Pse u blenë shurdhues për kabinetin e Thaçit?/ Zbulohet prapavija e blerjes së tyre!

Politika

Pse u blenë shurdhues për kabinetin e Thaçit?/ Zbulohet prapavija e blerjes së tyre!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 prill 2022 Në ora: 12:37
Abelard Tahiri

Zbulimi i skandaleve të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Thaçi edhe pse tashmë është në Hagë, nuk kanë të ndalur.

Qeverisjet e PAN-it i kanë sjellë vendit dëme të mëdha për gati 20 vite qeverisje.

Së fundmi është publikuar një dokument ku shihet që kabineti i sigurimit të Thaçit kanë blerë shurdhues për armë.

Këtë lajm e përforcoi edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, i cili konfirmoi që kabineti i qeverisë Thaçit kishte blerë pesë pajisje, të cilat për funksion kishin ndaljen e zhurmës së armëve të zjarrit.

Në dokumentin e siguruar të datës 2 mars 2011, figuron se kabineti ishte furnizuar fillimisht me pesë armë dhe në kuadër të po të njëjtës blerje, ishin blerë edhe pjesë të tjera si shurdhues.

Bashkë me pjesët përcjellëse ato i kishin kushtuar 19 mijë euro buxhetit të shtetit, sipas raportimeve në media.

Në dokument figuron se janë blerë pesë shurdhues të llojit MP 7 A1.

Sipas Tahirit, kërkesa për tu pajisur me armë me shurdhues kishte ardhur nga njësia e sigurimit të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.

Në lidhje me këtë temë “Bota sot”, ka kontaktuar me deputetët e LVV-së, të cilët u shprehën se një pajisje e tillë është e kundërligjshme.

Dugolli: Blerja e shurdhuesve nuk ka asnjë bazë ligjore

Image
Enver Dugolli

Deputeti nga radhët e LVV-së, Enver Dugolli në një prononcim për “Bota sot”, thotë që një sqarim më i detajuar është dashur të bëhet nga Tahiri pasi një veprim i tillë nuk ka asnjë bazë ligjore.

“Blerja e armëve dhe shurdhuesve nga kabineti Thaçi të cilin e ka udhëheq Abelard Tahiri është shumë e çuditshëm. Ishte dashtë ta kemi një sqarim pse ju kanë dashur Abelardit dhe stafit kur nuk ka asnjë bazë ligjore mbi të cilën arsyetohet një blerje e tillë. Në aspektin operativ, blerje të tilla (pajisjeve siç janë shurdhuesit), bëhen për operacione speciale tepër të veçanta të karakterit sekret dhe të shërbimeve sekrete”, u shpreh ai.

Deputeti më tej thotë se të gjitha pajisjet dhe armatimin e truprojave dhe njësisë së mbrojtjes së afërt bëhen nga policia e Kosovës në përputhje me ligjin e armëve.

“Sa i përket pajisjeve dhe armatimit të truprojave dhe njësisë së mbrojtjes së afërt, të gjitha i planifikon dhe i blenë policia e Kosovës duke u bazuar në ligjin për armët, municionet dhe pajisjet”, theksoi deputeti.

Ndër të tjera ai shton se këto blerja të tilla janë të jashtëligjshme dhe duhet të kryhet hetim zyrtar për arsyen e blerjes së armëve me shurdhues.

“Blerje të tilla të armëve dhe pajisjeve speciale nga cilido kabinet mund të konsiderohen të jashtëligjshme dhe ishte dashtë të kryhet ndonjë hetim zyrtar për arsyen e blerjeve, për personat që kanë poseduar ato armë dhe pajisje dhe ekspertizën nëse janë përdorur ndonjëherë”, nënvizoi Dugolli për “Bota sot”.

Batusha: Organet e drejtësisë të hetojnë skandalin e shurdhuesve

Image
Agon Batusha

Ndërsa, deputeti Agon Batusha, nga LVV, i kontaktuar nga “Bota sot”, u shpreh se kjo tentativë është për t’i ikur përgjegjësive të këtij skandali pasi mbrojtja e afërt pajiset nga policia e Kosovës.

“Kjo është tentativ për t’i ikur përgjegjësisë në këtë skandal. Mbrojtja e afërt është njësit brenda Policisë së Kosovës dhe si e tillë e ka përgjegjësinë për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore si të vendit tonë ashtu edhe atyre që e vizitojnë Kosovën”, thotë ai.

Deputeti tutje nuk arsyeton shurdhuesen për armët e mbrojtjes së afërt pasi sipas tij, të njëjtit duhet të jenë të trajnuar për t’u kundërpërgjigjur ndaj secilit rrezik.

“Pajisjet e tyre sigurohen përmes buxhetit të Policisë së Kosovës. Për më tepër çka i duhet shurdhuesja armës së mbrojtjes së afërt? Ata janë të trajnuar për t’u kundërpërgjigjur secilit rrezik, qoftë ai edhe frontal. Në raste të tilla pse nevojitet shurdhuesja”, potencoi deputeti.

Në fund, deputeti thotë që ky skandal duhet të hetohet nga organet e drejtësisë.

“Këtu dalim në përfundim që kjo çka është thënë është farsë sepse ato pajisje janë blerë për nevojat personale dhe me buxhet të shtetit. Kjo është e turpshme e për më tepër kjo duhet të hetohet nga organet e drejtësisë. E nëse është fjala për sigurim provat e personal, kjo veç çka e thellon skandalin. E aspak nuk e arsyeton veprimin e z. Tahiri”, përfundoi Batusha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat