“Lojërat e Beogradit”/ Prapaskenat pas deklaratës së Daçiqit: Ja si po tentojnë serbët ta mbyllin Kosovën!

Politika

“Lojërat e Beogradit”/ Prapaskenat pas deklaratës së Daçiqit: Ja si po tentojnë serbët ta mbyllin Kosovën!

Nga: A.M Më: 29 prill 2022 Në ora: 22:49
Ivica Daçiq

Disa ditë më parë, Ivica Daçiq befasoi me deklaratat e tij, ku potencoi se po të mos kishin qenë bisedimet në Bruksel, shumë procese do të ishin kryer në favor të Kosovës, dhe se integrimi i saj në organizata ndërkombëtare do të mund të kishte përfunduar. 

"Po të mos kishim marrëveshjet e Brukselit, me siguri Kosova moti do e kishte rrumbullaksuar shtetin e saj dhe do ishte shtet i njohur ndërkombëtarisht..." . 

Pra, ai e bën të qartë se pala e Kosovës, më saktë zyrtarët që udhëhoqën bisedimet i bën lëshime dhe kompromise Serbisë. 

"Ne ia dolëm mban në këtë. Që nga kolapsi i plotë i politikës së mëparshme të Kosovës, kur Serbia nuk pyeti për asgjë dhe Kosova merrte një njohje ndërkombëtare në ditë, ne e kemi bërë një çështje të hapur që nuk mund të zgjidhet pa Serbinë", ka thënë Daçiq. 

E në lidhje me këtë temë, për gazetën “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi. 

Fillimisht, ai u shpreh se Evropa me veprimet e saj nuk po e dëshmon rolin e mirëfilltë të saj, derisa po ia mohon të drejtat e nevojshme qytetarëve të Kosovës. 

“Do ta quanim një fatkeqësi, nëse shoqëria e jonë ende nuk e ka kuptuar rolin e Serbisë, me ç 'rast edhe Evropa, sikur nuk po e dëshmon rolin e saj të mirëfilltë, sepse nuk po i realizon të drejtat dhe format e nevojshme që i përkasin popullit të Kosovës. 

Dhe sot domosdoshmërisht duhet të përpiqet se kjo shoqëri njerëzore në mesin e Evropës së gjerë, realiteti i së cilës të qartësohet, por jo edhe të mohohet, dhe peshën e turpërisë së krimit mbi Kosovën dhe popullin e saj, ta ndjejë edhe shoqëria evropiane, duke e ditur se këtij popullit iu ka mohuar liria dhe perspektiva e saj njerëzore”, deklaroi opinionisti. 

Image
Opinionisti Dedë Preqi. 

Krahas kësaj, Preqi kujtoi dhimbjet dhe sakrificat e mëdha të shqiptarëve që derdhën gjak për liri, duke thënë se të gjithë këtë ‘nyje’ të krijuar duhet ta zgjidhim dhe mos ta lëmë për nesër. 

“A thua do të ishte e vlefshme, sikur do ta kompensonim tërë atë që kemi humbur, apo edhe tërë atë që e kemi vuajtur, e cila do të ishte e pa mundur, sepse nuk do na inkurajonte të na jepte kuptimin e së kaluarës, nëse i harrojmë sakrificat dhe gjakun e atyre që derdhën për lirinë e këtij vendi. 

Dhe shqiptarët do të gabojnë nëse mendojnë se dikush tjetër do na lironte nga barrët tona dhe peshën që kemi mbi supa, apo të vuaj dikush tjetër në vend të ndjenjave tona, sepse e sotmja dhe e djeshmja janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, të cilën duhet vetë ta zgjidhim nyjën e tillë, të cilën nuk duhet ta lëmë për nesër”, theksoi ai. 

Më tej, opinionisti tha se Serbia po bën lojëra politike, me qëllim që ta mbajë Kosovën nën hije të saj.  

Megjithatë, ai kërkoi që të mos lëshohet pe nga qeveria e vendit tonë dhe të mos bëjë kompromise në të mirë të Beogradit. 

“Prandaj, lojërat politike që po i inskenon Serbia, ndaj Kosovës, janë plane dhe projekte të përpiluara nga kuzhina e Beogradit dhe akademia e saj politike, që Kosovën ta mbajnë nën hijen e Serbisë, ndërsa Evropa, sikur nuk e ka guximin ta sfidojë një politikë të tillë, e cila më në fund do ta sfidojë edhe vetë Evropën, ndërsa Kosovën, duke e mbajtur të izoluar dhe dyert e saja të integrimeve të mbyllura. 

E kanë gabim të gjithë ata që mendojnë se Kosova duhet të lëshojë pe, dhe të bëjë kompromise të reja me Serbinë, të cilat kompromise do të ishin të dhimbshme, sepse Serbia, është shkaktari i të gjitha të zezave dhe krimeve që i shkaktoi popullit shqiptarë të Kosovës, të cilët ranë pre e këtij tragjizmi serbo-sllav dhe kriminaliteti çnjerëzor, që duhet ta merr parasysh  Evropa dhe e gjithë bota njerëzore, dhe ta dënojë një gjenocid të tillë”, vlerësoi Preqi. 

Po ashtu, ai deklaratën e Daçiqit e cilësoi skandaloze, ë cilat vetëm shpërfaqi qëllimin dhe orientimin e vërtet të shtetit serb ndaj Kosovës. 

“Është shumë skandaloze deklarata e Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, kur thotë se, Marrëveshja e Brukselit në mes Kosovës dhe Serbisë, është rezultat dhe favor i Serbisë, të cilën e ka udhëhequr Aleksandër Vuçiq, qëllimi i të cilit është ndalimi i rrumbullaksimit të shtetësisë së Kosovës, që në emër të Kosovës, një marrëveshje të tillë e kishte nënshkruar Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. 

Një orientim i tillë i politikës serbe ndaj Kosovës, tregon vetë se nuk ka qëllime të mira dhe nuk ka qëllime të tejkalimeve të problemeve në mes serbëve dhe shqiptareve, por edhe ndonjë komplikim të mundshëm të ndonjë modeli të komponentës së hartuar nga qarqet akademike serbe, që çështja e Kosovës, të mbetet e tillë dhe e pa zgjidhur”, potencoi opinionisti. 

Në fund, Preqi tha se pavarësisht ndihëm së madhe të SHBA-ve, angazhimeve të BE-së, Kosova po e paguan çmimin e lartë, derisa Serbia nuk është dënuar ende. 

“Shteti i Kosovës dhe qeveria e saj, nuk ka mundur që të përfshijë në një formulë edhe pjesën veriore të Kosovës, në mënyrë që të shtrijë ligjet kushtetuese në tërësi të vendit, që të integrohet edhe kjo pjesë e vendit në shoqërinë kosovare, por çdo hap dhe iniciativë e saj është penguar nga kriminelët  dhe bandat serbe, të cilët i ka dirigjuar Beogradi, duke i bllokuar rrugët dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit. 

Prandaj, Kosova dhe institucionet e saj, u janë mirënjohës të gjitha angazhimeve të BE-së, dhe gjithë mekanizmave ndërkombëtarë në krye me SHBA-të, për zgjidhjen e çështjes në mes këtyre dy vendeve, por nëse nuk do merren parasysh përgjegjësitë dhe faktori kryesor i të gjitha këtyre problemeve të mos i adresohet Beogradit dhe qeverisë së Vuçiqit, do të ishte gjithçka e kotë, duke ditur se Kosova, po e paguan një çmim të lartë pa faj dhe pa e merituar në gjitha periudhat e saj”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat