“Brigada e Veriut”, paralajmëroi rezistencë të armatosur / KFOR-i, EULEX-i e Policia janë të paprekshëm

Politika

“Brigada e Veriut”, paralajmëroi rezistencë të armatosur / KFOR-i, EULEX-i e Policia janë të paprekshëm

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 nëntor 2022 Në ora: 09:07
Ilustrim

Policia e Kosovës tashmë ka njoftuar se duke filluar nga nesër data 22 nëntor e këtij viti e deri më 21 janar të vitit 2023, do të ketë gjoba 150 euro për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës, me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Në fakt sipas vendimit të Qeverisë ndëshkimi do të duhej të fillonte sot, por është shtyrë vendimi për 24 orë, për shkak të takimit të sotëm Kurti-Vuçiq në Bruksel.

Ndërsa, rezistencë në fazën e dytë përveç kërcënimeve të ndryshme nga serbët, në formë të organizuar ushtarake këtë e ka marrë përsipër me paralajmërim e ashtuquajtura “Brigada e veriut”, duke rrezikuar rendin kushtetues dhe ligjor në Kosovë.

Shkronjat me ngjyrë të kuqe, blu dhe të bardhë (që e simbolizon ngjyrën e flamurit serb) janë të dukshme pranë monumentit të Princit Llazar, në pjesën e sipërme të shëtitores kryesore dhe një pjesë të rrugës kryesore në veri të Mitrovicës.

Faqja e cila ka qenë joaktive në postimet e saj që nga fillimi i shtatorit “Jo dorëzim, KM mbetet” , ka publikuar grafite të reja.

Herën e fundit që grafiti për brigadën u vulos në mes ishte në fund të gushtit “Mos u shqetëso, ne jemi këtu – Brigada Veriore” dhe “NATO GO HOME”, “Kjo është Serbia” dhe “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”.

Veprime të sinkronizuara me presidentin e Serbisë

Duke folur rreth kërcënimeve të Serbisë dhe përfaqësimit që ka e ashtuquajtura “Brigadë”, ekspertët e sigurisë thonë për “Bota sot”, se prapa tyre qëndrojnë strukturat e krimit në veri të dirigjuara nga institucionet e sigurisë së Serbisë dhe vet presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Gjersa, shtojnë se deri për të martën do të ketë një konsensus në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas takimit që do mbahet sot, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel në ndërmjetësim nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

Image
Avni Islami

Njohësi i sigurisë në vend, Avni Islami, thotë për “Bota sot”, se kërcënimet janë nga emra të kamufluar, sepse prapa tyre qëndrojnë strukturat e krimit të organizuar në veriun e Kosovës, të cilat i kanë të sinkronizuara veprimet me presidentin e Serbisë.

Ai ka theksuar se nuk mund të ketë trazira apo pakënaqësi të mëdha që do të çojnë në rrezikimin e rendit dhe ligjit të Kosovës.

“Kërcënimet që janë bërë nga ana e formacioneve të ndryshme të vetëquajtura “Brigada e veriut” dhe disa kërcënime të tjera, janë vetëm emra të kamufluar, sepse prapa tyre qëndrojnë strukturat e krimit të organizuar në veriun e Kosovës, të cilat i kanë të sinkronizuara, të bashkëmenduara të gjitha veprimet me presidentin e Serbisë. Pra, duke pasur parasysh që në veri të Kosovës, janë të stacionuara forcat e KFOR-it, pra derivatet e Aleancës Atlantike, pastaj, njësitë e EULEX-it dhe njësitë e Policisë së Kosovës, pra forcat operacionale të rendit, nuk mund të ketë trazira apo pakënaqësi të mëdha që do të çojnë në rrezikimin e rendit dhe ligjit të Kosovës”, ka deklaruar Islami.

Ai nuk pret destabilizim të situatës apo përshkallëzim, sepse sipas tij, nuk do të lejojnë policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

“Pavarësisht kërcënimeve të serbëve, unë nuk pres destabilizim të situatës, apo përshkallëzim të situatës në veri për shkak se Policia e Kosovës së bashku me EULEX-in që është hallka e dytë dhe KFOR-i kanë bërë përgatitjet që të mos lejojnë të bëhet diçka në veriun e Kosovës”, pohoi Islami.

Sipas tij, do të ketë një marrëveshje deri më datën 22 nëntor.

Ai ka kërkuar shtyrjen e afatit për targa, duke thënë se është e ditur që ato targa nuk do të duhej të përdoren, por kur janë përdorur qe 20 vite, mund të lihen edhe pak që mos të jenë shkak targat që të destabilizohet ajo pjesë e veriut.

“Besoj se deri më datën 22 do të arrihet diçka konsensuale në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe presidentit Vuçiq, sepse thirrjet e ndërkombëtarëve dhe sidomos të Amerikës, thirrjet jo ultimatum, por thirrje dashamirëse për Qeverinë e Kosovës, sepse është mirë që të shtyhet data e realizimit të gjobave në mënyrë që të mos përshkallëzohet situata, sepse kemi të bëjmë me bisedimet finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe besoj që pjesa e targave nuk do të duhej të ishte një target që të bëhej ndonjë hap që nuk do të ishte e nevojshme, pra të fokusohemi në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Fatkeqësisht dihet që në territorin e Kosovës nuk do të duhej të kishte targa të tilla, por ka qe 20 vite që janë ato, pse nuk të lihen edhe pak që ato të mos jenë shkak që të destabilizohet ajo pjesë e veriut”, thotë Islami.

Të gjitha gjasat janë se do të shtyhet afati për targat

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se afati i ndryshimit të targave u kërkua për shtyrje për 10 muaj, por pa garanci.

Andaj, sipas tij, afati 10 muajsh për përfaqësuesit e Kosovës ishte një afat i gjatë dhe jo i sigurtë.

“Situata e tanishme në veri të Kosovës, në këto rrethana kur ende që nga çlirimi e deri më tani ajo pjesë që është e banuar nga serbët, në veturat e tyre i bartin targat me regjistrime të kohës së ish- Jugosllavisë si për shembull PR, KM, PE, DJ etj., edhe që nga shpallja e Pavarësisë në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saja, janë të përcaktuara se automjetet duhen të jenë të regjistruara në targa të RKS në tërë territorin e saj. Prandaj në këto kohë kur po ndërmjetësohen bisedimet nga ndërkombëtarët, janë përcaktuar disa faza për implementimin e këtyre targave të veturave, e që ishte se në javët e para do të ndodhin qortime nga ana e policisë të Kosovës, ndaj drejtuesve të veturave nëse nuk i kanë të regjistruara në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, kurse nga 22.11.22 që do të thotë nga nesër gjobiten me para të gjithë kush nuk i kanë ndërrua targat e veturave, prandaj të gjitha këto masa tani janë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës”.

Ai thotë se për shtyrjen e afatit për targat ilegale duhet që të garantojnë ndërkombëtarët, se serbët do të respektojnë më pas marrëveshjet.

“Faktori ndërkombëtar po insiston që afati i targave të shtyhet për 10 muaj, e që me këtë qëndrim duhet të pajtohen edhe Serbia dhe Kosova, e që për këtë qëndrim duhet të garantojnë edhe ndërkombëtarët, si dhe t’i përmbahen këtij afati edhe serbët, e jo si deri më tani që sa shume vite mbas çlirimit veturat i regjistrojnë me targa inekzistente sikur e cekëm”, pohon Tërnava.

Sipas tij, nëse Kurti merr garancion që pas 10 muajve të gjitha targat e veturave do të regjistrohen me RKS, ka gjasa të shtyhet afati.

“Edhe që “Brigada e Veriut” ka kërcënuar me rezistencë kur fillon faza e dytë e implementimit të targave, e që është afati i fundit nesër, nuk presim ndonjë zhvillim negativ pasi kryeministri Kurti është në bisedime me kryetarin e Serbisë Vuçiq dhe përfaqësuesit ndërkombëtar në Bruksel. Dhe nëse arrihet konfirmimi-garancioni se mbas 10 muajve targat e veturave do të regjistrohen me RKS, të gjitha gjasat janë se do të shtyhet ky afat deri atëherë për 10 muaj, prandaj nuk do të ketë shkak që të prishet rendi dhe ligji në Kosovë, por sikur të mos arrihet një marrëveshje e tillë, duhet të vazhdohet me atë që ndërrimin e targave sipas qeverisë, që të jetësohet qëndrimi i dënimeve me gjoba për të gjithë drejtuesit e veturave që nuk i kanë ndryshuar targat. Prandaj kush nuk iu përmbahet ligjeve në Kosovë, duhet që shkelësit e ligjeve të përgjigjen para drejtësisë, me gjoba të parapara sipas ligjit, edhe në qofte se mund të ketë nesër raste të tilla të padëgjueshmërisë. Megjithatë të gjitha gjasat janë që sot do të arrihet marrëveshje rreth këtyre targave, dhe vendimi për targat ilegale do të shtyhet për një kohë deri në 10 muaj, dhe nga nesër pritet që gjithçka kur janë në pyetje targat, t’i kthehet normalitetit të përditshëm”, përfundon Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat