Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i kundërpërgjigjet Xhavit Halitit dhe Bardhyl Mahmutit

Politika

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i kundërpërgjigjet Xhavit Halitit dhe Bardhyl Mahmutit

Nga: P.R Më: 22 maj 2022 Në ora: 08:30
Xhavit Haliti dhe Bardhyl Mahmuti

Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i UÇK-së dhe anëtar i LPK-së si jo rrallë herë ka sulmuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Së fundi, në njërën nga intervistat e tij, Mahmuti tha se LDK është formua nga strukturat e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.

“LDK, është diçka publike që dihet, është një transformim i strukturave të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në një forcë politike të caktuar”, deklaroi Mahmuti.

E njëjtë si Mahmuti, ka deklaruar edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti. Sipas Halitit, LDK është parti me prejardhje komuniste.

Por Mahmutit dhe Halitit iu është kundërpërgjigjur Saim Tahiraj, ishbashkëluftëtar i heroit të kombit, Sali Çekaj dhe veprimtar i hershëm i LDK-së.

“Deklarimet e të dy personazheve negativ rreth formimit të LDK-së nuk janë rastësi as befasuese, sepse ishin armiqtë e përbetuar të LDK-së që nga themelimi i saj e gjerë më sot. Si këta të dy edhe organizata politike që i takonin LPK, kishin për mision historik luftimin e pa kompromis dhe në të gjitha format për shkatërrimin e LDK-së”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Image
Saim Tahiraj, ishbashkëluftëtar i heroit të kombit, Sali Çekaj dhe veprimtar i hershëm i LDK-së.

Sipas tij, LDK ishte partia e parë demokratike që shkatërroi Lidhjen Komunistë të Jugosllavisë.

“LDK-në nuk e themeloi LKJ, por përkundrazi LDK ishte partia e parë demokratike që përfundimisht e shkatërroi LKJ-në dhe të gjitha organizatat tjera shoqërore politike rreth saj. Historikisht dihet se PKSH ishte themeluar nga PKJ përmes agjentëve të saj: Popoviç, Mugosha, Tempo dhe për mision historik kishte luftimin e pa kompromis të nacionalistëve shqiptarë dhe shkatërrimin përfundimtarë të tyre”, shprehet Tahiraj,

Ai thotë se këtë mision në Kosovë dhe mërgatë e vazhdoi LPK si pjellë ideologjike e PPSH.

“Ajo së bashku me nënën e tyre ideologjike dhe partitë si motra në botë, kurrë nuk pushuan së luftuari partitë e djathta nacionaliste në mbarë botën ku ishin të shpërndarë përfaqësuesit e tyre”, thekson Tahiraj.

Ai thotë së Ibrahim Rugova, është arsyeja që individët e LPK-së vazhdojnë edhe sot që ta luftojnë LDK-në.

“LDK u themelua nga elita intelektuale e kohës me program dhe orientim të qendrës së djathtë, e drejtuar kryesisht nga nacionalist dhe nga krye nacionalisti i madh kryetari dr. Rugova. Kjo ishte dhe vazhdon të jetë arsyeja kryesore pse pjella e ideologjisë së kuqe pro sllave LPK e luftonte dhe vazhdon ta luftoj LDK-në si pjellë e traditës sonë kombëtare, e shqiptarizmës së pastër pro perëndimore. Që nga themelimi i LDK-së, nuk lanë formë të luftës pa përdorur nga jashtë kundër saj”.

“Kur panë se të gjitha ishin pa sukses ata ndruan strategjinë dhe u futen brenda saj me parullën famëkeqe të njohur" Ta marrim Kalanë nga Brenda". Si veprimet tjera edhe kjo përfundoi pa sukses, sepse tani populli i Kosovës ishte përcaktuar për pjellën e tyre të pastër, për të djathtën, për nacionalizmin e tyre tradicional i cili artikulohej përmes LDK-së dhe liderit të tyre historik kryetarit dr. Rugova”, deklaron Saim Tahiraj.

Më tej, Tahiri thotë se LPK dhe njerëzit e saj janë përgjegjës edhe për vrasjen anëtarëve të LDK-së.

“Kur të gjitha përpjekjet e tyre dështuan turpshëm dhe nuk ju mbeti alternativë tjetër ata shfrytëzuan gjendjen e vështirë të luftës në Kosovë. Si zakonisht në histori, me përkrahjen e fuqishme të pushtetit në Tiranë, i cili drejtohej nga partia mëmë e tyre, filluan pastrimin e kokave më të rëndësishme, qofshin ato ushtarake apo politike të LDK-së dhe institucioneve që drejtonte ajo. Filluan në Tiranë me ekzekutimin ministrin kolonel Ahmet Krasniqin dhe vazhduan me një listë shumë të gjatë, ku në stilin e OZN-as vranë në prita, pabesi vetëm e vetëm për ta shkatërruar LDK-në, si mision i tyre historik”, nënvizon Tahiraj.

Për fund, ai deklaron se ashtu si në ta kaluarën, edhe tash të gjitha përpjekjet për dëmtimin dhe shkatërrimin e LDK-së do të dështojnë.

“O mjeranë të gjitha veprimet tuaja, deri ta ato më kriminale nuk patën sukses, atëherë pse nuk pushoni së vepruari dhe propaganduari kundër LDK-së? Apo gjeni i juaj i kuq pansllavist nuk ju len të qetë dhe ju shtynë në këtë rrugë të turpit dhe krimit? Duhet ta dini mirë se LDK ishte dhe është kala e fuqishme, e pamposhtur kurrë. Ndërpreni sulmet tuaja se nuk do kenë kurrë sukses, ato do dështojnë përherë si në të kaluarën”, përfundon për “Bota sot”, Saim Tahiraj, ishbashkëluftëtar i heroit të kombit, Sali Çekaj dhe veprimtar i hershëm i LDK-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat