22 Vjet nga vrasja e veprimtarit Shaban Manaj, Prokuroria hesht / Gjykata speciale nuk jep detaje

Politika

22 Vjet nga vrasja e veprimtarit Shaban Manaj, Prokuroria hesht / Gjykata speciale nuk jep detaje

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 korrik 2022 Në ora: 11:08
Shaban Manaj

Sot bëhen 22 vite nga vrasja e veprimtarit të shquar të LDK-së, Shaban Manaj. Vrasja e veprimtarit mbetet ende e pazbuluar, ndërsa organet e drejtësisë pa ndonjë informacion të ri, nuk e komentojnë këtë vrasje.

Gazeta ka kontaktuar Prokurorinë nëse janë duke u marrë me këtë rast apo nëse ka informacione të reja, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje.

Po ashtu në kontakt me Gjykatën Speciale nëse janë duke hetuar këtë rast pasi ka ndodhur në periudhën kur ata do të trajtojnë krimet e rënda në Kosovë, ata janë deklaruar se nuk komentojnë hetimet e saj.

Gjykata Speciale: Nuk diskutojmë hetimet tona

“Zyra e Prokurorit të Specializuar, Prokuroria nuk i diskuton detajet e hetimeve të saja”, thonë nga Gjykata Speciale.

Ndërkaq nga familja e veprimtarit të ndjerë, djali i tij, Shkëmb Manaj thotë për ‘Bota sot’ se, derisa kjo e shumë vrasje të tjera politike nuk janë zbardhur, drejtësia në Kosovë ka dështuar tashmë të dënojnë autorët e këtyre veprave.

Manaj: Institucionet e drejtësisë kanë dështuar që t'i zbardhin vrasjet

Image
Shkëmb Manaj

“Vetë fakti se kjo dhe plotë vrasje tjera me motive politike nuk janë zbardhur, tash e mbi 22 vjet, tregon, se institucionet e drejtësisë kanë dështuar që t'i zbardhin dhe të dënojnë kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre”, thotë Manaj për ‘Bota sot’.

Ai thotë më tutje se ende presin që institucionet e drejtësisë të angazhohen më tepër për vrasjen e bashkëpunëtorit të Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Po ashtu thotë se, kjo vrasje edhe mund të trajtohet nga Gjykata Speciale, por u mbetet atyre për ta vlerësuar.

“Ne presim nga institucionet e drejtësisë që të angazhohen me seriozitet që vrasja e kryefamiljarit tonë dhe njërit nga bashkëpunëtoret e ngushtë të Presidentit Rugova, të zbardhet në plotni. Në aspektin lëndor dhe kohorë, kjo vrasje mund të hyn në trajtim dhe shqyrtim nga Gjykata Speciale, por, kjo mbetet në vlerësimin e tyre nëse do ta trajtojnë, prandaj pyetja për këtë çështje mund t'ju drejtohet atyre”, thekson djali i veprimtarit, Shkëmb Manaj.

Tërnava: Shërbimi i SHIK-ut, ka arritur t’i heshtë këto raste të vrasjeve

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava duke komentuar këtë vrasje dhe vrasjet e tjera politike, thotë se ato që një kohë të gjatë janë lënë në harresë.

“Arsyet për heshtjen e vrasjeve të këtyre veprimtarëve që u vranë gjatë dhe pasluftës, thuaja se janë të njohura, sepse shërbimi i SHIK-ut, ka arritur t’i heshtë këto raste të vrasjeve me mënyrat që i dinë ata, dhe as që është angazhuar për t’i zbardh këto raste. Sikur t’i angazhonte për zbardhjen e këtyre vrasjeve sot nuk kishte pas nevojë për gjykatën speciale në Hagë, dhe në bazë të këtyre fakteve rriten dyshimet edhe më të mëdha se vetë ishin pjesëmarrës në këto vrasje, e që me veprimet e tyre arritën që udhëheqësit e LDK-së pas vdekjes së Rugovës, t’i përafrojnë dhe i kanë bërë të ndëgjueshmit e tyre duke i komprometuar ata, dhe me kërcënime arritën t’i bëjnë për veti, asnjëri udhëheqës i LDK-së nga vdekja e Rugovës nuk i ka fituar zgjedhjet më”, thekson ai.

Sipas Tërnavës, njerëzit me kontribute të larta që nuk e kanë asnjë njollë në të kaluarën e tyre, dhe kanë shumë merita për këtë që është arritur deri më tani në Kosovën e sodit, dhe janë me karakter të fortë dhe të pastër, e që i takojnë LDK-së, bredhin rrugëve dhe nuk patën poste të larta në parti, sepse këtë vendim të tillë nga PDK-ja e kishin për detyrë ta jetësojnë prijësit e LDK-së, dhe sot ata të shumtit janë edhe të papunë.

“Të tillët nuk ishin të përshtatshëm për PDK-në, sepse kështu ua impononte partia e PDK-së, e që LDK-ja duhet me e dëgju partinë tjetër sepse në krye të kësaj partie deri para këtij udhëheqësi Abdixhikut, nuk ishin njerëz të pastër, por ishin të dëgjueshëm të PDK-së, prandaj që mos me ardh deri te keqkuptimet ose për t’mos pasur pengesa për koalicione në të ardhmen. Nga kjo kohë e deri më tani më asnjëherë nuk është dëgjuar kërkesa për zbardhjen e vrasjeve, dhe ka kaluar në harresë kërkesa për zbardhjen e shumë vrasjeve të shumë anëtarëve të devotshëm të LDK-së”, thotë Tërnava.

Eksperti i sigurisë thotë se moszbardhja e vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së, sikur në rastin konkret i Shaban Manaj është turpi i krejt Kosovës, dhe mallkimi që ndoshta është duke na ardhur për mos zbardhjen e këtij rasti makabër, se në ҫfarë mënyre është marr dhe kidnapuar dhe në mënyrën më mizore është vrarë një njeri me aq shumë merita për LDK-në dhe për të gjithë Kosovën.

“Ai ishte një ndër të rezistuesit e rrallë të mosndryshimit të Kushtetutës së Kosovës në vitin 1989, e që mori pjesë në shpalljen e Kosovës Republikë me 02.07.1990, mori pjesë në miratimin e Kushtetutës së Kaҫanikut me 07 shtator 1990, si avokat e ndihmoi popullatën në çdo pengesë juridike të asaj kohe të vështirë nga serbët pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, mori pjesë në pajtimin e gjaqeve gjithë kombëtare në Kosove të viteve të ‘90-ta, rezistoj ndaj pushtuesve serb në mënyrë permanente deri në çlirimin e vendit, dhe e përjetoi çlirimin për tu vrarë nga vrasësit gjakatar shqiptar në vitin 2000, në mënyrën më makabre, duke i shkuar te dera e shtëpisë vrasësit e duke kërkuar që t’ju ndihmojë në aspektin juridik për një rast, derisa pas zhdukjes së tij, policia nga ai moment e gjen trupin e tij të pajetë”, thekson eksperti për ‘Bota sot’.

Tërnava: Në baza të këtyre vrasjeve u krijua gjyqi special në Hagë

Sipas tij, një vepër e tillë si vrasje, e shumë të tjera si ky të vrarë, sidomos pas çlirimit, si gjatë luftës edhe pas mbarimit të luftës në vazhdimësi e deri vonë, edhe që ne si shqiptarë dhe me shtet të pavarur me të gjitha institucionet gjyqësore, prokurori, polici etj, që i kemi, e mos me u zbardh këto shumë vrasje deri më tani, është për tu dyshuar se në këto vrasje kanë gisht të mëdhenjtë e këtij shteti të atyre kohërave të vrasjeve, prandaj s’është për me u habit dhe me kërku shkakun e krijimit të gjyqit special, sepse ky numër i vrasjeve të pasluftës është i madh.

“Dhe në këtë kohë të shumë vrasjeve të shqiptarëve të pasluftës, serbet ata që bënë krime të papara, më nuk ishin në Kosovë, dhe pasluftës përpos UNMIK-ut, pushtetin e përkohshëm e kishin shqiptarët që vetë mujshin me i zbulu këto vrasje mes shqiptarëve, dhe me këtë po argumentohet se kush janë vrasësit e vërtetë të njerëzve aktivistë të LDK-së, e që në baza të këtyre vrasjeve u krijua Gjyqi Special në Hagë, e që pritet që edhe këto vrasje do t’i zbardh gjyqi në fjalë, sepse për këto vrasje ka edhe mjaft fakte dhe argumente si dhe dëshmitarë të rasteve, por për këto vrasje përgjegjesinë e barabartë tani e bartin edhe udhëheqësit e LDK-së, që pas vdekjes së Rugovës më nuk insistonin që të zbardhen vrasjet e LDK-së”, vlerëson eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat