“Hashim Thaçi president i Shqipërisë”, vjen reagimi ndaj Edi Ramës

Politika

“Hashim Thaçi president i Shqipërisë”, vjen reagimi ndaj Edi Ramës

Nga: P.R Më: 27 prill 2022 Në ora: 21:39
Edi Rama dhe Hashim Thaçi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se me dëshirë do ta votonin Hashim Thaçin për president të Shqipërisë, ani pse ky i fundit akuzohet nga Gjykata Speciale për vrasjen e shqiptarëve, shumica prej tyre anëtarë të LDK-së.

“Do të kishim vënë Hashim Thaçin dhe do të ishte president i shkëlqyer si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, dhe do ta kishim votuar me bindje dhe kënaqësi. Por ai nuk është i pranishëm, në jetën e bashkësisë qytetare, si qytetar i lirë pasi ndaj tij po zhvillohet një proces që mos më detyroni ta them këtu se çfarë procesi është”, deklaroi Rama.

E ndaj Ramës ka reaguar publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

“Edi Rama e ka mënyrë, stil të jetuari në politikë batutën, skupin, lajmin gjysmë ndryshe. Ai çdo ditë e më shumë dyshon se është kryeministër dhe nuk beson se e ka veten në dorë. Një nga ato gjera që e nxjerr në krye lajmi të portaleve jo aq serioze është deklarimi i tij që nëse Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një president, ai do ta votonte me kënaqësi Hashim Thaçin dhe do të ishte një president i shkëlqyer por nuk mundet”, thotë Shahu.

Sipas tij, Edi Rama po tallet edhe me Hashim Thaçin, i cili po qëndron i burgosur në Hagë.

“Rama është kundër që Shqipëria e Kosova të kenë një president dhe ai tallet me dashamirët e kësaj ideje. Tallet edhe për faktin se Thaçi aktualisht është në gjykim dhe Rama me këtë rast synon të kapë simpatinë e dashamirëve të Thaçit dhe simpatinë e atyre që ëndërrojnë ta kenë sot një shtet të përbashkët shqiptar”, shprehet Shahu për “Bota sot”.

Përmes kësaj deklarate, Shahu thotë se Rama po tenton që ta rrisë çmimin e tij politik përmes nacionalizimit.

“Për asnjërën nga këto gjëra nuk është dakord vetë Rama. Kjo deklaratë e Ramës kërkon të rrisë çmimin e tij politik në bursën kombëtare të nacionalizmit ku ai gjithmonë është kautuar shumë poshtë. Këto janë gjëra të njohura dhe nuk ka asgjë të re nga Rama. Arsyeja e vetme e artikulimit të tillë nga Rama është jo Thaçi, por të dalë në pah Rama”, përfundon për “Bota sot”, publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat