Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 15 prillin si datën për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Caktimi i seancës konstituive shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 mars.
Mirëpo, nga Partia Demokratike e Kosovës thanë se nuk do të marrin pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri gjatë seancës konstituive të Kuvendit, të caktuar më 15 prill, pa një “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”. Por, ndryshe u shpreh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila tha se në parim është për konstituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
E në lidhje me këto qëndrime ndaj seancës konstituive dhe formimit të qeverisë së re, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Mehmeti.
Së pari, ai komentoi “vijat e kuqe” që tri partitë më të mëdha opozitare ia kanë ëvnë partisë fituese, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
“Partia Demokratike Kosovës në të kaluarën nuk kishte vënë vija të kuqe për koalicione rreth formimit të qeverisë. Në të kaluarën, më shumë vija të kuqe gjatë fushatës parazgjedhore i vendoste LDK-ja, por pas zgjedhjeve, bëheshin sikur nuk ka ndodhur asgjë, dhe bashkoheshin posaçërisht me PDK-në.
Si për çudi, kësaj radhe me vija të kuqe ishin tri patitë opozitare, siç dihet. Mirëpo, ato vija të kuqe nuk po fshihen dhe deri tani janë edhe më të forta për të lidhur kioalicion me LVV”, nënvizoi ai.
Në këtë pikë, Mehmeti potencoi se opozita dhe disa deputetë dhe parti të komuniteteve pakicë po e shfrytëzojnë rastin që LVV nuk i ka numrat për manovra dhe skenare të tyre politike për formimin e qeverisë së re.
“Mund të thuhet se edhe gjuha e LVV ishte e ashpër, por kur është çështja te interesi i Republikës së Kosovës, nuk do duhej të bëheshin ‘kryeneçe’ partitë opozitare dhe do duhej ta formojnë qeverinë.
Këtu, me gjasë, sikur i është zënë bisht me derë Lëvizjes Vetëvendosje, e duke menduar se ajo nuk do të mund ta formojë qeverinë, partitë opozitare, madje ndoshta të shtyra prej tyre, edhe disa nga partitë apo deputetët e pakicave joserbe, po hezitojnë dhe deri tani nuk i janë bashkangjitur LVV-së, me pretekstin se kjo nuk do mund ta formojë qeverinë dhe do t'u vijë radha partive tjera, e sidomos PDK, si parti e dytë e dalë nga zgjedhjet, prandaj, gjithsesi janë kundër koalicionit me LVV”.
Krahas kësaj, analisti tha se LDK dhe PDK po mos të kishin mundësi që të hynë në qeveri përmes një koalicioni, ato do bënin me LVV koalicion, por pasi gjërat janë kështu, veprojnë ndryshe.
Madje, tha se mospjesëmarrja e PDK në seancën konstituive është një shenjë ligësie dhe xhelozie ndaj LVV-së.
“Kam bindjen se, sikur të mos kishte mundësi ta formonte vetë PDK-ja qeverinë, do të lidhte koalicionin me LVV. Pothuajse, të njëjtën e mendojnë edhe ata të LDK, prandaj nuk duan ta lidhin koalicionin me LVV. Diçka tjetër është me AAK, që herët kanë qenë deklaruar se nuk do të hyjnë në një qeveri me LVV.
Tani, duke menduar e shpresuar se LVV nuk do të ketë mundësinë të formojë qeverinë, PDK shkon edhe aq më larg, sa nuk do të marrë pjesë as në seancën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Kjo disi, është edhe një ligësi e xhelozi e PDK, e cila, ose vetë do ta marrë Qeverinë ose nuk do të marrë pjesë fare në formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjev e të 9 shkurtit 2025 në Kosovë. Me këtë, PDK sikur e vë vetën jashtë institucioneve.
Në anën tjetër, çfarë mund të kuptohet me kushtin e PDK kur thotë se nuk do të marrë pjesë "pa zgjidhjen e qëndrueshme të Kosovës"!?, kur pikërisht zgjidhje e qëndrueshme do të ishte lidhja e koalicionit mes këtyre dy partive sepse do të bënte një shumicë të konsideruar të deputetëve në kuvend
Zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën, po mbetet të kuptohet se ajo do të jetë vetëm me PDK në krye të Qeverisë, por që, edhe ajo, pa LVV nuk do të konsiderohet e qëndrueshme.
Për më shumë, mbetet të shihet...”, shpjegoi Mehmeti.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe kushtet e partive dhe deputetëve të komuniteteve joshumicë, e që kishte disa kritika.
“Po ashtu, do ndalesha pak edhe tek deputetët e pakicave joserbe, të cilët po vënë kushte, për formimin e qeverisë. Skur të kishte LVV edhe nja 3-4 deputetë më shumë, dhe sikur nuk do varej prej tyre formimi i qeverisë, ata deputetë nuk do të paraqisnin kushte dhe do i bashkangjiteshin formimit të qeverisë, sikur deri tani, pa kushte. Edhe kjo është një ligësi dhe një tregim i fytyrës së tyre të pafytyrë, sepse askund, në asnjë shtet, nuk ka komuna në baza etnike”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.