“Ia dhanë ‘dorën e lirë’ Vuçiqit”, analisti tregon prapaskenat e zgjedhjeve në veri – përmend Escobarin dhe Hill-in!

Politika

“Ia dhanë ‘dorën e lirë’ Vuçiqit”, analisti tregon prapaskenat e zgjedhjeve në veri – përmend Escobarin dhe Hill-in!

A. Morina Nga A. Morina Më 31 mars 2023 Në ora: 08:02
Gabriel Escobar, Albin Kurti, Miroslav Lajçak

Kosova gjendet në një fazë ku po përballet me zhvillime të shumta, ku në qendër janë negociatat me Serbinë.

Përveç kësaj, temë më një rëndësi të madhe janë edhe zgjedhjet lokale në veri të vendit, të cilat pritet të mbahen gjatë muajit prill.

E bazuar në mbarëvajtjen e këtyre dy çështjeve, po flitet edhe për sigurinë dhe mundësinë e tensionimit të situatës në veri.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” tha se Kosova ka filluar ta humbasë mbështetjen e Amerikës, si pasojë e ndikimi turko-arab në vendin tonë.

Ai këtë e ndërlidhi edhe me situatën në veri.

Image
Gani Qarri

“Në fakt sa më shumë po xhamizohet Kosova dhe rritet ndikimi i hoxhallarëve turko-arab në tokat tona si dhe zgjerohet profilizimi i islamit politik në Kosovë, Kosova dhe shqiptarët po e humbin mbështetjen në mënyrë të pakthyeshme edhe nga miqtë tanë më të mëdhenj në Botë, si SHBA-të.

Vend, i dërguari i të cilës, vetëm pak vite më parë, nuk mund të paramendohej, se do të solidarizohej publikisht me ngritjen e barrikadave nga bandat serbe dhe tu bashkohej kërkesave irrealiste të Serbisë hegjemoniste, siç vepron sot hapur Kristofer Hill dhe emisari Gabriel Eskobar”, deklaroi ai.

Qarri tha se mbështetja e Escobarit dhe Hill-it po i jep ‘krah’ Vuçiqit, ndonëse sipas tij bazuar në marrëveshjen e arritur në Ohër nuk do duhej të mendohej që mund të krijohen bllokada në veri.

“Përndryshe pas marrëveshjeve të akorduara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku në parim u arrit pajtimi i të dy palëve, lidhur me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, nuk do duhej të ekzistonin më pengesa për pjesëmarrjen e të ashtuquajturës "lista serbe" as sa i takon mbajtjes së zgjedhjeve në 4 komunat në veri të Kosovës, megjithëse nëse nuk krijohen sërish pengesa nga bandat serbe, për mbajtjen e tyre, rezultati i zgjedhjeve, mund të jetë legal, edhe pa pjesëmarrjen e saj.

Fatkeqësisht mbështetja e Eskobarit dhe Hillit, i ka dhënë dorë të lirë, Vuçiqit, që ta dekoronte edhe ish pjesëtarin serb të policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, megjithëse ai me arsye, ishte arrestuar nga organet e sigurisë së shtetit të Kosovës, kundër të cilit kishte dëshmi të pamohueshme për inkriminimin e tij në shumë vepra kriminale, përfshi hedhjen e granatave në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën veriore”, theksoi analisti.

Bazuar në këtë, ai vlerëson se edhe në rast se krijohen tensione në veri të vendit, nuk mund të jenë të përmasave të mëdha.

Madje, ai tha shërbimet e fshehta serbo-ruse janë të instaluara thellë në këtë pjesë të Kosovës.

“Ky është treguesi më bindës se tensionet në veri, edhe nëse ndodhin, nuk mund të nxiten, në përmasa të atilla çfarë i kemi parë së fundi, vetëm nga dora e zgjatur e Vuçiqit në Kosovë, e ashtuquajtura "lista serbe", por direkt nga Serbia dhe shërbimet e fshehta serbo-ruse, të cilat veçanërisht në veri, janë shumë aktive dhe të involvuara thellë në Kosovë.

Për aq më tepër, nga ish polici Pantiq, ishte sulmuar zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën veriore me granata dore dhe mjete tjera shpërthyese, akt kriminal ky, për kryerjen e të cilit, pak kohë më vonë ai edhe ishte arrestuar, kurse pas arrestimit të tij, filluan barrikadimet e orkestruara me kamion e mjete tjera të rënda dhe nisën sulmet edhe ndaj gazetarëve”, nënvizoi Qarri. 

Ndër të tjera, shtoi se humbja e mbështetjes nga aleatët tanë, u bë e ditur kur u mbështet bllokimi i rrugëve në veri nga Hill e Escobar.

Pra, humbja e mbështetjes nga miqtë tanë, u vërtetua, pikërisht me acarimin e situatës së sigurisë, në dhjetorin e vitit të kaluar në veri, kur barrikadimi i rrugëve nga bandat kriminale serbe, u mbështet edhe nga Hill e Eskobar, në vend se të mbështeteshin Komisionet Komunale, që me vendim të Komisionit Qendror Zgjedhor, sapo kishin nisur punën, për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të planifikuara më 18 dhe 25 dhjetor të vitit 2022 në 4 komunat në veri, të Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat