“Nuk janë imun as Thaçi e Veseli”/ Kur do të fillojë punën ligji që sjellë tërmet në Kosovë?

Politika

“Nuk janë imun as Thaçi e Veseli”/ Kur do të fillojë punën ligji që sjellë tërmet në Kosovë?

Nga: N. Sh. Më: 11 qershor 2022 Në ora: 16:48
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ligji për konfiskimin e pasurisë do të sjellë tronditje në Kosovë.

Kështu po vlerëson ish-zëvendësminsitri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili shton se, tashmë është koha që të veprohet shpejt dhe të mos vonohet aspak miratimi i këtij ligji.

Qeveria aktuale ka ndërmarrë një hap duke miratuar Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, edhe pse ka ekzistuar një bazë ligjore për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Byroja nuk do të kursen zyrtarët publikë që mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas disa vlerësimeve të ekspertëve ligjor Projektligjit aktual për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, nuk është përgatitur në nivelin e duhur.

Byroja do të udhëhiqet nga drejtori i saj, i cili do të jetë autoriteti kompetent për vendosur inicimin e hetimeve dhe parashtrimin e propozimit për konfiskim të pasurisë.

Drejtori i kësaj Byroje do të zgjidhet vetëm me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, derisa dispozitat për shkarkimin e tij, sipas ekspertëve nuk janë specifikuar.

Ata vlerësojnë se në këtë rast Byroja objektivisht nuk mund të jetë e pavarur, prandaj mund të keqpërdoret nga partia aktuale në pushtet, por edhe në të ardhmen nga çdo koalicion qeverisës.

Por, nuk është e qartë se pse po zvarritet miratimi i ligjit në fjalë dhe kur do të mund funksionalizohet dhe sa do të respektohet, pavarësia institucionale e tij.

Për krijimin e kësaj byroje, nevojitet miratimi i ligjit për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Një ligj të tillë, Qeveria e Kosovës e ka miratuar në dhjetor të vitit 2021. Në muajin shkurt të këtij viti, ndërkaq është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Në Kuvend nuk është hedhur në votim, pasi deputetë të partive opozitare kanë kërkuar që projektligji të adresohet në Komisionin e Venecias.

Ata nuk janë pajtuar që kjo byroja të udhëhiqet vetëm nga një drejtor. Ata madje kanë shprehur shqetësimin se krijimi i byrosë është tendencë për krijim të institucioneve paralele gjyqësore.

Siç thuhet në projektligj, ai zbatohet ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë, personat e ekspozuar politikisht, anëtarët e tyre të familjes dhe palët e treta.

Projektligji përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Persona të ekspozuar politikisht nënkupton personat fizikë të huaj apo vendorë, të cilët janë ose kanë qenë të ngarkuar me funksione të larta publike.

Pasuria do t’iu verifikohet edhe anëtarëve të familjes, bashkëshortit/es, fëmijëve, prindërve, vëllezërve, motrave dhe palëve të treta.

Sipas legjislacionit, byroja ka kompetencat dhe përgjegjësitë për të zhvilluar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe parashtron propozimin për konfiskim të pasurisë në gjykatë.

Projektligji thotë se byroja udhëhiqet nga drejtori i Përgjithshëm që votohet nga Kuvendi i Kosovës me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e drejtorit bëhet në mënyrë të fshehtë. Mandati i drejtorit është pesëvjeçar.

Sipas projektligjit, për fillimin e procedurës për verifikim vendos drejtori i byrosë, dhe pastaj byroja vazhdon me mbledhjen dhe hulumtimin e dokumentacionit relevant për rastin.

Në rast se nga të dhënat e mbledhura dëshmohet mospërputhje në mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh, atëherë zyrtari i byrosë propozon dërgimin e çështjes për konfiskim në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ky propozim i dorëzohet drejtorit të Përgjithshëm, i cili më pas parashtron propozim për konfiskim.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga ky projektligj.

“Ky institucion merret vetëm me shpërputhjen në mes të ardhurave të një zyrtari dhe pasurisë që ka. Ngrihen ata flamujt e kuq, kur ka dyshime se dikush e ka pasurinë që nuk mund ta justifikojë, dhe [byroja] i thotë a mund të tregosh si e ke blerë banesën në qytetin e Durrësit [Shqipëri] ose në vende tjera bregdetare. Prandaj, ligji do të trajtojë edhe rastet kur dyshohet që një pasuri ka dalë në emër tjetër kujt”, ka thënë Haxhiu.

Image
Hajrullah Tërnava

Për këtë, Hajrullah Tërnava thotë se se ma shpejtë duhet të fillohet liftimi i krimit në përgjithësi.

“Me këtë ligj i hapet rrugë konfiskimit të të pasurisë së pajustifikueshme ku të fortit e shtetit janë pasuruar skajshmërisht duke na shitur moral patriotik dhe ligjor, derisa gjatë zgjedhjeve e kërkojnë votën nga elektorati për ta qeverisur vendin me premtime se do t’i luftojnë të gjitha të këqijat në këtë vend, e që në realitet po këta mashtrues janë vetë shkelësit më të paskrupullt të ligjeve në këtë vend”, shperhet Tërnava.

Ai thotë se, ish pushtetarët kanë bërë që me veprimet e tyre kriminale e kanë izoluar këtë shtet në tërësi nga bota demokratike, prandaj nuk është për tu habitur pse tani Kosova po gjendet në këtë situatë kaq të rëndë si shteti më i izoluar nga bota.

“Me miratimin e Ligjit dhe fillimit të luftimit të krimeve në fjalë, edhe premtimet e dhëna në zgjedhjet e fundit elektoratit se do ta luftojnë krimin në përgjithësi, elektorati do të bindet se kjo qeveri në pushtet po e mbanë fjalën e dhënë, dhe prapë në zgjedhjet e radhës do ta ketë votën në shumicë, mbase akoma më lart përtej 51% sa e fitoj në zgjedhjet e fundit. Të korruptuarit nuk po e mirëpresin miratimin e Ligjit për Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, prandaj kjo është një shenjë paralajmërimi se vërtetë me miratimin e këtij ligji do të krijohet një tërmet i madh i përmbysjes së biznesmenëve të mafio politikës”, thotë ai.

Sipas tij, miratimi i Ligjit për Konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme është paralajmëruar për dërgim të shpejtë në Kuvend nga Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

“Është për të besuar se miratimi i këtij ligji dhe ligjeve tjera në fuçi do të kontribuojnë që të zbulohen dhe zhvishen nga pasuria e plaçkitur të gjithë ata që janë pasuruar dhe kanë krijuar biznese duke abuzuar me pushtetin. Sipas Ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, me Ligjin e ri për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme nuk do të përjashtohet askush nga zyrtarët publik të të gjitha niveleve, madje as ish-krerët e UÇK-së që aktualisht po akuzohen në gjykatën e Hagës. Ajo ka thënë se verifikimi i ligjshmërisë së pasurisë së krijuar nga njerëz në institucionet publike është fare i thjeshtë dhe i realizueshëm sepse me pagat e zyrtarëve të lartë në Kosovë askush nuk ka mundur të bëhet milioner ashtu siç ka ndodhur më parë, pavarësisht faktit që disa nga ata kanë pasur paga super të majme, por që kur bëhet fjalë për investim në biznes, ajo është e pa mundur me paga të tilla, sepse duhet theksuar faktin që edhe me 1200 apo 1500 euro, qoftë të Presidentit apo Kryeministrit, nuk mund të bëhesh as milioner e as të kesh biznese”, shprehet ai.

Tërnava thekson se askush nuk do të jetë imun nga kontrollimi i pasurisë së si e kanë fituar.

“Haxhiu madje ka thënë se në Kosovë është keqpërdorur pozicioni që kanë pasur zyrtarët, kështu që askush nuk është imun nga kontrollimi i pasurisë, edhe unë, edhe ata, Thaçi e Veseli, edhe të gjithë të tjerët. Qëllimi kësaj Qeverie, është që me legjislacionin e ri t’i fuqizoj institucionet në kuptimin që ato të merren edhe me pasuritë e politikanëve të cilat nuk mund t’i justifikojnë ato mega pasuri që i kanë krijuar në karrierën e tyre politike dhe me të ardhurat e përfituara në mënyrë legale nga buxheti i shtetit. Me një luftim serioz pas miratimit te ligjit në fjalë, populli do të ishte më i lumtur dhe më i kënaqur sepse do e kupton realitetin e qeverisjes së këtij vendi, vendosmërinë për t’i luftuar të gjitha ato të këqija që janë shtresuar që nga pas lufte e deri më tani”, thotë Tërnava.

Ai në fund thekson se, është për të besuar se miratimi i këtij ligji dhe ligjeve tjera në fuqi do të kontribuojnë që të zbulohen dhe zhvishen nga pasuria e plaçkitur të gjithë ata që janë pasuruar dhe kanë krijuar biznese duke abuzuar me pushtetin.

“Sipas Ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, me Ligjin e ri për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme nuk do të përjashtohet askush nga zyrtarët publik të të gjitha niveleve, madje as ish-krerët e UÇK-së që aktualisht po akuzohen në gjykatën e Hagës”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Në Kosovë që nga viti 2018, ekziston Ligji për kompetencat e zgjeruara për të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale.

Sipas këtij ligjit, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga gjykata.

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Rreth 1.6 milion euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në vitin 2020 dhe të cilat janë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.

Vlera totale e pasurisë se administruar nga kjo agjenci, që nga themelimi i saj një dekadë më parë, është afërsisht 40 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat