Pesë kushte të Kosovës për Serbinë për dalje nga kriza, para caktimit të zgjedhjeve dhe draftit për asociacionin?

Politika

Pesë kushte të Kosovës për Serbinë për dalje nga kriza, para caktimit të zgjedhjeve dhe draftit për asociacionin?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 qershor 2023 Në ora: 14:53
Albin Kurti, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Tre kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kishin kësaj radhe dy emisarët perëndimorë për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan, Gabriel Escobar. Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë pjesë dhe kthimi në tavolinën e dialogut.

Dy emisarët perëndimorë vizituan Prishtinën dhe Beogradin në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës, sidomos në tre komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Në këto komuna, që nga data 29 maj, serbët lokalë po protestojnë rregullisht duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Nga protestat pati edhe dhunë dhe mbi 30 ushtarë të KFOR-it, morën lëndime.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen ishte një deklaratë së fundmi që emisari Escobar bëri.

Ai tha se Asociacioni nuk do të jetë një republikë e re serbe si në Bosnje, por se është angazhim ndërkombëtar për Kosovën, ligjërisht i detyrueshëm.

Ai në një intervistë tha se Kosova duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron dhe duhet të lëviz menjëherë në krijimin e Asociacionit.

“Kjo nuk do të jetë një republikë e re serbe si Bosnja dhe Hercegovina. Themelimi i Asociacionit Serb të Komunave në Kosovë është një angazhim ndërkombëtar, ligjërisht i detyrueshëm. Ato përmenden në Marrëveshjen e Brukselit, Konkluzionet e Këshillit Evropian dhe Marrëveshjen e Ohrit. Dhe ka gjithashtu një angazhim të SHBA për këtë. Pra, Asociacioni Serb i Komunave duhet të vijë. Pyetja është: si do të duket? Nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re Serbe si Bosnja, duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron, u shpreh Escobar.

Por si komentohet kjo deklaratë?

Kelmendi: Kosova domosdo duhet të dali dhe atë pa humbur kohë me një projekt të vet për statusin e bashkësisë serbe në Kosovë

Image
Muhamet Kelmendi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Muhamet Kelmendi.

Ai u shpreh se kërkesa e Escobarit është e drejtë dhe se Kosova duhet të del me një projekt dhe nuk duhet vonuar.

“Ndërtimi i një mekanizmi juridik për minoritetin serb në Kosovë del nga marrëveshjet e bëra me shtetin serb, nën ndërmjetësimin e UE-së dhe të ndihmuar nga SHBA-të. Edhe Marrëveshja e fundit në Bruksel dhe Aneksmarrëveshja e Ohrit e përcaktojnë këtë obligim për Kosovën. Në këtë kontekst është e drejtë kërkesa e z Escobar. Kosova domosdo duhet të dali dhe atë pa humbur kohë me një projekt të vet për statusin e bashkësisë serbe në Kosovë. Kjo nuk duhet të vonohet, sepse është e dëmshme për Kosovën, pasiqë si pala serbe, ashtu edhe ajo ndërkombëtare, veç i kanë projektet”, u shpreh ai.

Juristi më tej përmend disa nga obligimet që duhet të dalin nga kjo marrëveshje.

“Krahas kësaj, është mirë që të tërhiqen Njësitë Speciale nga komunat në veri, duke u zëvendësuar me forcat e KFOR-të. Njësitë Speciale në veri kërkohet të vendosen në vendet ku sigurohet rendi dhe ligji. Në objekte komunale nuk duhet lejuar organet in-kompetente serbe të vendosen. Objektet e komunave në veri pa u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk duhet të lirohen nga forcat ndërkombëtare. Me zgjedhje caktohet udhëheqja. Në këtë anë ka edhe disa obligime që dalin nga marrëveshja. Këtu duhet përmendur:

1. Njohjen de-fakto të ekzistencës së Kosovës nga Serbia;

2. Ndalimin e grupeve kriminale serbe që po veprojnë në veri;

3. Kapjen e kriminelëve serbe që bënë dhunë terroriste në veri të vendit;

4. Ndalimin e aktivitetit kundër Kosovës kudo në botë dhe;

5. Futjen në veprim të mekanizmave për gjetjen e personave shqiptare që janë masakruar dhe zhdukur nga Serbia”, shpjegoi Kelmendi për “Bota sot”.

Duhanaj: Çështja e asociacionit është temë e gjatë sa edhe vetë shteti i Kosovës

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Asociacioni si ide është derivat i Pakos Ahtisari dhe i cili ka vazhduar me qenë temë edhe në dialogun e Brukselit.

“Çështja e asociacionit është temë e gjatë sa edhe vetë shteti i Kosovës. Asociacioni si ide është derivat i Pakos Ahtisari dhe i cili ka vazhduar me qenë temë edhe në dialogun e Brukselit. Pas marrëveshjes së 2013-s, të cilën Kosova ka ratifikuar edhe në Kuvend si marrëveshje ndërkombëtare. Me ç ‘rast kemi marrë edhe obligime ndërkombëtare për themelimin e tij.

Pas marrëveshjes mbi parimet në 2015, patëm një kauzë të rreme nga opozita e atëhershme, e cila me zhurmën e saj e zhvendosi fokusin kundrejt këtij asociacioni, sa që shkoj aq larg se ky në rast të qeverisjes së tyre nuk do të ndodhte kurrë”, thotë ai.

Analisti tutje përmend një kronologji të ngjarjeve duke filluar nga dorëheqja e kryetareve të komunave e deri tek Asociacioni.

Duhanaj paralajmëron Kosovën për dëme nëse nuk veprohet ndryshe.

“Për shkak të shumë ngjarjeve të fundit në vend erdhi edhe dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore të cilët lanë vendet vakante, Kurti shpalli zgjedhe të reja të cilat në momentin fundit u bojkotuan nga serbet.

Si pasojë dolën disa kryetar shqiptar, të cilët në bazë të numrit minimal të botuesve pjesëmarrës, ishin legal, por nuk kishin legjitimitet demokratik. Mbi këto premisa, z. Kurti s’ka rrugë tjetër pos të themeloi asociacionin me të drejta shtesë për serbet ( me ingerenca autonomie, e të cilin mundohet ta kamufloi me termin vetë menaxhim), ose të shkoj deri në fund me rrugën e anti - Kosovë, duke shkaktuar të gjitha dëmet e mundshme, për të çuar vendin në fund në kolaps institucional dhe bllokadë ndërkombëtare me ndonjë akt, si "unë nuk pranova të nënshtrohem”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat