“Kosovën po e shtyejnë në zona të frikshme!”/ Ja çfarë ndikoi në vendosjen e reciprocitetit – kjo ishte ‘goditja’ e Kurtit ndaj Vuçiqit

Politika

“Kosovën po e shtyejnë në zona të frikshme!”/ Ja çfarë ndikoi në vendosjen e reciprocitetit – kjo ishte ‘goditja’ e Kurtit ndaj Vuçiqit

Nga: A.M. Më: 3 korrik 2022 Në ora: 09:09
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot".

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës miratoi udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Qeveria Kurti vendosi këtë masë reciprociteti, pasi edhe shtetasit e Kosovës i nënshtrohen procedurës së njëjtë gjatë hyrjes në Serbi.

“Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë”, deklaroi kryeministri Kurti pas vendimit për reciprocitet.

Ky vendim i qeverisë Kurti, nxiti reagime të shumta në Serbi, ku presidenti serb, Vuçiq e konsideroi si rebelim të Kryeministrit të Kosovës.

Opinionisti Dedë Preqi në një shkrim dërguar gazetës “Bota sot” ka komentuar vendimin e qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Sipas tij, Kurti me reciprocitet nuk ka qëllim të ndëshkimit të qytetarëve serbë, por në faktin e respektimit të marrëveshjeve në mes palëve në Bruksel.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

“A do të ishte një vendim i qëlluar apo i imponuar i qeverisë Kurti, që të vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, në tagra dhe dokumente, që do të thotë, për kalimin e pikave kufitare personat që kanë dokumente të Serbisë, kur hyjnë në teritorin e Kosovës, duhet të pajisen me një certifikatë që i zevendëson ato dokumente, ashtu siç e realizon edhe Serbia me një formë të tillë për qytetarët e Kosovës.

Brenda këtij qëndrimi të qeverisë Kurti, nuk ka asnjë një dyshim se vë një masë ndëshkimi ndaj qytetarëve të Serbisë dhe askujt tjetër, por një veprim i tillë qëndron në faktin e respektimit të marrëveshjeve në mes palëve në Bruksel, por edhe për faktin se edhe qytetarët e Kosovës, i nënshtrohen procedurave të tilla sa herë që hynë në Serbi”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Preqi përmendi se këto veprime po e shqetësojnë presidentin dhe qeverinë serbe, derisa qëllimi i vetëm i Kurtit është që Kosova dhe Serbia të perceptohen si shtete të barabarta.

“Vendimet e tilla të qeverisë Kurti, sikur e shqetësojnë Vuçiqin dhe qeverinë serbe, edhe pse nuk paraqesin as një lloj ndëshkimi dhe kërcënimi të qytetatëve serb, por një reciprocitet i tillë ka për qëllim të vihen në baraspeshë Kosova e Serbia, të perceptohen si dy shtete të pavarura dhe si dy vende të barabarta…”, theksoi opinionisti.

Gjithashtu, ai konsideroi se vendimet për reciprocitet nuk bien në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare, e gjithë kjo është vetëm një kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Serbisë.

“Vendimi dhe miratimi i qeverisë së Kosovës, për një reciprocitet të tillë dhe të tjerave ndaj Serbisë, nuk janë veprime që bien ndesh edhe me të drejtat ndërkombëtare, prandaj reciprociteti ndaj Serbisë, nuk është gjë tjetër, vetëm një përgjegje adekuate ndaj veprimeve të Serbisë, përmes të cilave, Kosova dhe qeveria e saj e vënë në veprim këtë masë me arsyen se, do të ishte forma më e mirë dhe më e përshtatshme e komunikimit dhe gjuhës me të cilën mund të kuptohet dhe flitet me shtetin e Serbisë.

Me faktin se, Evropa-nga një këndvështrim i veçantë- bëhët se ka plane dhe strategji tjera, për marrëveshjen në fjalë, dhe nuk i pëlqejnë format dhe normat e tilla të komunikimit dhe marrëveshjeve përmes reciprocitetit, por cila formë e saj do të lidhet me dobitë që sjelli Evropa, për të marrë vendime dhe qëndrime për të dyja palët, me ç’rast janë bërë 22 vite pas luftës, dhe Serbia, është ajo e njëjta ndaj Kosovës, e cila nuk ka ndryshuar me mentalitetin dhe politikat e Millosheviqit”, vlerësoi Preqi.

Ndër të tjera, opinionisti potencoi se kryeministri Kurti nuk u rrebelua përmes vendosjes së reciprocitetit, këtë gjë sipas tij e deklarojnë vetëm Vuçiqi dhe disa opozitarë në Kosovë.

“Prandaj, edhe këtë herë qeveria Kurti, e mori vendimin për të vendosë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, në targa dhe dokumente, jo siç po e quajnë qeveria e Vuçiqit, por edhe disa rebel të opozitës nga qeveria e vendit, duke e marrë këtë iniciativë si një rebelim i Albinit, që në realitet ky veprim do të ishte vetëm një parim i vendimeve për një masë paraprake të ndalimit të keq-qëllimeve të Serbisë, e cila nuk ka të ndalur ndaj shtetit të Kosovës, dhe përspektivës së saj.

Ky veprim nuk erdhi nga vullneti i kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij, por nga veprimet dhe imponimi i shtetit serb me udhëheqësin e Aleksandër Vuçiqit, dashje e pa dashje politikat e tilla Kosovën, po shtyejnë në zona të frikshme dhe të pa sigurta, të cilat mund të jenë edhe të rrezikshme, me ç’rast Kosova, dhe qeveria e saj, sikur detyrohet dhe duhet të ndërmerr hapa të guximshëm e nganjëherë edhe të mbiguximshëm, për t’i bërë ballë politikave të tilla hegjemoninste të Serbisë”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat