“48 Orët janë ultimatum” / Kush do të dorëzohet para tij!?

Politika

“48 Orët janë ultimatum” / Kush do të dorëzohet para tij!?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 nëntor 2022 Në ora: 15:31
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Takimi mes Kosovës dhe Serbisë u mbajt të hënën, para dy ditësh. Takim, i cili zgjati rreth 8 orë me ndërmjetësimin e BE-së, nuk dha asnjë rezultat.

Kryeministri Alibn Kurti si e shpjegoi sot, nuk kishte pranuar që të garantonte themelimin e Asociacionit, dhe njëkohësisht Serbia, kishte anashkaluar tetë propozimet.

“Shtatorin e vitit 2021 e patë kur u patën grumbulluar forcat serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe atje shkoi edhe ambasadori rus. Gjashtë muaj është negociouar mes ekipeve tona ku kanë shkuar ekspertët dhe njohësit e çështjeve dhe kanë ardhur në një përfundim se tetë modele janë të mundshme dhe është kërkuar nga palët modelin e preferuar dhe nëse asnjë i përbashkët s’do të ishte zgjedhur nga palët natyrisht se do të vazhdonin negociatat. Ne i kemi preferuar tri modele, derisa pesë i kemi konsideruar të papranueshme. Por, Serbia i ka konsideruar të gjitha të papranueshme”, ka thënë Kurti.

Por, shtyrja prej 48 orëve e vendimit për ndalimin e targave ilegale, skadon sonte pas mesnate, përkatësisht nga mëngjesi i nesërm.

Shtyrja u bë në mesnatë me kërkesë të ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi që për 48 orë të shtyjë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës.

Faza e dytë ka paraparë shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla, e cila vjen pas fazës së parë, asaj të qortimit.

Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka konfirmuar një takim për sot ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë Petar Petkoviç, në Bruksel.

“Fatkeqësisht, ai takim nuk solli asnjë rezultat. Bashkimi Europian përsërit dhe rikujton, se ne presim një sjellje europiane nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje europiane lidhur me rrugëdaljen nga situata aktuale që është një situatë krize, kriza më e keqe që ne kemi parë së fundmi në marrëdhëniet midis dy palëve”.

Mehazi: Vuçiqi ose të dorëzohet para vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe, ose ta pranonte luftën

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se me këtë veprim Kurti ka hedhur topin te Serbia, sepse e ka vendosur Vuçiqin para dy opsioneve, ose të dorëzohet para vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe, ose të pranonte luftën.

“Shtyrja 48 orëshe e zbatimit të fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe nga ana e kryeministrit të Kosovës Kurtit në bashkëpunim dhe bashkëveprim me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, e ka kuptimin e ultimatumit 48 orësh. Shtyrja 48 orëshe shkencërisht, politikisht e teoritikisht e ka kuptimin e ultimatumeve, me këtë ultimatum dyditorë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, topin e lojës politike ia ka hedhur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, që gjatë kësaj kohe të shkurtër të zgjedh njërën prej dy opsioneve: ose të dorëzohet para vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe, ose të pranonte luftën”, deklaron profesori.

Image
Profesori Sulejman Mehazi 

Tutje, shton se diplomatët e BE-së, SHBA-së, NATO-s do vërsulen në Beograd te Vuçiqi për t'u dorëzuar e pajtuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Majde, Mehazi nënvizon se ky ultimatum do të jetë sprovë e madhe për Vuçiqin.

“Nuk mendojmë se gjatë këtyre 48 orëve do të ketë ndonjë takim në mes palëve kosovare-serbe në Bruksel, shtyrja 48 orëshe amerikane-kosovare do të jetë e rëndë për Serbinë për shkak se diplomatët e BE-së, SHBA-së, NATO-s do të vërsulen në Beograd te Vuçiqi për t'u dorëzuar e pajtuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e targave ilegale serbe në Kosovë. Themi kështu për shkak se ky ultimatum 48 orësh është sa diplomatik, po aq edhe kërcënuese jo vetëm për Serbinë, por edhe për BE-në e Borrelit, sepse është marrëveshje serioze 48 orëshe binomëshe, SHBA-Kosovë, e jo nga Serbia, BE-ja e Rusia.

Ultimatumi 48 orëshe i Albin Kurtit do të jetë sprovë e madhe për Vuçiqin, që mund të jetë tronditje e karrierës politike për Vuçiqin dhe klikën e tij millosheviqiane”, përfundon ai.

Mulliqi: Paqen në veri të Kosovës, dhe në rajon janë duke e kërcënuar Putini dhe Vuçiqi

Analisti Skënder Mulliqi thotë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësuesit Borrell e Lajçak po e mbajnë anën e Serbisë, kështu të paktën po tregohen me deklarata e veprime.

“Takimi i fundit në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, edhe një herë tjetër shpërfaqi njëanshmërinë e strukturës të BE-së në zhvillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Spanjolli Borell dhe sllovaku Lajçak po tregohen të njëanshëm me deklarata dhe me veprime, duke ia mbajtur krahun Serbisë. Gjithmonë palës së Kosovës iu bë trysni për tema të caktuara nga BE-ja, e shumë pak presion i bëri Serbisë. Duhet theksuar edhe atë, se bisedimet e Kosovës në Bruksel, Vjenë e vende të tjera, për shumë vite i udhëhoqi jo mirë së pari Grupi i Unitetit, e pastaj edhe më dobët këtë punë e bënë, Thaçi dhe Mustafa, të cilët me marrëveshjet e firmosura shumë e dëmtuan Kosovën në këto bisedime për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë siç po thuhet. Firmosja e Asociacionit me kompetenca ekzekutive ishte gjëja më e rëndë e pas luftës për Kosovën. E pakalueshme është tema e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sepse edhe krejt tehu i bisedimeve dhe apetiteve serbe po bëhen, për implementim të marrëveshjes të vitit 2013 dhe 2015, duke mos u marr parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e konteston atë në 23 nene”, thotë ai. 

Image
Analisti Skënder Mulliqi

Sipas tij, të gjitha veprimet që po i bën Serbia, që nga kërcënimi me luftë, e kanë synimin e ndarjes së veriut të Mitrovicës.

“Serbia e shovinistit Vuçiq pareshtur është duke na kërcënuar me luftë në kufi dhe në brendi të Kosovës, ku i ka instrumentalizuar strukturat kriminale paralele serbe. Edhe largimi i Listës Serbe nga institucionet tona, ka për qëllim që përmes bojkotit, kërcënimeve e shantazhit, të arrijë synimin për ndarjen e veriut të Mitrovicës nga jugu. Sikur ky largim dhe ky presion i Vuçiqit me shërbimet sekrete dhe strukturat paralele, ka ndikuar jo fort për të mirë edhe te faktori ndërkombëtarë, i cili për përshkallëzim të mundshëm të situatës në veri më shumë po e fajëson palën e Kosovës, se nuk po e shtyn afatin për targa të Millosheviçit”, thekson edhe njëherë analisti.

Kurse, për takimin që u mbajt dje, Mulliqi thotë se Kurti ishte në të drejtën e shtetit të Kosovës, derisa Borrell e fajësoi Kurtin dhe e lavdëroi Vuçiqin.

Ai thekson, se në këtë mes po shihet që BE-ja është inerte dhe duket se pa SHBA-të nuk do të ketë marrëveshje finale.

“Në takimin e fundit në Bruksel, kryeministri i Kosovës natyrisht se nuk i pranoi kushtet në dëm të vendit nga proserbi, Borell. Kurti në këtë takim kërkoi që krahas kësaj të zhvillohet dialogu për normalizim të marrëdhënieve, e jo të shkohet ndarazi, gjë që nuk u pranua nga Borelli, i cili edhe pas takimit maratonik prej tetë orësh, e fajësoi Kurtin dhe e lavdëroi Vuçiqin, e cili në vitin 2015 kishte firmosur marrëveshjen për targat, dhe asnjëherë nuk e zbatoi në praktikë Serbia, këtë marrëveshje dhe 36 marrëveshje të tjera që u firmosën gjatë këtyre viteve. Takimi i dështuar i Brukselit me fajin e BE-së, hyn në vazhdën e takimeve të dështuara politike të kësaj strukture evropiane, për të gjetur një zgjidhje të favorshme të bisedimeve. Natyrisht se Serbia u nda e kënaqur nga ky takim, se paralelisht vuri në funksion kërcënimin përmes tensionimit të situatës për eskalim në veri, dhe e barti këtë politikë grabitqare të rrugës edhe në Bruksel, çka edhe për momentin i piu ujë Vuçiqit. 

Po shihet qartazi së struktura e BE-së është inerte, dhe pa SHBA-të nuk do të këtë marrëveshje finale të bisedimeve. Kryeministri Kurti duhet të konsultohet për çdo gjë me Amerikën mike, edhe kur bëhet fjalë për targat që e shtyu afatin e vënies së gjobës edhe për dy ditë. Nëse Amerika kërkon që ky afat të vazhdohet, të shtyhet, mendoj, se duhet të dëgjohet fjala e tyre. Asnjë shtet sado i madh, nuk ka mundësi të ekzistojë pa miq, e jo më Kosova miniaturale. Paqen në veri të Kosovës, dhe në rajon janë duke e kërcënuar Putini dhe Vuçiqi, të cilët edhe kanë dërguar si shtesë mercenarë rus në veri. Në fund të themi se nëse lejohet implementimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive, do të ishte fundi i shtetësisë të Kosovës”, përfundoi analisti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat