Emisarët ‘zbarkuan’ në Kosovë e Serbi, Asociacioni ‘punë e kryer’ – “Kosova është pajtuar”: Cili është hapi i Serbisë?

Politika

Emisarët ‘zbarkuan’ në Kosovë e Serbi, Asociacioni ‘punë e kryer’ – “Kosova është pajtuar”: Cili është hapi i Serbisë?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 20 janar 2023 Në ora: 23:14
Emisarët special gjatë takimit me Albin Kurtin

Pesë emisarë ndërkombëtarë sot kanë ‘zbarkuar’ në Kosovë e Serbi.

Pasi u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, emisarët ndërkombëtarë i shkuan në zyre presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Aryeja e gjithë kësaj është përshpejtimi i një marrëveshje ndërmjet dy vendeve.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ishte i shoqëruar nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo.

Temë e diskutimeve me Kurtin e Vuçiqin ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti pas takimit tha se propozimi është "bazë e mirë për bisedime të mëtejshme", ndërsa Vuçiq tha se Serbia është "e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë në zbatimin e planit evropian". Ai tha se ka "shqetësim dhe rezervë për një çështje të rëndësishme", por nuk specifikoi më shumë.

Ndërsa nga kryeministria kanë thënë se për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.

“U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantik", thuhej në njoftimin e zyrës së kryeministrisë, përcjell "Bota sot".

Image
Emisarët special

Pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

"Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se, megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë", tha Lajçak.

Lajçak tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këtë, sipas tij, e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takime.

Kurse, në Beograd, Lajçak tha se "diskutimi ka qenë intensiv, i vështirë, por edhe i hapur".

"Ndihemi të inkurajuar nga rezultati”, tha ai.

"Për ne, zbatimi në kohë i [Marrëveshjes për] Asociacionin e komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator, dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për integrimin e rajonit", shtoi Lajçak.

Kosova me politikat e veta duhet që t’i ketë në harmoni me politikat evropiane dhe ato amerikane.

Kështu është shprehur ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai shprehet se, Amerika e ka dëshmuar se është miku i Kosovës më i madh, dhe na ndihmoi në ditët më të vështira që të çlirohemi nga një armik shekullor, me të cilin deri më tani ende nuk kemi arritur një pajtim dhe njohja reciproke, pra me Serbinë.

“Ndërmjetësimet në dialog me Serbinë që po vazhdojnë tani nga SHBA dhe edhe nga shtetet evropiane e kanë qëllimin që njëherë e përgjithmonë të kryhet kjo çështje mjaft e ndjeshme e mbetur hapur me Serbinë, e që është çështje serioze për Kosovën, sepse edhe shteti i ynë i ka qëllimet që të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare dhe t’i arrij ato qëllime”, thotë Tërnava.

Ai shprehet se, kjo është edhe dëshirë e popullit të Kosovës, prandaj tani kur Kosovën po e vizitojnë emisarët ndërkombëtar, duhet të ketë një unifikim dhe bashkim të spektrit politik.

“Peshë të madhe ka vizita e të deleguarit të SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kjo vizitë duhet të reflekton në kursin e zhvillimeve politike brenda spektri politik të Kosovës, të përafrimit mes pozitës dhe opozitës, për të krijuar një qëllim dhe një qëndrim unik në raport me agjendën e intensifikuar të dialogut me Serbinë dhe zgjidhjen që do të ofrohet si kompromis”, shton ai.

Tërnava thekson se, edhe opozita duhet të bashkohet dhe të unifikohet me Qeverinë në mënyrë që të dalin me një qëndrim të bashkuar për propozimin e planit franko-gjerman.

“Tani është moment i duhur që kryeministri Kurti së bashku me opozitën të ndërtojnë një platformë të përbashkët dhe qëndrimi unik në lidhje me marrëveshjen me Serbinë. E pas kësaj populli i Kosovës do ta përjetonte fuqishëm pavarësinë e shtetit të Kosovës me mbështetje akoma më të madhe ndërkombëtare, dhe të anëtarësuar në të gjitha institucionet ndërkombëtare botërore”, përfundon Tërnava.

Në anën tjetër, formimi i asociacionit në Kosovë është çështja më e diskutueshme në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Image
Gabriel Escobar

Sonte, i dërguari i ShBA-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Gabriel Escobar, ka folur për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Ai ka thënë se Asociacioni është obligim ligjor dhe do të krijohet.

"Është obligim ligjor ndërkombëtar i Serbisë dhe Kosovës. Prandaj, një palë dhe një person nuk mund të heqë dorë nga ai obligim. Kështu që Asociacioni do të krijohet dhe çështja është se si të arrihet më herët atje", - është shprehur Escobar.

“Më lejoni, Kurti nuk ka nevojë të pajtohet, Kosova është pajtuar… Po, por si e thashë, një person, një palë nuk mund të shmangë atë. Ky është një detyrim ekzistues. Kosova është pajtuar tashmë si qeveri. Çështja është se si do të zbatohet”, ka thënë Escobar pas takimit që kishte në Kosovë e Serbi.

Ndryshe, Serbia po insiston që Asociacioni të formohet sipas një marrëveshjeje të vitit 2015, e cila parasheh kompetenca të gjera për të në disa fusha. Vuçiq përsëriti edhe të premten se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet urgjentisht.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur disa shkelje në Marrëveshjen për Asociacionin dhe ka konstatuar se ai mund të formohet vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës.

Propozimi i BE-së, i njohur më herët si plani franko-gjerman, u është dorëzuar autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës. Ai mbështetet edhe nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.

Zyrtarët në Prishtinë kanë thënë më herët se ky propozim paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.

Plani parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Propozimi i ka dhjetë pika dhe nëse palët pajtohen me të, ai do të hapë rrugën për vazhdimin e dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.

Sipas propozimit, palët do të zhvillonin marrëdhënie të mira fqinjësore mes vete, duke u bazuar në të drejtat e barabarta, si dhe do t’i njihnin simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, targat e veturave, diplomat dhe vulat doganore.

Të gjitha mospajtimet, sipas këtij propozimi, Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhnin me mjete paqësore, duke u përmbajtur nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.

Një ditë para vizitës së të dërguarve të posaçëm perëndimorë në Kosovë dhe në Serbi, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha në një intervistë për REL se nuk pret ndonjë zgjidhje gjatë takimeve të 20 janarit, por theksoi se "është një pikë e rëndësishme kthese".

"Shpresojmë në këtë proces - në javët e ardhshme, të shohim përparim të vërtetë".

"Arsyeja përse SHBA-ja po i bashkohet kësaj vizite, ka të bëjë me rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi dhe mbështetjen tonë për këtë proces", tha Chollet.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në nëntor të vitit të kaluar. BE-ja, sipas burimeve, synon t'i bindë palët që të takohen sërish para fundit të muajit janar.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve - me ndërmjetësimin e BE-së - që nga viti 2011.

Prishtina kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërsa Beogradi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi e ka fjalën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat