Nesër do të mbahet seanca e radhës si përpjekje për konstituimin e kuvendit.
Seanca e nesërme do të jetë e teta me radhë, kjo pasi të dielën kishte dështuar për herë të shtatë kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për t’u bërë kryetare e Kuvendit.
Pas gati tre muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, procesi ka mbetur për shkak të mos pajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postin e kryetarit të Kuvendit.
Konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill, po dështon për shkak se Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.
Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu vazhdon të marrë vetëm 57 vota.
Deputetët e opozitës së deritanishme thanë të dielën se kjo gjendje tregon se Kurti nuk i ka votat madje as për krijimin e Qeverisë së re.
Gjersa nga opozita nuk përjashtojnë gatishmërinë e tyre për zgjedhje të reja si opsion për dalje nga kriza, në media ekzistojnë propozime edhe për qeveri gjithëpërfshirëse.
Sipas raportimeve, një qeveri gjithëpërfshirëse do të ishte e përkohshme dhe do t’ua mundësonte partive të çojë përpara proceset e rëndësishme të vendit.
Njohësi i zhvillimeve në vend, Korab Blakaj, thotë se një qeveri gjithëpërfshirëse shqiptare nuk është ide e thjeshtë për t’u zbatuar.
Sipas tij, ajo kërkon kontekst të veçantë, vullnet të madh politik dhe një qëllim kombëtar që e tejkalon përkohësinë e posteve.
“Kjo ide – bashkimi i të gjitha partive shqiptare në një qeveri kombëtare – është një koncept që shpesh del në skenë në momente krizash ose tensionesh të larta, si tani, kur vendi po përballet me presion të trefishtë: politik të brendshëm, rrezik sigurie nga Serbia, dhe kërkesa të forta ndërkombëtare për përmbushje të obligimeve. Megjithatë, një qeveri gjithëpërfshirëse shqiptare nuk është ide e thjeshtë për t’u zbatuar – kërkon një kontekst të veçantë, vullnet të madh politik dhe një qëllim kombëtar që e tejkalon përkohësinë e posteve.
Çfarë do të nënkuptonte realisht një “qeveri gjithëshqiptare”? Një qeveri me pjesëmarrjen e:VV-së (si partia fituese),LDK-së (opozita me ndikim),PDK-së (me bazë tradicionale dhe strukturë organizative),AAK-së (mbështetje në Dukagjin dhe profil të fortë kombëtar), do të nënkuptonte një unitet institucional të paprecedentë në historinë e pasluftës”, deklaron Blakaj.
Ai përmend karakteristikat e një qeverie gjithëpërfshirëse.
“Kjo qeveri do të kishte dy karakteristika: Shumicë të pakontestueshme në Kuvend – mjaftueshëm për të kaluar çdo ligj madhor, reformë kushtetuese apo marrëveshje ndërkombëtare. Mbulim të gjerë shoqëror dhe gjeografik, duke përfshirë pothuajse çdo segment të elektoratit shqiptar.
Ky model funksionon vetëm në situata të jashtëzakonshme, për tre arsye kryesore: 1. Në rast kërcënimi të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit (sigurisë)
Nëse Serbia vazhdon të nxisë tensione në veri dhe rritet rreziku për destabilizim të armatosur apo terrorist, uniteti politik bëhet mburojë kombëtare. Kjo lloj qeverie do të ishte e orientuar për menaxhim të krizës dhe do të funksiononte më shumë si “qeveri emergjente e unitetit kombëtar”.
2. Përballë një procesi madhor ndërkombëtar (si marrëveshje finale me Serbinë)
Nëse në tavolinë vjen një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila kërkon ndryshime kushtetuese, votime me shumicë të dyfishtë në Kuvend apo referendum, atëherë një qeveri e bashkuar do të kishte legjitimitetin për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët politikisht.
3. Për një periudhë tranzicioni drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Tutje, sipas tij, qeveria e tillë do ta dobësonte balancën politike.
“Nëse partitë nuk arrijnë të ndërtojnë një shumicë stabile me partnerë të zakonshëm, një qeveri gjithëpërfshirëse mund të funksionojë për disa muaj si qeveri tranzitore, me mandat të përkohshëm për reformë zgjedhore dhe organizim të zgjedhjeve të reja.Mungesë e opozitës reale – Demokracia ka nevojë për kontroll institucional dhe zë kritik. Një qeveri e tillë do ta dobësonte balancën politike. Konflikt interesash në vendimmarrje – shumë parti nën një çati nënkupton shumë interesa, fraksione dhe ego politike. Mund të kthehet në bllokadë të brendshme. Rrezik i keqkuptimit si "pakt për ndarje të pushtetit" dhe jo për interes kombëtar”, shton njohësi.
Në fund, ai thotë se qeveria gjithëpërfshirëse shihet si manovër për të shmangur zgjedhjet apo për të ruajtur pushtetin.
“Një qeveri gjithëpërfshirëse shqiptare mund të ketë kuptim historik vetëm në rrethana të jashtëzakonshme – si krizë e thellë e sigurisë apo një proces shtetformues përmbyllës. Nëse shihet si manovër për të shmangur zgjedhje apo për të ruajtur pushtetin, e humb menjëherë legjitimitetin dhe efikasitetin. Kjo ide – bashkimi i të gjitha partive shqiptare në një qeveri kombëtare – është një koncept që shpesh del në skenë në momente krizash ose tensionesh të larta, si tani, kur vendi po përballet me presion të trefishtë: politik të brendshëm, rrezik sigurie nga Serbia, dhe kërkesa të forta ndërkombëtare për përmbushje të obligimeve. Megjithatë, një qeveri gjithëpërfshirëse shqiptare nuk është ide e thjeshtë për t’u zbatuar – kërkon një kontekst të veçantë, vullnet të madh politik dhe një qëllim kombëtar që e tejkalon përkohësinë e posteve”, përfundon Blakaj.