Scholz “shuplakë” Serbisë/ A i mori mesazhet Vuçiqi nga kancelari gjerman?

Politika

Scholz “shuplakë” Serbisë/ A i mori mesazhet Vuçiqi nga kancelari gjerman?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 qershor 2022 Në ora: 18:06
Olaf Scholz dhe Albin Kurti

Gjermania pavarësisht se ndodhet para një presioni të madh për shkak të pushtimit rus në Ukrainë, po i kushton vëmendje maksimale Ballkanit, dhe veçanërisht pozicionit të shqiptarëve.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, këtë e dëshmoi duke zgjedhur ta vizitojë Kosovën, në një ceremoni solemne, para se të vazhdonte vizitën dyditore në vendet tjera të Ballkanit.

Zgjedhja e Kosovës për pikënisje të turit nëpër Ballkan, nga kancelari Scholz, pastaj ulja e tij përkrah presidentes Osmani, dhe vetëm në anën e kundërt të tavolinë, presidenti serb në samitin në Selanik të Greqisë, u kuptua si mesazh i qartë nga të gjitha vendet në rajon, si shenjë e respektit dhe miqësisë ndërmjet dy popujve. Gjermania e mbështet fuqishëm Kosovë, në rrugën e shtetndërtimit dhe fuqizimit të tij.

Kjo vizitë u shoqërua me një mori deklaratash, e shumë mbështetje nga Gjermania për Kosovën.

Në një konferencë të mbajtur për media, kancelari gjerman dhe kryeministri Kurti, deklaruan që kishin biseduar për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian duke theksuar mbështetjen e pakursyeshme të Gjermanisë për vendin tonë.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen nga kjo vizitë ishin mesazhet që kancelari dërgoi për Serbinë.

Kancelari gjerman rikonfirmoi se Gjermania është e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në përmirësimin e lidhjeve me Serbinë, duke përmendur se njohja reciproke ishte thelbësore për çdo vend që të anëtarësohej.

Pra, është diçka ku në fund kërkohet edhe pragmatizëm, në mënyrë që çështjet finale të zgjidhen në kuadër të dialogut. Qëllimi është edhe përafrimi me shtetet e BE-së”, tha Scholz.

Në lidhje me dialogun, kryeminstri Kurti e fajësoi shtetin serb, pasi sipas tij është Serbia ajo që po bllokon marrëveshjen për targa.

Kosova ka treguar zgjidhje kreative, por që Serbia po e bllokon marrëveshjen për targa”, theksoi Kurti.

Kujtojmë që nga kjo vizitë Kosova mori mbështetje edhe për liberalizim të vizave.

Unë e kam thënë më herët, ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me të gjithë partnerët që edhe ata të binden siç jemi bindur ne”, është shprehur për media Scholz.

Kuçi: Lliberalizimi i vizave është dashur të ndodhë që moti

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi i kontaktuar nga “Bota sot”, e konsideron sinjal pozitivë vizitën e kancelarit gjerman, duke theksuar që është i pari nga BE-ja që kërkon njohjen e Kosovën nga Serbia.

Image
Gurakuq Kuçi

Vizita e kryeministrit gjerman sikur të mos deklarohej mbi çështjen e njohjes së Serbisë ndaj Kosovës, çështjes së liberalizimit dhe perspektivave tjera do të ishte një vizitë pa kuptim. Çka i jep rëndësi shumë të madhe kësaj vizite është se kancelari gjerman bëhet i pari nga BE-ja që kërkon njohjen e Kosovës nga Serbia dhe e përmend atë si kriter. Kjo deklaratë nëse mbahet si një premtim ndërkombëtar ashtu siç duhet të mbahen premtimet është një momentum i ri politik pasi kjo e shtynë edhe vet BE-në që të ndryshoj qasje ose nëse mbetet në divergjencat e tanishme do t’i shkaktojë dëme edhe vet BE-së me çështje të tjera më të mëdha”, u shpreh ai.

Liberalizimi i vizave është dashur të ndodhë që moti dhe kjo është shndërruar në një çështje politike, shton tutje njohësi i çështjeve ndërkombëtare.

Kosova liberalizimin e vizave është dashur ta marrë që moti dhe kjo është shndërruar në një çështje politike dhe jo teknike, premtimi për çështjen e liberalizimit shpresoj të mos dalë më vonë me ndonjë kusht tjetër politik dhe të jetë një lobim i sinqertë nga Gjermania tek vendet që e kundërshtojnë këtë”, thotë Kuçi.

Ndër të tjera, ai potencon që Kosova tashmë duhet të jetë edhe më e përgjegjshme në diplomacinë e saj duke vënë në pah që kancelari gjerman i kërkoi përkushtim edhe Kosovës.

Ky momentum i ri i jep obligime edhe Kosovës që të jetë më e përgjegjshme në diplomacinë e saj, këtë premtim ndërkombëtar Kosova duhet ta shfrytëzoj në maksimum dhe përveç tjerash të shfrytëzoj edhe përparësitë si vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që i ka dhënë Kosovës të drejtë në Shpalljen e Pavarësisë, e mbi të gjitha të shfrytëzojë rreshtimet e tanishme gjeopolitike.

Deklaratat e Scholzit nuk janë pa mesazhe edhe për Kosovën”, foli Kuçi për “Bota sot”.

Mehmeti: Gjermania ia hapi dyert Kosovës për në BE

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që vizita e kancelarit gjerman dhe diskutimi i çështjes së liberalizimit të vizave do të thotë shumë.

Image
Faton Mehmeti

Ani pse, sipas analistit nuk varet tërësisht nga Gjermania, një mbështetje nga ajo do të thotë shumë për Kosovën.

Kërkesa e Kosovës për liberalizim duket se ishte tretur në sirtarët e BE-së dhe vendeve të tjera me rëndësi. Vizita e kancelarit Scholz sikur dha shpresë se liberalizimi do të ndodhë. Ndër tri çështjet kryesore që kancelari i përmendi në Prishtinë ishte edhe liberalizimi i vizave për të cilën z. Scholz u shpreh, se qytetarët e Kosovës duhet të shkojnë përpara duke aluduar se liberalizimi duhet të ndodhë. Natyrisht se nuk varet krejt nga Gjermania, gjithsesi me Gjermaninë në krah Kosova e ka më të sigurt dhe më të afërt rrugën për liberalizim”, thotë analisti.

Në fund, ai shpreson që një mbështetje e tillë të vazhdojë duke propozuar një takim tjetër të radhës për të biseduar më shumë dhe përshpejtuar këtë proces që tashmë ka një kohë që po diskutohet.

Shpresoj se do të ndodh, besoj se edhe duhet të ndodhi mbledhje e përbashkët e qeverisë së Kosovës me atë gjermane, për të paraqitur hapësirat se ku mund të investojnë kompanitë gjermane. Natyrisht se krijimi i vendeve të punës në Kosovë është me rëndësi pasi do e ndal emigrimin, mirëpo liberalizmi duhet të ndodhi, jo për të ikur të rinjtë, mirëpo për të parë botën, për të pasur mundësi më të lehta për shkollim, shkëmbim të ideve me bizneset në vendet e BE-sëetj. Nga kjo vizitë e kancelarit, Kosova ka fituar shpresë, derisa Serbia është zhytur në dhimbje”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat