Votimi me postë, “beteja” LVV-LDK në Supreme – avokatët tregojnë çfarë pritet të ndodhë pas ankesave

Politika

Votimi me postë, “beteja” LVV-LDK në Supreme – avokatët tregojnë çfarë pritet të ndodhë pas ankesave

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 25 mars 2025 Në ora: 08:01
Foto ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me votimin me postë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit

“Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së”, u tha në një postim të bërë nga parti në rrjetin social, Facebook.

Më 17 mars, LVV-ja i ishte drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar që të anuloheshin votat me postë që ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se ato ishin “manipuluar” dhe duke kërkuar rivotim me postë. Por, PZAP e hodhi poshtë ankesën e LVV-së.

LVV-ja tha se shpreson që Supremja të “korrektojë vendimin e padrejtë” të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me votimin me postë.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Gjykata Supreme ka afat prej pesë ditësh nga paraqitja e ankesës, që të vendosë për të.

Mirëpo, se çfarë pritet të ndodhë me këtë çështje, folën avokatët për “Bota sot”.

Bajraktari: Ankesat në Gjykatën Supreme, ua garanton Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme

Image
Avokati Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për “Bota sot” foli në lidhje me ankesat e fundit që ka dorëzuar LVV në Supreme.

Ai tha se këtë gjë e garanton Ligji për Zgjedhjet, ku tha se brenda pesë ditëve duhet të merret vendimi për ankesën.

“Në lidhje me procesin zgjedhor dhe ankesat e adresuara në Gjykatën Supreme, një gjë të tillë ua garanton Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. 

Sipas Ligjit, subjektet e pakënaqura me vendimit e PZAP-it, në afat prej 48 orëve kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Supreme, ku kjo e fundit ka afat prej 5 ditësh ta shqyrtoi dhe të vendos në lidhje me ankesën”.

Krahas kësaj, avokati tha se në rast që LVV nuk ka ofruar dëshmi që mbështetin ankesën e saj, atëherë me shumë gjasë do iu refuzohet ajo.

“Vlen të ceket se referuar rastit konkret, përkatësisht ankesës së subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, sipas vendimi të PZAP-it, dhe arsyetimeve të dhëna në vendim si dhe të bëra publike, nëse subjekti politik nuk ka ofruar ndonjë dëshmi që i mbështet pretendimet e tij, është pak e besueshme se mund të ketë ndonjë vendim ndryshe nga vendimi i PZAP-it”, u shpreh Ardian Bajraktari për “Bota sot”.

Jashari: Ligjërisht të dy opsionet janë të hapur

Kurse, avokati Arbër Jashari tha se edhe përsëritja e votimeve dhe refuzimi i ankesës së bërë nga LVV ka gjasa të ndodhin, por që kjo mbetet në dorë të Supremes.

Image
Arbër Jashari

“Është në dorë të Gjykatës Supreme të vendos përfundimisht për fatin e këtyre votave. Ligjërisht të dy opsionet janë të hapura, edhe anulimi i këtij procesi të votimit dhe përseritja e votimeve, dhe refuzimi i ankesës”, tha ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Jashari e konsideroi si shumë të dëmshme nëse anulohen apo përsëriten votimet me postë, pasi qeveria nuk do formohej edhe për disa muaj.

“Gjithsesi duhet theksuar se në rast se Supremja vendos për opsionin e parë, do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme për procesin zgjedhorë, pasi që do të pamundësohej certifikimi i rezultateve dhe formimi i institucioneve të reja edhe për disa muaj”, përmbylli Arbër Jashari për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat