Eksperti paralajmëron zgjedhje të jashtëzakonshme në veri

Politika

Eksperti paralajmëron zgjedhje të jashtëzakonshme në veri

P.Rudi Nga P.Rudi Më 26 prill 2023 Në ora: 17:13
Foto ilustrim, zgjedhjet 23 prill

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale, ku dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind.

Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.

Kurse Lista Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin.

E lidhur me procesin zgjedhor të zhvilluar në komunat veriore, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Sipas tij, procesi zgjedhor duhet të ndahet në tri faza.

Image
Drizan Shala

“Faza pare ndërlidhet me gjithë përgatitjet për pengimin e aktiviteteve të institucioneve në afrimin me komunitetin serb në pjesën veriore, duke rritur tensionet dhe presionin nga grupi i Beogradit”, thotë Shala.

“Faza e dytë ishte në pjesën e 48 orëshit para zgjedhjeve, ku nga marrja e informacioneve nga struktura e grupeve kriminale për strukturat e sigurisë së Beogradit se numri i pjesëmarrësve ns zgjedhje nga serbët do të jetë minimal, por që në rast se do të ndryshojë gjatë periudhës zgjedhore atëherë do të hynte në aktivizim njëri nga skenarët që ishte bllokimi i rrugëve dhe tentativa për djegie të vendvotimeve nga ana e këtyre grupeve duke i shpallur të pavlefshme procesin zgjedhor”, shpjegon Shala për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se faza e tretë lidhet me vendimin e presidentes Osmani, e cila mund të rishpallë edhe njëherë zgjedhje në komunat veriore.

“Faza e tretë ndërlidhet me periudhën pas 2 majit, ku do të definohet prapë që zgjedhjet do të ri-shpallen nga ana e Presidentes, ku në pamundësi për t’ju betuar kryetarët e sapo zgjedhur, atëherë do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme”, shprehet Shala.

Për fund, ai deklaron se Beogradi synon që t’i dërgojë mesazh të qartë Kosovës.

“Dhe me këtë, Beogradi dëshiron të përçojë mesazh të drejtpërdrejtë që ajo është pjesë e aktivitetit duke shkelur sovranitetin e Kosovës në çdo formë dhe mënyrë. Institucionet politike tani me kane marr drejtimin e gabuar sa i përket qasjes në veri me problematiken e integrimit të asaj pjese pa e zbatuar asociacionin, por që me hyrjen në skenarin e Serbisë kjo tani do ta ketë të vështirë të ri-kuperoj gabimet në proces duke lënduar me tutje autoritetin e saj në veri”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat