Kërkohet rritja e kuotës gjinore: Pse shumë nga kandidatet për deputete nuk arritën të bëhen pjesë e Kuvendit?

Politika

Kërkohet rritja e kuotës gjinore: Pse shumë nga kandidatet për deputete nuk arritën të bëhen pjesë e Kuvendit?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 shkurt 2025 Në ora: 09:50
Foto ilustrim

Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit ende nuk ka përfunduar. Certifikimi i rezultateve pritet të bëhet brenda 30 ditëve pas ditës së zgjedhjeve.

Por, deri më tani janë kuptuar shumica e emrave që do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës për një mandat katërvjeçar.

Përveç kandidatëve që morën votën e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e parlamentit të Kosovës, ekziston edhe një mënyrë tjetër për t'u bërë pjesë e legjislacionit: Ajo është përmes kuotës gjinore. Përmes saj, përfaqësimi i grave në radhët e deputetëve duhet të jetë 1/3 e përbërjes së përgjithshme të Kuvendit.

Më saktësisht, sipas ligjit të Kosovës, partitë që hyjnë në Kuvend duhet të respektojnë kuotën gjinore prej 30%.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, me 20 deputetë, ka tejkaluar kuotën gjinore.

Ndërsa, PDK-së do t’i shtohen edhe 2 deputetë nga 5 sa ka tani, sipas kuotës gjinore.

Ndërkaq, LDK-ja arriti të fitojë 5 deputetë nga vota e qytetarëve, ndërsa një do t’i shtohet nga kuota gjinore.

Kurse, AAK-ja do ta ketë një deputet, njëjtë edhe Nisma.

Shkodra: Kuota gjinore duhet të rritet në 50% për më shumë përfaqësim

Analistija politike, Magbule Shkodra, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se  ka gra që e kanë votën preferenciale në partitë e mëdha, kurse nga ato të voglat po respektohet kuota gjinore.

 “Sa i përket grave që kanë arritur të bëhen deputete, ne vazhdojmë të shohim që në partitë që kanë marrë një numër shumë të madh votash, kemi gra që kanë edhe votën preferenciale. Ndërkaq, në anën tjetër, këto parti që janë më të vogla, pra me numër më të vogël të votave, po respektohet kuota gjinore prej 30%. Kjo do të thotë se kuota gjinore, megjithatë, po na mundëson që gratë të jenë të përfaqësuara në Kuvend”, është shprehur ajo.

Image
Magbule Shkodra

Sipas saj, kuota gjinore do të duhej të ishte 50 përqind.

“E mira e kuotës gjinore është që ka mundësuar që grave t'u jepet mundësia që edhe ato të jenë të përfaqësuara. Tani unë mendoj që kjo kuotë gjinore do të duhej të ishte 50%, mirëpo asnjëherë nuk u arrit që të ndryshohet kjo dhe vazhdojmë të mbetemi me këtë kuotë 30 përqindshit”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Shkodra ka treguar shkaqet se pese gratë nuk arrijnë të bëhen pjesë e politikës më shumë, si dhe ka dhënë disa sugjerime se si dihet të veprojnë partitë politike.

“Pse gratë nuk arrijnë të bëhen pjesë e politikës më shumë, është fakti që në njërën anë është edhe mentaliteti jonë, më shumë përkrahen burrat. Në anën tjetër, partitë politike nuk i përkrahin sa duhet gratë, dhe këtu mendoj se përkrahja është jo vetëm që ato të futen në listë, por në fakt t'u jepet edhe një trajnim, të merren shumë më herët, para se të bëhen zgjedhjet, të bëhen pjesë e partisë, të njoftohen me partinë, me strukturën e partisë, dhe gjatë zgjedhjeve t'u jepet edhe ndihmë financiare, sepse megjithatë zgjedhjet kanë një kosto të lartë dhe për shumicën e grave është pothuajse e papërballueshme”, ka vlerësuar ajo.

Më tej, ajo ka përmendur disa ndryshime esenciali që duhet të  bëhen  brenda partive politike për të fuqizuar e grave të cilat duan të bëhen pjesë e tyre.

“Dhe fatkeqësisht, ne vazhdojmë të mbetemi me atë përfaqësim të 30%-shit në parlament dhe mendoj se kjo duhet të ndryshojë. Për të ndryshuar, partitë duhet të ndryshojnë, duhet mentaliteti në shoqëri të vazhdojë të ndryshojë që edhe gratë të përkrahen, por kryesorja është që partitë duhet të bëjnë ndryshime esenciale dhe t’i rekrutojnë gratë shumë më herët, t’i sjellin si anëtare të partisë, t’i përgatisin dhe kur t’u vijë fushata, t’u jepet mundësia për paraqitje në televizione. Televizionet t’i fitojnë partitë, pastaj partitë t’i delegojnë personat që dëshirojnë t’i përfaqësojnë dhe ne kemi parë gjatë fushatës që një numër i madh i grave as nuk iu është dëgjuar zëri në ndonjë emision, as nuk e kemi ditur se kush janë ato, dhe kjo është po ashtu një mangësi që vazhdon të sillet prej zgjedhjeve në zgjedhje”, ka përfunduar Shkodra.

Partitë politike të detyruara të respektojnë kuotën gjinore prej 30%

Nga ana tjetër, profesori Blerim Burjani ka deklaruar për "Bota sot" se kuotat janë të garantuara me ligj. Ai gjithashtu ka shpjeguar se për çfarë janë të obliguara partitë politike dhe çfarë dëmi mund të shkaktohet.

Image
Blerim Burjani

“Kuota është e garantuar me ligj 30%. Secili subjekt politik duhet të ketë deputetë femra, pra kuota mbetet e njëjtë, kuota jep përparësi femrave.  Kjo do të thotë se meshkujt nuk do të kenë statusin e deputetit kur është fjala për kuotën femërore. Pra, kuota gjinore është në dëm të kuotës për meshkujt. Obligimi mbetet i njëjtë: nga 120 deputetët, femrat duhet të jenë deri në numrin 66 të listës së subjektit politik.

Partitë janë të obliguara të kenë çdo të tretin kandidat femër. Pas numrit 66 të listës, nuk obligohen më të vendosin kandidatë femra, këtë e respekton KQZ-ja. Për shembull, nëse një subjekt ka fituar 20 ulëse për deputet, 6 do të jenë femra dhe 14 do të jenë meshkuj. Kuota gjinore femërore shkon në dëm të meshkujve, kështu e parashikon ligji”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat