“Merita kryesore për ndryshimet drastike në Kosovë”/ Parashikimi i zbehtë për të ardhmen e partisë Guxo

Politika

“Merita kryesore për ndryshimet drastike në Kosovë”/ Parashikimi i zbehtë për të ardhmen e partisë Guxo

Nga: P.R Më: 18 shtator 2022 Në ora: 10:40
Partia Guxo

Lista Guxo e cila ishte formuar nga Vjosa Osmani, kishte mbetur pa udhëheqës pasi kjo e fundit u zgjodh presidente e vendit. Por që nga 7 shtatori, lista e cila është shndërruar në parti politike do ketë dy kryetarë.

Me votën e rreth 400 delegatëve, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe janë zgjedhur kryetarë të përbashkët të Partisë Guxo, e cila është në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Por çfarë do t’i sjellë skenës politike partia Guxo dhe cila do të jetë e ardhmja e saj?

Lidhur më këtë, për gazetën “Bota sot” nga Guxo thonë se kjo është parti e cila i duhet Kosovës për t’a mbajtur balancin politikë mes të “mëdhenjve”. Kurse për analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike, partia Guxo nuk është që premton shumë për të ardhmen.

Koalicionet e Guxo dhe vijat e kuqe për PDK-në

Anëtari i kryesisë së Guxo, Luan Gacaferi, thotë se Guxo do ta vazhdojë koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilin thotë se është stabil pavarësisht largimit të një deputete nga partia Guxo.

Image
Luan Gacaferi

“Kjo parti ekziston nga viti 2021 dhe nuk është nga pardje! Dikur ishte listë sot është parti, por që është e njëjta në përbërje e në tërësi! Unë kam mendimin tim personal, por vendimet merren në parti për koalicionin dhe meqenëse është fjala për Vetëvendosjen, unë mendoj se ky koalicion duhet të vazhdojë edhe për një kohë të caktuar, pastaj mbetet të shihet se çka ofron e ardhmja!”, thotë Gacaferi.

Vija të kuqe, anëtari i kryesisë së Guxo i vendos vetëm Partisë Demokratike të Kosovës.

“Unë si Luan jam kundër koalicionit vetëm me PDK-në dhe nëse kjo ndodh unë do largohem menjëherë! Përndryshe më partitë tjera politike pse jo!”, shprehet Gacaferi për “Bota sot”.

Por a mund të ketë një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës?

“Kurse sa i përket koalicionit me LDK-në mendoj se jemi akoma larg dhe ndoshta në një të ardhme të largët dhe pasi të jetë pastruar mirë LDK nga kukullat e Hashimit e të Isës, pse jo! LDK nuk është armiku i Guxo, është vetëm kundërshtari politik i cili ka zgjedhur të luftojë Guxon pa asnjë arsye për mendimin tim, sepse LDK nuk e ka konkurrencë Guxo, por e ka PDK-në dhe VV-në! Sidoqoftë koha do e tregoi se Guxo është një parti e cila vërtetë i duhet Kosovës për t'a mbajtur balancin politikë mes të "mëdhenjve"”, deklaron anëtari i kryesisë së Guxo, Luan Gacaferi.

Koalicionet, mbijetesa e vetme e Guxo

Image
Gurakuç Kuçi

Kurse doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi thotë se Guxo mund të perëndojë si partia Ora, apo Nisma Socialdemokrate.

“Duke u bazuar në aktivitetet dhe rezultatet e deritanishme partia “Guxo” nuk është që premton shumë për të ardhmen. Mund të jetë madje më poshtë se sa partia “Ora” dikur apo “Nisma Socialdemokrate”. Megjithatë arsyet për këtë çështje nuk është paralelja me partitë e dështuara por ekzistenca e grupit “Guxo” ka marrë mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga krijimi i rrethanave me rrëzimin e qeverisë “Kurti 1”. Gjithashtu, ministrat e këtij subjekti nuk është që kanë treguar ndonjë rezultat që mund të theksohet dhe që do ishte një bagazh që të mund të përdorej për rritjen e partisë “Guxo””, shprehet Kuçi.

Si rrezik për Guxo, Kuçi e sheh edhe ikjen e anëtareve të saj drejt LDK-së, ku së fundi aderoi edhe deputetja Doarsa Kica Xhelili.

“Duke qenë pothuajse të gjithë të dalë nga LDK-ja, duke mos treguar rezultat që tërheq simpati popullore kjo i bënë që shumë njerëz në këtë subjekt dhe votues të tërhiqen nga përkrahja e listës Guxo. Ky subjekt politik mund të mbijetoj në formën e disa subjekteve politike të cilat qëndronin në koalicion të vazhdueshëm me PDK-në dhe LDK-në, këta mund ta bëjnë këtë potencialisht me LVV-në, mirëpo ideologjikisht nuk janë të njëjtë, edhe koalicioni i tyre i tanishëm nuk është mbi baza ideologjike”, shpjegon Kuçi.

“Çka ia humb perspektivën një subjekti të vogël politik në Kosovë, në këtë rast edhe partisë “Guxo”, është fakti se njerëzit nëpër subjekte kërkojnë shumë gjëra të marrin kur janë në pushtet, ndërsa fuqia e tyre është e vogël për të realizuar dëshirat e tyre dhe kështu largohen ata persona, e një parti për të ekzistuar kërkon njerëz dhe votues. Pra, subjekteve të tilla edhe mënyra se si bëhet politika në Kosovë, si organizohet subjekti politik dhe si merren votat ia bënë një të ardhme të vështirë”, shton më tej Kuçi.

Sipas Kuçit, padyshim që partia Guxo ka meritat kryesore për ndryshimet drastike që kanë ndodhur në skenën politike në Kosovë.

“Sidoqoftë, çdo subjekt politik duke përfshi edhe këtë parti nuk është që nuk mund të kenë të ardhme dhe kjo nuk i bënë ata subjekt të dështuar. Lista “Guxo” meritën kryesore e ka që është kontribuuese në ndryshimet drastike në klasën politike duke i dhënë fund qëndrimit të personave të njëjtë për kohë të gjatë në krye të subjekteve të ndryshme politike dhe në qeverisje”, nënvizon doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Guxo përfundon në LDK?

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti shprehet Guxo do të shkojë drejt një koalicioni me LDK-në.

“Në thelb LDK dhe Guxo janë një brum, me kalimin e kohës pritet që divergjencat të tejkalohen duke u kthyer në gjenezën e tyre. Kështu që pres së shpejti të ketë koalicion mes tyre, besoj sapo Vjosa të mbarojë mandatin e saj si presidente. Filtrimet e GUXO me Vjosën janë të përkohshme, martesa me LDK do të jetë e përjetshme”, thekson Mehmeti.

Ashtu si Kuçi, edhe Mehmeti i jep merita partisë Guxo për reformimin e skenës politike dhe LDK-së.

“Nuk duhet harruar kontributin e Guxo në reformimin e LDK, koalicioni me VV ishte i nevojshëm ngase largoi një nga politika një klasë të korruptuar, duke përfshirë edhe nga LDK. Kjo e fundit sikur u çliruar me largimin e Isën, fal kontributit të Guxo në koalicion me VV. Gjithsesi fundi i Guxo është në LDK, herët apo vonë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat