Lufta në Ukrainë nuk ka as shenjat më të vogla se do të ndalet. Tashmë Rusia po akuzohet se ka filluar të përdorë armët kimike ose tashmë i ka përdorur gjatë luftimeve në Mariupol, qytetin ku nga fillimi i luftës kanë ndodhur luftimet më të ashpra, dhe konsiderohet me viktimat më të mëdha. Aktualisht sipas zyrtarëve të Mariupolit, flitet për rreth 10 mijë viktima civile të shkaktuara nga sulmet ruse.
Ndërkohë, Putini e ka emëruar Alexander Dvornikov udhëheqës të luftës në Ukrainë, njërin prej gjeneralëve më brutal rus, i cili ka kryer krimet më të rënda kundër njerëzimit në Çeçeni dhe në Siri.
Forcat ruse, janë duke u grumbulluar dhe armatosur për betejën më të ashpër që mund të ketë ndodhur ndoshta, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kështu që sa i përket luftës atje nuk dihet se kur do të përfundojë dhe as sa do të zgjasë, por që rreziqet për përhapjen e saj jashtë Ukrainës janë duke u shtuar.
Në Ballkan, si njëra nga vatrat që vazhdimisht është përmendur se mund të përhapet lufta, agresori i vetëm i mundshëm është Serbia. Ajo së fundi ka blerë një sistem të sofistikuar kundërajror nga Kina. Por, Serbia nuk është hera e parë që blen armë, sepse gjatë vitit 2021 është raportuar për blerje të armëve nga Rusia.
Me blerjen e gjithë këtyre armëve ajo do një destabilizim në Ballkan!
Vetëm anëtarësimi në NATO, shpëton nga lufta
Por, ndërkombëtarët shqetësim po e shohin edhe Ballkanin Perëndimor, sidomos Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.
Këtë së fundmi e tha edhe eksperti i njohur amerikan për Ballkanin, Janusz Bugajski.
Ai në një postim në tviter ka thënë se “Vuçiq është udhëzuar nga mbrojtësi i tij Putini që ta destabilizojë Ballkanin. Rruga e shpejtë drejt anëtarësimit në NATO për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën është thelbësore për të penguar luftën”, ka shkruar Bugajski në tviter.
Pra, sipas Bugajskit, rruga e shpëtimit të vërtetë të Kosovës, por edhe të Bosnjës, është anëtarësimi në NATO, përkatësisht pranimi i tyre në këtë aleancë.
Edhe sipas Bugajskit, dhe ekspertëve të tjerë, mbështetja vetëm tek KFOR-i, nuk është plotësisht e mjaftueshme, sado që ky mision është i besueshëm, sa i përket mbrojtjes së kufijve me Serbinë.
Për një gjë të tillë kishte reaguar edhe Kabineti i Presidencës së Vjosa Osmanit se procesi i anëtarësimit të Serbisë në Europë, duhet të suspendohet. Ai ka reaguar pasi mediat ndërkombëtare raportuan me pamje se si Kina e ka furnizuar Serbinë me armatime të fjalës së fundit, raketa me rreze të mesme veprimi, me 18 fluturime avionësh, nga gjashtë çdo ditë.
Tërnava: Kjo luftë po u jep mundësinë shteteve të zhvilluara të mendojnë për ardhmërinë e botës
Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se edhe pse lufta s’po ndalet në përkrahje të Rusisë janë pak shtete, sidomos ato që janë në përbërje ë saj.
“Situata luftarake e krijuar tani mes Rusisë që e sulmoj Ukrainën tash e mbi një muaj, është shqetësuese sepse as që po shihen sinjalet se do të mbarojë kjo luftë ku ka viktima të mëdha në njerëz e mos të flasim për dëmet në pasuritë e patundshmërive të këtij shteti që po sulmohet me armatimin më modern. Nuk po ndalet lufta edhe pse në anën e Ukrainës janë të gjitha shtetet demokratike të botës, që në përqindje mund të thuhet mbase rreth 70% janë në përkrahje të saj, një numër i vogël janë në përkrahje të Rusisë, dhe më së shumti ato shtete që janë ishin në përbërje të Rusisë (Bashkimit Sovjetik)”, thotë ai.
Sipas tij, në Evropë Rusia të vetmin shtet mbështetës e ka Serbinë dhe ajo duhet ndaluar pas gjithë atyre luftërave, me të gjitha ato republika të ish-Jugosllavisë, por që me luftën e fundit me Kosovën ajo e pësoi keq.
“Në tërë Evropën i vetmi shtet që është i radhitur në përkrahjen e Rusisë është Serbia që po tregohet si aleate e saj, dhe shkaku pse Serbia është në përkrahjen e Rusisë është se dihet çfarë luftërash ka bërë Serbia, me të gjitha ato republika të ish-Jugosllavisë që edhe u zhbë për shkaqe të luftërave që i bëri. Me Kosovën e zhvilloi luftën e saj të fundit, ku nga ajo luftë Serbia e pësoi keq, kur Amerika me aleatët e saj dhe NATO-n, e sulmuan Serbinë, në shenjë humanitare për të shpëtuar një popull të tërë të Kosovës, dhe bombardimet zgjaten 78 ditë deri në dorëzimin e Serbisë dhe pranimin e kapitullimit të saj. Por, Serbia është duke e mbështetur Rusinë, edhe pse nuk e ka kundërshtuar miratimin e Rezolutës 1244 të OKB, që u arrit ajo rezolutë për t’u sulmuar Serbia. Megjithatë Serbia deri më tani është llogaritur si aleate e Rusisë përgjatë të gjitha viteve e sidomos mbas luftës e deri më tani”, shprehet tutje ai.
Kurse, sa i përket deklaratës së analistit Janusz Bugajskit, ai thotë se shtetet e Ballkanit që ende nuk janë anëtare të BE-së, duhet bërë çmos që sa më parë të futen në BE dhe të anëtarësohen në NATO, e sidomos Bosnja dhe Hercegovina me Kosovën, sepse kjo do ta zvogëlonte mundësinë eventuale të ndonjë lufte.
“Në këtë situatë të tanishme është e kuptueshme se Rusisë i duhet ndonjë aleat ta ketë në Ballkan dhe mes tij të udhëheq ato lufta speciale të kohës që i konvenojnë Rusisë, por vet Serbia i ka të qarta dhe të freskëta ato përjetime gjatë luftës që ishte bombarduar në vitin e 1999, edhe që atëherë nuk iu gjind askush përkrah me i dalë në mbrojtje. Por, pavarësisht kësaj ka dyshime sikur thotë edhe Bugajski se ‘Vuçiqi është i udhëzuar nga mbrojtësi i tij Putin që ta destabilizojë Ballkanin’”, thotë Tërnava.
Ai thotë se në bazë të atmosferës luftarake që po zhvillohet, shtetet e Ballkanit që ende nuk janë anëtare të BE-së, duhet të bëhet çmos që këto shtete sa më parë ta gjejnë veten në atë përbërje, si dhe të ndodhë sa më parë anëtarësimi i tyre në NATO, e sidomos Bosnja dhe Hercegovina me Kosovën, sikurse ka kërkuar edhe Bugajski.
“Anëtarësimi i këtyre dy shteteve në NATO, veçmas i Kosovës do ta zvogëlonte mundësinë e ndonjë lufte, sulmi nga Serbia, ndaj një anëtari të paktit të NATO-s, sepse e din se si ka pësuar njëherë me 1999”, thotë Tërnava.
Sipas ekspertit të sigurisë, kjo situatë lufte u jep mundësinë shteteve të zhvilluara që ta mendojnë ardhmërinë e botës.
Shala: Tensioni mund të shpërndahet edhe në disa vende të Ballkanit
Edhe eksperti Drizan Shala për “Bota sot”, thotë se lufta në Ukrainë mund të krijojë një tensione, të cilat do të bëjnë shpërndarjen e luftës në disa vende të Ballkanit si në Bosnje, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë.
“Në lidhje me situatën e krijuar nga konflikti Rusi-Ukrainë është parashikuar që ky tension do të mund të shpërndahet edhe në rajonin e Ballkanit perëndimor me efekt në shtetet që janë Bosnja, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut si dhe Kosova. Siç dihet Republika Serbe brenda BeH ka potencial që të shkëputet dhe t’i bashkohet Serbisë, dhe kështu të nis fillimi i jetësimit të projektit “bota serbe”. Gjithashtu Mali i Zi ka mbet në orbitën e ekspansionit serbo-rus duke interferuar në politikën e brendshme në të gjitha aspektet, politike, ekonomike”, deklaron ai.
Ai shton se Kosova në këto momente është në fazën më të rëndësishme, kur dihet se sytë e ndërkombëtarëve janë mbi institucionet tona të sigurisë dhe atyre politike se çfarë veprimesh do të ndërmarrin në rast të ndonjë eskalimi nga grupet kriminale në veri të vendit.
“Ndërsa, në procesin e tensionimit dhe tendenca për të bllokuar rrugën e saj drejt hapjes së vendit anëtar për në BE nga ana e Bullgarisë, është e ndikuar nga politika e jashtme e Rusisë. Kosova është në fazën e saj tejet të rëndësishme që nga shpallja e Pavarësisë sepse ka presion ndërkombëtar për gjetjen e një zgjedhje të përgjithshme për procesin e saj drejt BE-së në raport me Serbinë. Ku dihet edhe çështja e minoriteteve në përgjithësi, sytë do të jenë nga ana e institucioneve tona të sigurisë dhe atyre politike se çfarë veprimesh do të ndërmarrin në rast të ndonjë eskalimi nga grupet kriminale në veri të vendit”, nënvizon Shala.