Kush ishin bashkëpunëtorët e Rusisë, Kinës, e Turqisë në Kosovë?

Politika

Kush ishin bashkëpunëtorët e Rusisë, Kinës, e Turqisë në Kosovë?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 23 prill 2022 Në ora: 15:08
Aleksandar Vuçiq, Vladimir Putin, foto ilustrim nga "Bota sot"

Freedom House, në raportin e publikuar para disa dite ka alarmuar për ndikimin e shteteve tjera jo mike të shqiptarëve në Kosovë.

Në këtë raport, thuhet se qeveritë ruse, kineze dhe turke kishin ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë.

"Sistemi politik i Kosovës historikisht është karakterizuar me mosfunksionim dhe jostabilitet të tij. Qeveria Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, herë pas here u përpoq të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit. Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë. Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit".

Ndërhyrjet

Pas publikimit të këtij raporti, urgjentisht duhet ditur se kush ishin bashkëpunëtorët e Rusisë, por edhe të Kinës, e Turqisë në Kosovë?

Në lidhje me këtë çështje, analisti politik Gani Qarri thotë se vet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në tetorin e vitit të kaluar pati njoftuar publikisht, për dëbimin e disa oficerëve të padeklaruar, të shërbimeve të fshehta ruse, të cilët, duke u prezantuar si diplomatë, kishin arritur të involvohen në ambasadën ruse edhe në seli të NATO-s në Bruksel, me qëllim që të kryenin “aktivitete të ndaluara spiunazhi”, të pa lejuara me akreditimin zyrtar.

“Prandaj brishtësia e shtetit të Kosovës, politikbërësit jo-profesionist e të papërvojë, të shitur e të shantazhur, për ç`gjë edhe janë akuzuar në vazhdimësi, janë faktorët më optimal, që edhe në vendin tonë të kishte dhe të ketë edhe sot, shumë bashkëpunëtorët të Rusisë, por edhe të Kinës, e Turqisë, madje duke pasur parasysh rastin e arrestimit brutal, me metodat e egra klasike të kidnapimit në rrugë, të të ashtuquajturve “gylenist” nga vet AKI-ja duket se në Kosovë, ata edhe veprojnë gati lirshëm dhe pa kamuflime të mëdha, siç janë të detyruar të kamuflohen në vendet tjera me rend dhe ligj”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

 

Thaçi e Haradinaj, ishin të lidhur me korrupsion e krimin e nivelit më të lartë

Ai përmend se në këtë raport të Frreedom House, Hashim Thaçi e Ramush Haradnaj ishin të lidhur me korrupsion e krim të nivelit të lartë.

“Madje përveçse sistemi politik i Kosovës historikisht është karakterizuar me mosfunksionim dhe jostabilitet të vazhdueshëm edhe pas çlirimit nga Serbia, Freedom House thekson faktin se politikanët kryesor si Thaçi e Haradinaj, ishin të lidhur me korrupsion e krimin e nivelit më të lartë, prandaj edhe Rusia e Kina, mund të kenë ushtruar ndikimin e tyre në Kosove, ashtu siç potencon në raportin e vet edhe Freedom House. Për aq më tepër, megjithëse Qeveria Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, herë pas here, ka bërë përpjekje të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit, ajo gjithmonë është penguar nga elemente të inkriminuara opozitare, të cilat mund të jenë të lidhura me agjenturat ruse, kineze e turke dhe ndoshta edhe paguhen nga to, që të punojnë kundër shtetit të Kosovës dhe rivendosjes së rendit e të ligjit në vend”, pohon ai.

Ndikimi i BIA-s në institucione

Qarri shton se, Serbia me Milan Radojçiqin tash e dy dekada kanë ruajtur ndikimin e vet në Kosovë.

“Kështu që me lidhjet që mund të kenë agjenturat e spiunazhit ruso-serb me politikbërësit e shitur e të shantazhuar të Kosovës, të cilët në vijimësi i kemi parë, jo vetëm duke koketuar "formalisht" me bandat kriminale në veri, por edhe duke u organizuar pritje zyrtare në zyrat e Qeverisë së Kosovës, kriminelëve më të përfolur, të sanksionuar edhe nga SHBA-ja, si Milan Radojçiqi, me njerëz të tillë tash e mbi dy dekada Serbia ka arritur të ruaj edhe ndikimin e vet në veri të Kosovës, ku institucionet e shtetit tonë të brishtë, as sot pas 23 vitesh të çlirimit, nuk kanë prezencë të fortë”, pohon ai.

Madje sipas tij, Hashim Thaçi mbante këshilltar spiunin e BIA-së serbe Branislav Nikoliqin.

“Përveç tjerash të gjithë ne jemi dëshmitar po ashtu, se Hashim Thaçi përveç mbajtjes së spiunëve të dëshmuar të BIA-së serbe si Branislav Nikoliq, për këshilltar në pozitën e presidentit të vendit dhe takimeve të pareshtura me kriminelin Aleksandër Vuçiq, ai është parë të takohej edhe me vet Vladimir Putinin, takim ky i pasqaruar kurrë, tash e atëherë, arsyet e të cilit nuk i di kush as sot”, thotë ai.

“Prandaj nuk është për tu habitur, se përmes spiunëve të BIA-s, qeveritë ruse, kineze dhe turke të kenë krijuar ura lidhëse edhe me politikanët e lartë vendor, me pëlqimin e të cilëve agjentët e fshehtë dhe oficerët e padeklaruar, të shërbimeve sekrete ruse, të prezantuar si diplomatë, derisa u dëbuan në fund të vitit të kaluar nga vendi, kanë punuar lirshëm edhe në Kosovë, po ata mund të kenë ushtruar ndikim, gjithashtu edhe mbi proceset qeveritare në vend gjatë viteve të fundit, siç konstaton edhe organizata Freedom House”, përfundon Gani Qarri.

Kurse, analisti Nexhat Haziri thotë se, raporti i fundit i Freedom House për Kosovën, është raport në përgjithësi real që pasqyron gjendjen e brishtë në të cilën aktualisht është Kosova.

Image
Nexhat Haziri

 

“Përkundër disa përparimeve te vogla, vendi i ynë vazhdon të përballët me probleme të shumta si në fushën e sundimit të ligjit ku edhe në këtë raport theksohet ndikimi i politikës në institucionet e drejtësisë, duke vazhduar praktikat e vjetra si të qeverive të kaluara, pra edhe Qeveria Kurti, për kapjen e institucionit të drejtësisë, dhe për ta përdorur atë si një instrument përndjekje dhe shantazhi për kundërshtarët politik, ashtu siç e përdorën edhe qeveritë e PAN-it”, thotë ai për gazetën “Bota sot”.

Lista Serbe synon ta rris presionin për destabilitet të vendit

Sipas tij, sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporti nuk shënon ndonjë të arritur në përpjekjet e institucioneve për ta luftuar në atë masë sa do të ishin të evidentueshme apo të prekshme rezultatet në luftimin ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.

“Në këtë drejtim raporti i FH-së ka një referencë të saktë për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e AAK-së Ramush Haradinaj, duke u përshkruar si figura të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar që ndikojnë në instalimin e udhëheqësve në pozita, gjë që nuk është diçka e re apo e padëgjuar pasi rrjetet e krimit të organizuar që lidhen me këta dy individë janë akoma të fuqishme dhe aktive në Kosovë. Ndërsa, në çështjen e ndikimeve të tjera nga jashtë në proceset politike në Kosovës, natyrisht se në raportin e kësaj organizate potencohet Serbia, e cila vazhdon që nëpërmjet subjektit politik “Lista Serbe” ta rris presionin në drejtim të destabilitetit të vendit, sidomos në pjesën veriore, përmes edhe financimit dhe përkrahjes të strukturave paralele serbe që faktikisht ushtrojnë pushtetin në pjesën veriore të vendit ku shkalla e krimit të organizuar është shumë e lartë”, thekson ai.

Haziri pohon se, në këtë aspekt duhet veçuar edhe përpjekjet e qeverisë aktuale të Kosovës në tentativat e saja për ta shtrirë funksionimin e ligjit edhe në këtë pjesë të vendit, por që vazhdon të jetë e pasuksesshme për shkak të ndërhyrjes së Serbisë përmes strukturave paralele të saja.

“Stabiliteti i kësaj pjese të Kosovës vazhdon të mbetet peng i marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces ky që duket të jetë akoma i ngrirë, dhe tentimet që të takohen herë pas here zyrtarët e të dyja shteteve në Bruksel për çështje të karakterit teknik, nuk po duket se po japin rezultate, të cilat do të ishin të implementuara edhe në teren. Ajo që vazhdon të jetë shqetësuese edhe në këtë raport është presioni politik nga qeveria, por edhe nga biznesi ndaj medias së lirë me çka e kanë radhitur Kosovën si vend pjesërisht të lirë, përkundër që ka një konstatim pozitiv në këtë raport sa i përket proceseve zgjedhore në Kosovë si në atë qendror po ashtu edhe në atë lokal”, përfundon Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat