E tha edhe Kurti/ Paralajmëron eksperti i sigurisë: Ja kur arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi

Politika

E tha edhe Kurti/ Paralajmëron eksperti i sigurisë: Ja kur arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi

Nga: Petrit Rudi Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 20:47
Olaf Scholz, Albin Kurti, Emmanuel Macron dhe Aleksander Vuçiq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet para pranverës 2023.

“Jemi pajtuar që të mos e zbatojmë vendimin tonë për të penalizuar drejtuesit e makinave me tabela ilegale serbe, ndërsa Serbia është pajtuar që të mos lëshojë më tabela të trashëguara nga regjimi i Millosheviqit. E bëmë këtë vetëm që ta deeskalojmë situatën, por edhe të krijojmë mundësi për të nisur shpejt negociatat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto negociata duhet të përfundojnë para pranverës së vitit 2023. Ky ishte qëllimi i vërtetë i këtij kompromisi”, u shpreh kryeministri Kurti për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Se objektivi është që marrëveshja të arrihet në vitin 2023, e thotë edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

“Objektivi ndërkombëtar është që marrëveshja finale në mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet brenda afatit me optimal Mars-Prill 2023 dhe kështu të jetësohet plani amerikan me emërtimin franko-gjerman”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, që nga qershori i këtij viti, Kurti e ka në duar propozimin franko-gjerman.

“Kosova që nga muaj qershor 2022 ka pasur në duart e saj propozimin të sponzorizuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe ku Kryeministri Kurti patë pranuar në shtator 2022 për të vazhduar formalitetet brenda kornizës së BE-së për një marrëveshje finale. Kosova ka obligim shtetëror që të zbatojë ASK-në e cila ka bazën në planin Ahtisari që të mundësohet bashkëpunimi brenda sistemit të nivelit lokal administrativ, si dhe marrëveshjes ndërkombëtare të Brukselit”, deklaron Shala.

Por çfarë përfiton Kosova në rast të arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë në vitin 2023?

“Në aspektin ndërkombëtar Kosova fiton statusin e një shteti që respekton/zbaton dhe aplikon normat ndërkombëtare, që bazamentin e ka në forcimin e sistemit juridik të kushtetutshmërisë. Me përmbylljen e këtij procesi, Kosova fiton rrugën drejtë mekanizmave ndërkombëtar, siç është Bashkimi Evropian dhe NATO, si dhe OKB”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat