“E enjtja e dështuar” apo “e enjtja e marrëveshjes”, analistët japin parashikimet për takimin e sotëm në Bruksel

Politika

“E enjtja e dështuar” apo “e enjtja e marrëveshjes”, analistët japin parashikimet për takimin e sotëm në Bruksel

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 tetor 2023 Në ora: 10:01
Takimi i 14 shtatorit në Bruksel

Takimin e fundit e kishin më 14 shtator, ndërsa tani udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen për herë të parë të enjten pas sulmit terrorist të 24 shtatorit. 

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, të enjten në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të zhvillojë takime me liderët evropianë dhe temë e tyre do të jetë situata në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe procesit të dialogut. 

Ngjashëm sikurse Kurti takime do të zhvillojë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. 

“Takimet do të jenë përforcim i asaj që është thënë gjatë vizitës së Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi gjatë fundjavës. Kurti dhe Vuçiq do të kenë një seri takimesh individuale me krerë evropianë, për çfarë nuk do të japim detaje tash”, ka thënë Stano. 

“Këto takime do të zhvillohen në mbështetje të dialogut. Presim që të dyja palët që të kthehen dhe t’i përmbushin obligimet e tyre pa vonesa si dhe të angazhohen për shtensionim. Nuk do të ketë takime të nivelit të lartë të dialogut, por vetëm takime individuale me liderë evropianë”. 

Në anën tjetër, në media raportohet se të enjten në Bruksel palëve do t’i ofrohet marrëveshja “merr ose lë”. 

Xani: Do të jetë takim për hapat e ardhshëm rreth dialogut 

Image
Visar Xani

Analisti politik, Visar Xani, thotë se takimi i së enjtes është shumë i rëndësishëm. 

Sipas tij, është me rëndësi që Kosova të dalë serioze dhe jo palë refuzuese. 

“Takimi i së enjtes është shumë i rëndësishëm për shkak se kemi një rikthim në tryezën e bisedimeve dhe duket se një plan i faktorit ndërkombëtar ka marrë për bazë zhvillimet në veriun e Kosovës dhe çdo zhvillim tjetër me qëllim për të ofruar një plan konkret në zbatim të marrëveshjes së Ohrit dhe zbatim të marrëveshjeve të tjera të Brukselit. Prandaj, është shumë me rëndësi që ne si Kosovë t’i dalim shumë seriozisht, të mos dalim si palë refuzuese dhe t’i dalim aty ku vërtetë janë në harmoni me kushtetutën dhe kemi obligim si vend t’i përgjigjemi me seriozitet dhe me qasje pozitive, mos të refuzojmë”, deklaron Xani. 

Sipas tij, të enjten do të njoftohen palët për hapat që duhet vazhduar për përmbyllje të dialogut. 

Tutje, ai shton se reflektimi që ka ndodhur në veri të Kosovës tash do të shënojë edhe në letra dhe propozime të BE-së. 

“Në takimin e së enjtes, mendoj se do të njoftohen konkretisht me hapat që duhen të marrin palët për të vazhduar procesin e përmbylljes së dialogimit për shkak që nëse nuk kemi plane konkrete dhe nëse vazhdojmë të kemi tolerime sidomos ndaj Serbisë do të rrezikojmë shumë më shumë, po ashtu nëse nuk kemi koordinime me faktorin ndërkombëtar, po ashtu do të ketë një rrezik të madh, prandaj ka rëndësi që ne si Kosovë t’i qasemi pozitivisht, të jemi në plotësisht të koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ai koordinim të reflektojë në çdo hap tonin, qoftë në pranim të marrëveshjes, ose sqarim të saj. Ajo çka është me rëndësi është se duket që reflektimi që ka ndodhur në veri të Kosovës tash do të shënojë edhe në letra edhe në propozime të BE për një marrëveshje që na çon drejt përfundimit të këtij procesi, për shkak që edhe nëse do të kemi pajtueshmëri, zbatimi në plotëni i marrëveshjes së Ohrit do kohë, do procedura dhe do procese”, shton Xani. 

Një ditë para takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se perëndimi duhet t'i shuajë shpresat e tij për t'i rikthyer bisedimet në rrugën e duhur – nëse nuk tregohet më i rreptë me Serbinë. 

Burjani: BE dhe SHBA ende nuk kanë qëllim konfrontimin e hapur me Serbinë 

Image
Blerim Burjani

Dhe më pak optimist për rezultate në Bruksel, shprehet edhe analisti Blerim Burjani. 

Burjani e konsideron “të enjten e dështuar”, gjersa shton se pa ditur asgjë për rastin në Banjskë nuk do të ketë marrëveshje. 

“Nuk ka ambient të volitshëm për një marrëveshje leje ose merre, e enjtja është e dështuar, pa u ditë për asgjë BANJSKA nuk do të ketë marrëveshje, nuk ka asgjë normale që mund të ndodhë diçka finale, nuk ka asociacion sipas Kosovës, BE dhe ShBA duhet të detyrojnë Serbinë për ta njohur Kosovën, ende BE dhe SHBA ende nuk kanë qëllim konfrontimin e hapur me Serbinë. Pra, maturia është e madhe dhe Serbia do ende ta lusin. Perëndimi ka treguar se në rastin Banjskë se policia ka autorizim të plotë të veprojë në veri, prandaj tani e tutje do të jetë kështu, nuk besoj që do të ketë diçka serioze”, deklaron Burjani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat