Detajet e takimit në Ohër: Ja pse Albin Kurti doli fitues dhe Vuçiq nuk e vendosi nënshkrimin

Politika

Detajet e takimit në Ohër: Ja pse Albin Kurti doli fitues dhe Vuçiq nuk e vendosi nënshkrimin

Nga: Petrit Rudi Më: 20 mars 2023 Në ora: 20:45
Albin Kurti

Pas një takimi maratonik mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e dy ndërmjetësuesve të BE-së, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak, takimi përfundoi vetëm me dakordim verbal, pa nënshkrimin e marrëveshjes dhe aneksit për zbatimin e tij.

Ishte Aleksandër Vuçiq, ai që refuzoi të firmosë, megjithë gatishmërinë e plotë të Albin Kurtit për të hedhur firmën në ato dokumente.

E për të komentuar zhvillimet e së shtunës në Ohër, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

“Marrëveshja dhe aneksi i dakorduar, për mendimin tim nuk janë konplementare, nuk kanë një kalendar të mirëfilltë e të saktë. Për më tepër, derisa ato nuk u nënshkruan, nuk do të merren seriozisht e të zbatohen nga Beogradi. Vuçiq tha se nuk nënshkroi, pasiqë “Kosova nuk është shtet” dhe sipas tij ai nuk mund të lidhë marrëveshje të obliguar ndërkombëtare me një vend pavarësia e shtetësia e të cilit nuk është njohur në OKB. Kjo do të thotë se ai nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pra nuk e pranon nenin 1 të marrëveshjes franko-gjermane, e cila kërkon që të dyja palët të respektojnë sovranitetin, institucionet, ligjet dhe rregullin e brendshëm të secilës prej tyre”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, në dialogun e së shtunës fituesi më i madh ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Jo për shkak të asaj se marrëveshja i jep Kosovës diçka të jashtëzakonshme, sepse në perceptimin tim ajo që fiton me atë marrëveshje është Serbia. Ndërsa Kosova fiton shumë më pak se ajo. Por Kurti ishte fitues për disa arsye. Sepse u imponua me ditë e argumentet e tij, si dhe me gatishmërinë për ta pranuar marrëveshjen. Sepse relativizoi së tepërmi prapësitë që i sollën Kosovës paraardhësit e Kurtit me Asociacionin dhe marrëveshje të tjera me Serbinë”, shprehet Bytyçi.

“Vuçiq e kishte nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin në vitin 2015 me kryeministrin Kosovar, Mustafën. Edhe atëherë Kosova nuk ishte e njohur nga OKB. Por atëherë përfitonte nga ajo marrëveshje dhe prandaj e nënshkroi atë. Është kjo arsyeja pse ai kësaj radhe nuk nënshkroi në Ohër. Sepse nuk fiton aq sa ai do të dëshironte në Kosovë. Prandaj gjeti artificën se “nuk mund të nënshkruajë si partner me Kosovën e panjohur ndërkombëtarisht”! Fakti që Vuçiq nuk nënshkroi është një premisë, e cila duhet të na bindë se fitues ishte zoti Kurti në këtë dialog”, shpejgon profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se presidenti serb e refuzoi nënshkrimin, sepse nuk dëshiron të marrë përgjegjësi të institucionet e Beogradit.

“Ai u përpoq që në dialog të dërgojë kryeministren Brnabiq, por mesa duket amerikanët dhe evropianët nuk u pajtuan me këtë lëvizje të tij. Pra donte t’i ikte nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e tij. Kjo dilemë e shoqëroi edhe në Ohër. Prandaj nuk firmosi. Ai I frikësohet Kishës Serbe, nacionalizmit serb, por edhe Kremlinit dhe presidentit rus, Vladimir Putin. E vërteta është se Vuçiq zemrën e ka në Rusi dhe mendjen e ka t’i ikë asaj. I pa definuar se ku do të jetë, ai refuzon të nënshkruajë marrëveshje si kjo e Ohrit, sepse nuk do të pajtohej Moska me këtë veprim. Kësisoj ka frikë edhe për jetën e tij. Kjo do të thotë se presidenti i Serbisë ka shumë pak mbështetës brenda vendit të tij. Shumica dërmuese e elitës serbe është pro-ruse edhe mendërisht dhe jo vetëm shpirtërisht. Në këto kushte Vuçiq rrezikon pushtetin e tij. Por jo vetëm kaq. Rrezikon edhe jetën e vet. Prandaj ai sapo shkoi rideklaroi se ka si vijë të kuqë njohjen e Kosovës dhe pranimin e saj në OKB”, deklaron Bytyçi.

Sipas Bytyçit, pavarësisht marrëveshjes, Serbia do të vazhdojë destruktivitetin e saj.

“Megjithëse nuk pati nënshkrim, marrëveshja dhe aneksi u shpallën të pranueshëm. Dmth u vendos që ato të implementohen në një periudhë kohe prej pesë muajsh, derisa të mblidhet Konferenca e Donatorëve. Brenda një muaji do të ngrihet një grup ose komision monitorimi, ku bëjnë pjesë evropiane, serbë e shqiptarë nga Kosova. Nuk besoj në ndonjë mrekulli e pikat e marrëveshjes të zbatohen plotësisht. Është e pamundur. Serbia do të vazhdojë destruktivitetin e saj. Vuçiq, për t’u rikonfirmuar në politikë, do të vazhdojë ta tensionojë situatën në marrëdhëniet me Kosovën, sidomos në veri të saj, dhe do të provokojë trazira dhe tension”.

Për fund, Bytyçi deklaron se Kosova duhet të ketë kujdes me kornizën e re, e cila parasheh vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë.

“Kurtit i është kërkuar që menjëherë të fillojë të ndërtojë një kornizë për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë. Teorikisht vetëmenaxhimi është një term, nocion, i cili nuk shkakton asnjë distancë nga institucionet qendrore të shtetit, sepse ai realizohet në kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor të vendit. Por duhet kujdes që Serbia të shkojë jashtë Kosovës. Që Serbisë të mos i jepet asnjë mundësi e shans për të ndërhyrë në punët e Kosovës, as te minoriteti serb. Duket përdorur si argument fakti se pa njësi vetëmaxhuese Serbia shkaktoi paralizë institucionale në katër komunat e veriut e madje deshi ta krijojë këtë situatë edhe në polici e gjyqësi. Ky rast është i volitshëm për të provuar se serbët e pakicat kurrë më të mos shpërblehen me vetëmenaxhim të rendit e sigurisë, ku bëjnë pjesë policia dhe gjykatat”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat