Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, ka thënë se BE-ja është e përkushtuar ndaj dialogut Kosovë – Serbi.
Në konferencë për media të hënën Hipper tha se rruga e dyja vendeve drejt BE-së duhet të shkojë nëpërmjet dialogut.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.
Ai thotë se MSA është marrëveshje kontraktuale midis vendeve që pretendojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se dialogu është rruga e vetme për të u anëtarsuar.
“MSA-ja (Marrëveshja për Stabilizim-Asociim) si marrëveshje kontraktuale midis vendeve të pretendente dhe Bashkimit Europian është rruga e vetme për anëtarësim në BE. Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, kanë përgjegjësinë për të harmonizuar politikat e tyre me BE-në, pasi kanë nënshkruar MSA-në. Dialogu është e vetmja rrugë për t’u anëtarësuar në BE, dhe për pasojë, ngecja në dialog përbën një vonesë në procesin e anëtarësimit”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thekson që BE kur jep këto deklarata duhet të shikoj se si Serbia ka neglizhuar procesin e dialogut.
“Megjithatë, BE-ja, para se të arrijë në këto deklarata, duhet të shqyrtojë konceptin e dialogut, veçanërisht duke u kthyer në retrospektivën e tij dhe duke gjykuar çdo marrëveshje të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë mbetur vetëm në letër. Serbia ka neglizhuar procesin e dialogut, duke hezituar çdo herë për të zbatuar marrëveshjet e arritura”, shpjegon analisti.
Në fund, ai nënvizon deklaratën duke thënë që BE duhet ta trajtojë Kosovën si palë të barabartë në dialog dhe të ia bëjë me dije Serbisë që e njejta është shtet i pavarur dhe sovran.
“Prandaj, BE-ja duhet të rishikojë konceptin e dialogut dhe, njëkohësisht, t’i bëjë me dije Serbisë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, duke u trajtuar si palë e barabartë në dialog. Koncepti i ri i dialogut duhet të përfshijë disa nga këto parime, që janë të kuptueshme nëse BE-ja është serioze për çështjen e dialogut”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.
Kujtojmë që Hipper tha se po vazhdojnë angazhimin dhe se emisari i BE-së për dialogu Peter Sorensen ka bërë vizitën e parë në Kosovë dhe Beograd.