“Turpi dhe skandali që ndodhi në samitin e NATO-s”/ Qëndrimi i Edi Ramës ‘tronditje’ për shqiptarët

Politika

“Turpi dhe skandali që ndodhi në samitin e NATO-s”/ Qëndrimi i Edi Ramës ‘tronditje’ për shqiptarët

Nga: P.R Më: 29 mars 2022 Në ora: 20:52
Edi Rama gjatë samitit të NATO-s

Në samitin e NATO-s që u mbajt javën e kaluar, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka propozuar që Kosova të integrohet në NATO dhe të bëhet më në fund shtet i plotë.

“Katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, tha presidenti kroat, Zoran Milanoviq.

E përballë një kërkese të tillë, shteti amë i Kosovës, Shqipëria zgjodhi heshtjen në Bruksel.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në vend së të bëjë thirrjen e njëjtë për Kosovën, ai u përkujdes që ta lëvdojë Serbinë, për çka mori edhe lëvdata nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

E kritika të ashpra për sjelljen e Edi Ramës ka profesor, doktor Enver Bytyçi. Ai e quan turp atë që ndodhi në Bruksel.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Para pak ditësh në Bruksel u zhvillua samiti i shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s. Ishin të pranishëm presidentët ose kryeministrat e të 30 vendeve anëtare të saj. Midis tyre edhe Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Mediat u morën me vendvendosjen e tij në radhën e parë në foton përmbyllëse të këtij samiti. Shqiptarët i kishte marrë malli ta shihnin kryeministrin e tyre në radhën e parë bashkë me Biden, Johnson, Scholz, Macron e Erdogan. Dalldi e madhe e atyre që në vend të bukës dhe mirëqenies ushqehen me imazhin dhe pijarin e kryeministrit. Në këtë dalldi u mbulua turpi dhe skandali që ndodhi në atë samit. Presidenti i Kroacisë propozoi që Kosova të pranohej në NATO me procedura të përshpejtuara. Në këtë kuadër ai u kërkoi katër vendeve anëtare të Aleancës, përkatësisht Greqisë, Spanjës, Rumanisë dhe Sllovakisë, që ta njohin shtetësinë e Kosovës, si kusht I pranimit të saj në këtë aleancë. U mbështet edhe nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, pasi ai i premtoi presidentes Osmani në Ankara se do të angazhohej për këtë qëllim”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Edi Rama u përkujdes për imazhin e Serbisë, e jo për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, heshti. Madje hodhi ide anti-shqiptare e pro-serbe në bisedimet me kolegët e tjerë të NATO-s, kur u thoshte se “Nuk duhet kërcënuar dhe lënduar Serbia e presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq”! U kujdes për imazhin e Serbisë, por jo për të drejtën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Aleancën Atlantike, me qëllim që të mbrohet nga rreziku i një agresioni serb. Të gjithë e dimë se Rusia nuk vjen në Ballkan me ushtrinë e saj. Nuk ka ndodhur kjo asnjëherë në histori, përveçse në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur Rusvelt ia hapi rrugën që kjo ushtri të vinte deri në Berlin, por edhe në Ballkan. Kjo do të thotë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut janë në NATO e Kosova duhet të jetë për shkak se është Serbia kobure e Rusisë në rajonin tonë”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se ajo që ndodhi në Bruksel me Edi Ramën, është skandali më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

“Por Edi Rama e përjashtoi rrezikun serb në Ballkan. Ai edhe në këtë samit, edhe në takime të tjera me udhëheqësit perëndimorë, hyn garant se Aleksandër Vuçiq nuk përbën rrezik për Ballkanin, se Serbia nuk është ajo Serbia e Milosheviçit. Ky është skandali më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Rama ishte dhe mbetet mik i Beogradit dhe përçarës i politikës në Prishtinë. Në këtë kuadër ai ka mbështetur projektin serb të Open Balkan. Për këto arsye presidenti i Serbisë po i thur lëvdata të mëdha kryeministrit të Shqipërisë. Sipas Vuçiq vetëm Edi Rama dhe Orban i Hungarisë e mbrojtën Serbinë në samitin e NATO-s të së hënës së kaluar më 21 mars. Dhe ai po thoshte një të vërtetë të padiskutueshme”, thekson Bytyçi.

“Nuk ka ndodhur që një lider politik i Serbisë të mos përmbahet e të lavdërojë ndonjë politikan shqiptar publikisht si në rastin konkret. Ka ndodhur që Serbia të nderojë vetëm Esat Pashë Toptanin, por jo në përmasat e këtij nderimi të jashtëzakonshme që Serbia i bën kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës”, deklaron Bytyçi, i cili thotë se qëndrimi i kryeministrit shqiptar në Bruksel, do të duhej të kishte tronditur gjithë opinionin shqiptar.

“Kjo që ndodhi para një jave në Bruksel me heshtjen e Edi Ramës për të drejtën e Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe me justifikimin e Serbisë për qëndrimin e saj pro-rus, do të duhej të kishte tronditur gjithë politikën shqiptare, të gjithë opinionin shqiptar. Por jo. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës vetëm tri ditë më pas u pa në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, dhe dukej sikur u thoshte shqiptarëve se “Edi Rama ka të drejtë kur mbështet Serbinë dhe të heshtë për Kosovën”!”, nënvizon Bytyçi.

Ai thotë se vizita e Abdixhikut në zyrën e Edi Ramës ishte e gabuar dhe në kohë të gabuar.

“Ai i bëri një shërbim të pamerituar kryeministrit të Shqipërisë, duke dhënë mesazhin e mbështetjes nga Kosova për qëndrimet e tij anti-Kosovë! Ishte ky një akt jo patriotik! Ishte një foshnjëri politike! Ishte legjitimim i qëndrimeve anti-kombëtare të Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë. Kjo nuk duhej të ndodhte edhe me çmimin e mos ngritjes së shtatores së Ibrahim Rugovës në Tiranë. Ata që e bllokuan ngritjen e kësaj shtatoreje prej mbi 16 vite, sa kohë që Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe më pas kryeministër i Shqipërisë, mund ta realizojnë kërkesën e Abdixhikut vetëm si këmbim për justifikimin e tradhtisë kombëtare që bëjnë”, shprehet Bytyçi.

“Rugova nuk ishte lider dhe politikan i pazareve. Abdixhiku erdhi në Tiranë dhe bëri pazare me Edi Ramën. Kjo është e turpshme. Në këmbim të shtatores ose bustit të Ibrahim Rugovës, Rama fitoi rehabilitimin e tij për qëndrimin anti-kombëtar e anti-shqiptar që mbajti në samitin e NATO-s në Bruksel më 21 mars 2022”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat