Paralajmërohet ‘tmerr’ për ‘Jakat e bardha’/ Eksperti kërkon urgjentisht ‘goditjen’ përfundimtare për këta persona

Politika

Paralajmërohet ‘tmerr’ për ‘Jakat e bardha’/ Eksperti kërkon urgjentisht ‘goditjen’ përfundimtare për këta persona

Nga: N. Sh. Më: 27 qershor 2022 Në ora: 16:58
Policia e Kosovës

Kur flitet për krimin e organizuar në nivelin e lartë politik, atëherë edhe duhet theksuar se pothuasje asnjë zyrtarë i këtoj niveli nuk është dënuar, edhe përkundër akuzave që janë ngritur për vite me radhë.

Kështu që, është e domosdoshme ligji për konfiskimin e pasurisë dhe një hetim serioz në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kemi pas dhjetëra, ndoshta edhe qindra raste kur politikanë dhe zyrtarë të lartë shtetëror, edhe përkundër akuzave e ndoshta edhe fakteve, lëndët e tyre janë mbyllur pa një përfundim serioz për të akuzuarit, kurse në anën tjetër kemi raste të shumte kur qytetarët për një gjë të vogël, sikurse kemi raste për vjedhjen e pulave janë dënuar edhe me burgim.

Ky sistem i drejtësisë është akuzuar nda opozita e kaluar për vite me radhë.

Tash ish-opozita, pra Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet dhe duhet që me çdo kusht të ndryshoj dhe sistemi i drejtësisë të fillojë këndelljen nga gjumi i thellë!

Në këtë drejtim po kërkohet që të gjithë të ata që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme të dalin para drejtësisë.

Kështu që, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, është momenti i fundit që të trajtohen këto raste dhe të ndahet ‘shapi nga sheqeri’, duke shtuar që të gjithë qytetarët duhet të trajtohen të barabartë para ligjit, pavarësisht se çfarë pozicioni apo pozite ka.

Ai shton se pushtetarët dhe zyrtarët ishin të priveligjuar deri më tani nga drejtësia.

Image
Hajrullah Tërnava

“Duke i parë këto rrethana, jo rastësisht jemi në këtë gjendje tani si shteti më i izoluar në botë, dhe për këtë shtrohet pyetja se deri kur do të tolerohet mbajtja peng e së drejtës, dhe gjithë sistemit të drejtësisë, nga nëntoka kriminale e jakave të bardha, nga mbajtja peng e drejtësisë nga figurat e profilit të lartë politike që e kanë kapur sistemin e drejtësisë”, shprehet Tërnava.

Ai thotë se, sipas raporteve të publikuara në baza vjetore nga ana e KPK-së dhe KGJK-së, të analizuara nga monitoruesit e OJQ-ve nxirret konstatimi se në këtë periudhë gati 13-vjeçare që nga shpallja e pavarësisë, kemi pasur 298 aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion, ndaj pjesëtarëve të nivelit të lartë të subjekteve politike, qoftë këta kandidatë, deputetë, apo ministra, raste të cilat nuk kanë rezultuar me ndonjë dënim të serioz të shqiptuar dhe ekzekutuar por nuk kanë reflektuar as në rrafshin moral e personal.

“Për 13 vite vëzhgim dhe monitorim të sistemit të drejtësisë raportohet se vetëm tetë persona kanë dhënë dorëheqje nga pozitat publike për shkak se ndaj tyre janë ngritur aktakuza. Sipas analizës së IKD-së del se politikat ndëshkimore ndaj rasteve të tilla kanë qenë thjeshtë improvizime, sepse nga 298 aktakuza 55 prej tyre kanë qenë të profilit të lartë”, shton ai.

Sipas tij, asnjëri prej këtyre profileve, nuk e kanë mbajtur asnjë ditë burg efektiv, por zakonisht edhe kur janë shqiptuar dënimet, ato kanë qenë me kusht dhe gjoba materiale, kjo sepse edhe kur janë shqiptuar dënimet me burg efektiv në shkallën e parë, ato kanë kaluar edhe shkallën e dytë dhe gjithqysh janë rrëzuar nga Apeli.

“Gjithsesi kjo gjendje flet mjaftueshëm për nevojën e ashpërsimit të masave disciplinore dhe llogaridhënies ndaj prokurorëve që qëllimisht ngritin kallëzime të dobëta penale, me skenar të qëllimshëm pa i mbledhur dhe administruar provat e mjaftueshme, me qëllim për ta ndihmuar palën e inkriminuar, por edhe kundër gjyqtarëve të cilët qëllimisht i zbutin dënimet duke e amnistuar krimin e organizuar”, shton ai.

Prandaj, siaps tij, ky është edhe një fakt plus pse kërkohet Vettingu në Kosovë për ta hetuar dhe sprovuar gjithë sistemin e drejtësisë të ndërtuar në këto dy dekada, në të cilin është investuar edhe nga faktorët ndërkombëtar të cilët kanë ndihmuar profesionalisht por edhe materialisht, dhe ndihma e tyre është shpërfillur dhe është abuzuar.

“Pa një funksionim të barabartë të të gjitha ligjeve të Kosovës në territorin e saj, për të gjithë qytetarët e këtij vendi, nuk mund të flasim për shtetin tonë si shtet ligjor juridik dhe i barabartë me shtetet tjera të BE-së, dhe pa jetësimin e ligjeve të shtetit tonë në të gjithë territorin e vendit, që të vlejë i njëjtë për të gjithë qytetarët e vendit tonë, asnjëherë nuk mund të flasim dhe ta krahasojmë shtetin e Kosovës si shtet i barabartë juridikisht me shtetet e BE-së”, përfundon eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat