Në dy vitet e fundit, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo shifër përfaqëson një prej proceseve më të gjata dhe më të ndërlikuara në kuadër të Gjykatës Speciale.
Teksa Prokurorisë po i afrohet përfundimi i afatit për të vërtetuar akuzat e ngritura, e ardhmja e këtij procesi gjyqësor mbetet e paqartë.
Dëshmitë e dhëna deri tani janë pjesë e një procedure të gjatë dhe komplekse, por mbetet të shihet nëse ato do të jenë të mjaftueshme për të mbështetur akuzat në mënyrë të bindshme.
Sot (e mërkurë 16 prill) Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se ka përmbyllur paraqitjen nga ana e saj të provave në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjyqi filloi më 3 prill 2023.
Sipas njoftimit, në procesin e paraqitjes së provave të saj, ZPS-ja thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë.
“ZPS-ja paraqiti rreth 3 000 prova materiale në shumë gjuhë. Dhe ZPS-ja ka bërë deri më sot 1 430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Në këtë fazë vendimtare, vëmendja është përqendruar në hapat e radhës që do të ndërmerren nga Prokuroria dhe reagimet eventuale të mbrojtjes, ndërsa opinioni publik dhe familjarët e të akuzuarve presin me shqetësim përfundimin e këtij procesi.
Bajraktari: Vlen të theksohet se procesi është karakterizuar me shkelje dhe parregullsi të shumta
Avokati Ardian Bajraktari në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë dyshimet për hierarkinë komanduese dhe as për të ashtuquajturën Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.
Sipas tij, procesi është shoqëruar me shkelje e parregullsi, dhe sipas standardeve të një gjykimi të drejtë, ish-krerët e UÇK-së do të duhej të ishin tashmë pranë familjeve të tyre.

Më tej, thotë se akuzat e reja për pengim të drejtësisë duken më shumë si përpjekje për të justifikuar dështimin e Prokurorisë në këtë proces të padrejtë e të stërzgjatur.
“Me aq sa kemi parë deri më tani, Prokuroria nuk ka arrit me i vërtetu dyshimet e saj për sa i përket çështjes së hierarkisë komanduese, e aq më pakë ato që ndërlidhen me të ashtu quajturën Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.
Vlen të theksohet se procesi është karakterizuar me shkelje dhe parregullsi të shumta, sikur të kishte proces të rregullt dhe të bazuar në ligj dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e njeriut, ish krerët e UÇK-së, nëse jo më herët, së paku nga fillimi i prillit të këtij viti do të duhej të ishin në shtëpi me familjet e tyre ngase pas përfundimit të deklaratave të dëshmitarëve të Prokurorisë, nuk ka asnjë kusht e as arsye ligjore që ish krerët të mbahen në paraburgim.
Me veprimet e saj, prokuroria e specializuar, me akuza për pengim të drejtësisë, në bindjen time në masë të madhe po vepron në tentativë për t’u “justifikuar” për dështimin e saj në këtë proces, të pa drejtë e të stërzgjatur”, shpjegon ai.
Burjani: Prokuroria e ka kryer punën e vet dhe, nëse ka diçka të veçantë, duhet të deklarohet qartë
Juristi Blerim Burjani, thotë se çështja është në fazë procedurale dhe pritet që Prokuroria të deklarohet qartë: Nëse ka prova për aktgjykim, apo nëse heq dorë nga padia.
Sipas tij, ky hap është vendimtar për vijimin e mëtejshëm të procesit.

“Tashmë çështja është në fazë procedurale. Prokuroria e ka kryer punën e vet dhe, nëse ka diçka të veçantë, duhet të deklarohet qartë. Duhet të bëhet e ditur nëse ka arritur të sigurojë prova dhe nëse kërkon nxjerrjen e aktgjykimit, apo nëse heq dorë nga padia për shkak të mungesës së provave.
Prandaj, tash pritet deklarimi i mëtejmë nga ana e prokurorisë. Ky deklarim duhet të jetë i qartë dhe i plotë, në mënyrë që të dihet se si do të vazhdohet më tej me procedurën”, përfundon ai për “Bota sot”.
Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut.
ZPS njofton se në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtjes të ish-eprorëve të UÇK-së e kanë informuar trupin gjykues se synojnë të dorëzojnë mocione për rrëzimin e akuzave, njoftoi Gjykata Speciale të mërkurën.
“Përveç kësaj, ekipet e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se do ta informojnë Trupin Gjykues nëse synojnë të paraqesin çështjet e tyre pas vendimit lidhur me mocionet sipas Rregullës 130”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Kujtojmë, se Gjykata Speciale deri tash ka dënuar për krime lufte dy ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet nën akuzat për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Ndërsa Pjetër Shala, është dënuar me 18 vjet heqje lirie për veprat penale ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.