizimin e situates së sigurisë edhe në vendet e Ballkanit perëndimor e sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Kjo fare lehtë mund të shihet nga përkrahja që Rusia i jep forcave destruktive në Bosnjë (pjesa serbe e Bosnjës) dhe haptas përkrah Dodikun dhe përpjekjet e tij për ndarje nga BH. Po ashtu është pikërisht Rusia, e cila është duke e bojkotuar haptazi përfaqësuesin e lartë për bosnjën zotin Schmidt dhe me këtë ajo dëshiron që ta zvogëloj ndikimin e Perëndimit në Bosnje, dhe po ashtu ta pengoj Bosnjën që të punoj drejt antarsimit në NATO. Po ashtu Rusia është kundër ndërprerjës së misionit ushtarak të BE-së në Bosnje, gjithmonë duke e ditur që ky është një mision mjaft i dobët për nga kapaciteti për mbrojtjen e kufijve të Bosnjës”, thekson ai.

Kjo sipas tij, në rastin e Ukrainës, po ashtu edhe në rastin e Bosnjës qëllimi kryesor është që këto vende t’i mbajë sa më larg NATO-s.

“Të njëjtat qëllime i ka edhe në Mal të Zi, duke përdorur indirekt shtetin serb dhe ndikimin e saj tek popullata serbe në Mal të Zi që ky vend të destabilizohet sidomos këto ditë që Mali i Zi është pa qeveri dhe ende nuk dihet se a do të ketë ndonjë qeveri të pakicave apo do të shkohet në zgjedhje parlamentare. Synimi i Rusisë dhe Serbisë do të jetë pengimi i formimit të qeverisë së re të Malit të Zi nga pakicat kuptohet me protesta dhe manifestime të ndryshme në mënyrë që ta detyrojnë presidentin e Malit të Zi që t’i shpallë zgjedhjet”, thotë ai.

Deputeti shton se, Rusia po e përdorë edhe Serbinë për destabilizim të situatës së sigurisë në Kosovë.

“Sidomos do të jetë e rëndësishme perioda kohore gjatë muajit prill kur në Serbi do të mbahen zgjedhjet, dhe unë mendoj që do të bëjnë përpjekje për instrumentalizimin e komunitetit serb sidomos në veri të vendit, mirëpo edhe në lokacionet tjera ku jeton komuniteti serb që të organizoj protesta të ndryshme dhe padëgjushmëri qytetare në rast se Qeveria e Kosovës nuk i lejon këto zgjedhje që të mbahen në Kosovë”, përfundon deputeti Qalaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat