Akuzat publike/ A është ky autori i vrasjes së Ahmet Krasniqit – ja kush e orkestroi gjithë atentatin

Politika

Akuzat publike/ A është ky autori i vrasjes së Ahmet Krasniqit – ja kush e orkestroi gjithë atentatin

Nga: P.R Më: 21 shtator 2022 Në ora: 12:13
Ahmet Krasniqi

Sot janë mbushur 24 vite që nga vrasja e Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqit, i cili u vra nga dora tradhtare më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë. E kur kanë kaluar 24 vite që nga vrasja e tij, vrasësit ende nuk janë zbuluar.

Pavarësisht se ka pasur deklarata publike dhe akuza me emra për autorët e vrasjes, për 24 vite, drejtësia në Kosovë nuk e ka arrestuar asnjë person të dyshuar e as të akuzuar. E dështimi i drejtësisë vendore, ka nxitur shpresën se Gjykata speciale do t’i jap fund enigmës së vrasjes së kolonelit.

Edhe publikisht, i akuzuari kryesor nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha për vrasjen e Ahmet Krasniqit është ish-kreu i Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë, Fatos Klosi.

Përgjegjës kryesor, Fatos Klosi dhe Kudusi Lame

Image
Skënder Zogaj

Se Fatos Klosi është përgjegjës për vrasjen e kolonel Krasniqit, e thotë edhe Skënder Zogaj, ish-bashkëpunëtori i afërt i Ahmet Krasniqit.

“Vrasësve të kolonelit Ahmet Krasniqi, qe 24 vjet u ka shkuar mjaft mirë kungulli mbi ujë, sepse qe 24 vite nuk u zbuluan! Dhe mos zbulimi është argumenti që i tregon se kush janë vrasësit, sepse, Ahmet Krasniqi është vra në mes të Tiranës, në një atentat të paralajmëruar nga policia e shtetit, që disa herë ka bastisur objektin e FARK-ut, i ka çarmatosur rojat e Shtabit dhe të objektit të punës së ministrit Krasniqi, i cili po ashtu është ndaluar dhe iu ka marrë arma personale, që atentatorëve t'u lehtësohet puna dhe ta kryejnë vrasjen e planifikuar! Këto veprime i kanë bërë zyrtarisht në bashkëpunim strukturat policore dhe ushtarake të Tiranës: kryeagjenti Fatos Klosi dhe ushtaraku Kudusi Lame, prandaj, veprimet e tyre të dëshmuara janë fakte që tregojnë se këta dy zyrtarë shtetëror janë krye-orkestruesit e atentatit”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Sipas tij, zyrtarisht nga organet e rëndit në Tiranë janë penguar hetimet për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Duke qenë kështu puna, gjithçka është spekuluar me lehtësi, sepse gjithçka është mbuluar zyrtarisht: janë strehuar dorasit, janë penguar hetimet, janë kërcënuar dhe janë shantazhuar pjesëmarrësit e implikuar në atentat, por që kanë qenë të pafajshëm, siç ishin policët, të cilët afër hotelit “Tirana”, e kanë vërtetuar se ishte koloneli Krasniqi, e kanë lejuar ecjen e veturës në të cilën ka qenë Koloneli, por i kanë ndaluar veturat shoqëruese me oficerët madhor të FARK-ut, që janë mbajtur të ndaluar derisa është kryer atentati! Çfarë dëshmie duhet tjetër për ta kuptuar se, policia në natën e vrasjes ka qenë e mobilizuar në mbështetjen e atentatorëve”, shprehet Zogaj.

Më tej, ai thotë se dosjet vazhdojnë të mbeten të mbyllura nga Tirana zyrtare, pasi zbulimi i vrasjes së Ahmet Krasniqit, do t’i ndriçonte bosët e krimit të Tiranës dhe argatët e tyre në Prishtinë.

“Kjo punë nuk ka mundur të bëhet pa kryeagjentin Fatos Klosi dhe kryepolicin e Tiranës, Mit'hat Havari, të cilët hiq më pak se pas një muaji i kanë ndërprerë hetimet dhe atëherë e sot Tirana i mbanë dosjet e mbyllura, sepse, zbardhja e kësaj vrasjeje do të ndriçonte edhe bosët e krimit të Tiranës dhe argatët e tyre në Prishtinë, të cilët do të duhej të shkonin prapa grilave. Por, kjo nuk ka ndodhur sepse strukturat kriminale duke qenë në pushtet e kanë penguar zbardhjen e vrasjeve, jo vetëm të kolonelit Ahmet Krasniqi, por edhe të shumë të tjerëve, që një çerek shekulli mbahen në pengun e strukturave të krimit dhe korrupsionit të organizuar! Por, e vërteta nuk mund të mbahet përjetësisht e mbyllur! Them se, janë çastet e fundit kur, vrasjet politike do të zbardhen dhe kriminelët do të marrin hakun e merituar, që më në fund Kosova dhe Shqipëria t'i kthehet jetës dhe përparimit të merituar! Edhe pse i vdekur, Ahmet Krasniqi është më i gjallë dhe më i fortë se vrasësit e tij”, deklaron Skënder Zogaj, ish-bashkëpunëtor i afërt i Ahmet Krasniqit.

Feriz Kërnaja, a ishte dorasi i vrasjes së Ahmet Krasniqit

Image
Arbër Gashi

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Arbër Gashi beson se Feriz Kërnaja, ishte i përfshirë në vrasje.

“Dorasi i Ahmet Krasniqit është Feriz Kërnaja dhe kjo nuk mund të hidhet poshtë nga askush, e veçanërisht jo nga strukturat kriminale të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilat, asokohe, i organizuan dhe realizuan vrasjet e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit. Synimi i tyre ishte që përmes këtyre vrasjeve të krijonin kushte dhe rrethana të daljes në skenë të një lëvizje që i saboton përpjekjet e institucioneve për një shtet shqiptar të Kosovës, të inkuadruar në Evropë dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të”, shprehet Gashi.

“Këto plane të Partive Socialiste të Shqipërisë e Serbisë nuk u realizuan plotësisht, vetëm falë ndërhyrjes ndërkombëtare, përndryshe dëmet që ia shkaktuan vendit i shohim edhe sot. Kosovën e pas vitit ‘99 e konsideruan dhe e trajtuan si plaçkë, kurse kundërshtarët politikë si shënjestër për të cilën nuk jep askush llogari. Jemi dhe vazhdojmë të jemi me fat që prezenca ndërkombëtare te ne është e fortë dhe vazhdon ta gëzojë mbështetjen e masës së gjerë popullore, sepse ata që na kanë vra dje, nuk pritet të të ledhatojnë e nderojnë sot”, deklaron Arbër Gashi për “Bota sot”.

Arsyet pse u vra Ahmet Krasniqi

E Sefedin Krasniqi, bashkëpunëtor i ngushtë i Ahmet Krasniqit, tregon arsyet që çuan në vrasjen Ministrit të parë të Mbrojtjes së Kosovës.

Image
Sefedin Krasniqi

“Mendoj që deri te vrasja ka ardhur për shumë arsye, por do të fokusohem në tri prej tyre: - pas ofensivës së forcave serbe në gusht të 1998, komandantët e UÇK-së me shpejtësi u spostuan në Shqipëri. UÇK, pothuajse, u dëmtua tepër. Komandantët dhe SHP i vendosur në Tiranë u frikësuan se nëse humbet lufta do të trajtohen tradhtarë. - Mungesa e parave për ta riorganizuar UÇK-në. - bashkëveprimi i Ahmet Krasniqit me Azem Hajdarin në blerjen e armëve jashtë kanalit që Qeveria shqiptare e kontrollonte nëpërmes Haklajve”, thekson Krasniqi.

Ashtu si Gashi, edhe Krasniqi e përmend Feriz Kërnajën si autor i vrasjes së Ahmet Krasniqit.

“Në këto rrethana, sipas një dëshmie në “Koha Vizion”, të ish ministrit të informatave të Qeverisë Bukoshi, drejtuar nga Agron Bajrami, ai pohon që vrasjen e ka kryer Feriz Kërrnaja, të cilin SHIK i Klosit e ka ekzekutuar një vit më vonë me bombë teledirigjuese. Në qarqe tjera thuhet se ekzekutimin e ka paguar A. S. 250000 $. Një konfirmim të ngjashëm e ka thënë edhe ish-truproja e Berishës, që tash është në burg, kur ka thënë se “Ahmet Krasniqin e ka vra i njëjti grup që e ka vra Azem Hajdarin””, nënvizon Krasniqi.

Më tej, Krasniqi shton se Gjykata Speciale duhet ta trajtojë dhe zbulojë vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Në bazë të mandatit që ka, Gjykata e Hagës duhet ta trajtojë edhe vrasjen e Ahmet Krasniqit. Por, dëshminë e vet do të duhej ta deponojë Hilmi Nebihi, shef i SHIU-t (Shërbimi Informativ i Ushtrisë) të FARK-ut dhe ndihmësi i tij Ismet Ibrahimi, sidomos Fatos Klosi, i cili në një intervistë ka pohuar se “përveç shumë të interesuarve, për vrasjen e Ahmetit ishte i interesuar edhe një vend tjetër”. Shtrohet pyetja cili vend? Serbia, Rusia, Franca, etj.”, shprehet Krasniqi.

Për fund, Krasniqi deklaron se pa hapjen e arkivave dhe dëshmive, kot Parlamenti Shqiptar voton rezoluta për t’i dërguar në Këshillin e Evropës.

“Vrasja e gazetarit, Ali Uka, ministrit Ahmet Krasniqit, luftëtarit Ilir Konushevcit dhe mjekut Hazir Mala, janë faqja e zezë e Qeverisë së asaj kohe të Shqipërisë dhe turpi që s’do të pastrohet kurrë, së paku pa u gjetur organizatorët dhe vrasësit. Pa hapjen e arkivave dhe dëshmive, kot Parlamenti Shqiptar voton rezoluta për t’i dërguar në Këshillin e Evropës. Edi Rama s’ia pastron fytyrën shtetit shqiptar as institucioneve të saj më leckat e përgjakura të vrasjeve të cekura”, përfundon bashkëpunëtori i Ahmet Krasniqit, Sefedin Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat