Ekskluzive: Eurodeputeti gjerman tregohet i ashpër me Vuçiqin: Fillo e përgatite popullatën për hapat e ardhshëm!

Politika

Ekskluzive: Eurodeputeti gjerman tregohet i ashpër me Vuçiqin: Fillo e përgatite popullatën për hapat e ardhshëm!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 dhjetor 2022 Në ora: 11:57
Romeo Franz

Serbia, jo rrallë herë po e kërcënon Kosovën me luftë derisa po armatoset me armë të reja, ndërsa nga ana tjetër po kërkon “paqe” me Kosovën në tryezën e Brukselit, përmes ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian.

Këtë qasje të Serbisë, e ka kritikuar ashpër deputeti i Parlamentit Evropian, Romeo Franz, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”.

I ngarkuari për marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq, se po bën politikë “me dy karrige”. Sipas tij, vetëm arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes të dyja vendeve me njohjen reciproke, është thelbësore.

“Serbia dhe presidenti Vuçiq janë ende duke ndjekur qasjen e tij për një "politikë me dy karrige" midis presidentit rus dhe Bashkimit Evropian. Nuk e di se cili është qëllimi i Presidentit Vuçiq, por e di, se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, bazuar në njohjen reciproke, është thelbësore që të dyja vendet të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, ka deklaruar eurodeputeti i të Gjelbërve.

Ai ka kërkuar nga Vuçiq që t’i jap fund politikës së tij me “dy karrige”, për një përparim në të ardhmen e afërt.

“Për presidentin Vuçiq është pra koha e fundit që t'i japë fund politikës së tij me dy karrige dhe të fillojë të përgatisë popullatën e tij për hapat e ardhshëm. Popullsia duhet të përgatitet nga të dyja anët dhe shpresoj të shoh një përparim në të ardhmen e afërt”, ka theksuar Romeo Franz për “Bota sot”.

Vuçiq ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e quajtur “llum terrorist”, pas emërimit të Nenad Rashiqit, si ministër për Komunitetet në qeverinë e tij./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat