Sulmet në Veri/ Plani i Aleksandër Vuçiqit për një konflikt të ri – ky është skenari

Politika

Sulmet në Veri/ Plani i Aleksandër Vuçiqit për një konflikt të ri – ky është skenari

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 7 dhjetor 2022 Në ora: 21:12
Spas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sulmet në veri dirigjohen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq

Gjatë ditës së djeshme, veriu i Kosovës u ballafaqua me sulme të ndryshme me bomba, sulme këto që autor sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë ish pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, të cilët dhanë dorëheqje së fundi.

"Tashmë kemi edhe të dhënat e para të mbledhura nga tereni, qoftë nga polica e rendit, qoftë nga inteligjencia, e cila na thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vinë nga radhët e ish pjesëtarëve të Policisë së Kosovës...Policia e Kosovës është duke bërë hetime intensive në bashkëpunim me prokurorinë speciale, tashmë siç e thash kemi edhe informacionet e para të cilat janë duke u verifikuar përmes më shumë se një kanali, janë duke u mbledhur dëshmitë, qoftë filmimet, qoftë dëshmitarët okular për këto aktivitete dhe për këta persona të cilët kanë qenë pjesë e kësaj veprimtarie terroriste. Sipas disa informatave që ne i kemi, disa nga pjesëtarët e këtyre grupeve janë ish pjesëtar të Policisë së Kosovës, nuk po them të gjithë, disa vinë nga ish zyrtarët policor të Policisë së Kosovës të cilët kanë dhënë dorëheqje kohën e fundit", tha ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Kurse sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sulmet në veri dirigjohen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Image
Gurakuç Kuçi

E doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, thotë se shpërthimet në veri të vendit synojnë që të pengojnë zgjedhjet që priten të organizohen në komunat me shumicë serbe.

“Shpërthimet në veri janë shtysë që të mos lejohet ndryshimi i sundimit dhe mosmbajtje e zgjedhjeve. Po ashtu incidente të tilla mund të shohim së shpejti edhe në komunat tjera ku ka shumicë serbe dhe jo vetëm në veri. Këto incidente janë tendencë që të mos e lejojnë Kosovën të shtrijë sovranitet në veri që do e bënte një situatë të pafavorshme për Serbinë në negociata”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Vuçiq po synon nxitjen e një konflikti të ri, me qëllim të shmangies së marrëveshjes përfundimtare me Kosovën.

“Po ashtu me një konflikt të ri Vuçiq po tenton që në marrëveshjen përfundimtare të shmangë çështjet e krimeve të Serbisë por të rikthej në vëmendje se si kinse i është dëmtuar sovraniteti Serbisë me 1999 dhe 2008 dhe tani ata po luftojnë për një copë sovranitet në veri. Këtë mesazh Vuçiqi e dha edhe dje në Tiranë, mirëpo duke qenë i përkëdheluri i Evropës në rrethanat e tanishme nuk i mjafton pasi SHBA-ja nuk funksionon me përkëdhelje të tilla”, thekson Kuçi.

Më tej, Kuçi nuk e përjashton shpërthimin e një lufte të re në Ballkan.

“Pra, ngjarjet e tanishme mund të krijojnë një luftë të vogël që do e heqë përfundimisht Rusinë nga Ballkani Perëndimor nëse mbahet nën kontroll nga NATO dhe ka një marrëveshje të shteteve të mëdha paraprakisht, ose do të jetë e pakontrollueshme ose do të prodhoj një marrëveshje që ajo zonë të bëhet zona gri ndërmjet Jerusalemit”, shpjegon Kuçi.

“Faktorë të tjerë ndërkombëtarë dhe politikat që po lëvizin në arenën ndërkombëtare nuk japin shumë mesazhe paqësore dhe ajo valë na përfshin edhe neve në vatrat e krizës”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat