Profesori Hasani, me një kërkesë drejtuar BE-së, zbulon taktikën e Serbisë

Politika

Profesori Hasani, me një kërkesë drejtuar BE-së, zbulon taktikën e Serbisë

Nga: A.M. Më: 7 maj 2025 Në ora: 22:50
Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka arritur në Moskë. Vuçiq do të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq.

Profesori Refik Hasani, në një prononcim për “Bota Sot”, ka komentuar vizitën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Rusi.

Gjithashtu, Hasani ka zbuluar taktiken e Serbisë, duke theksuar se ajo po përpiqet të krijojë një perceptim të rremë, sikur është në përkrahje të Bashkimit Evropian dhe aleancës ushtarake NATO.

Image
Refik Hasani

“Pas pasnesër, më 9 maj, presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq në Moskë.

Kjo ndodh në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit janë tejet të tensionuara për shkak të luftës në Ukrainë, ku Rusia ka ndërmarrë një invazion ushtarak.

Kjo pjesëmarrje tregon qartë se Serbia dëshiron, ka qenë, është dhe do të mbetet në anën e Rusisë.

Prej kohësh, Serbia po përpiqet të krijojë një perceptim të rremë se është në përkrahje të BE-së dhe aleancës ushtarake NATO.

Megjithatë, Serbia me zemër dhe vullnet është më shumë pro bashkëpunimit vëllazëror me Rusinë sesa me BE-në apo NATO-n”, ka thënë ai.

Po ashtu, Hasani ka drejtuar një kërkesë ndaj Bashkimit Evropian, duke theksuar se nuk duhet ta përkëdhelë Serbinë.

“E kemi theksuar disa herë se Beogradi është shumë më afër Kremlinit sesa Bashkimit Evropian.

Serbia është krijuar si shtet, është rritur dhe është zgjeruar territorialisht me ndihmën e Rusisë cariste. Ajo është një krijesë artificiale, dhe për këtë arsye, si nga analet e Kishës Ortodokse Serbe, ashtu edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, do të vazhdohet që kjo krijesë të mbështetet nga "vëllezërit rusë".

Serbia është kundër Amerikës, kundër NATO-s dhe kundër frymës së Bashkimit Evropian.

Shtetet anëtare të BE-së duhet ta kenë të qartë se Serbia dëshiron të duket si aleate e BE-së, por në thelb është me Rusinë.

BE-ja duhet të vëzhgojë dhe të masë veprimet e Serbisë, dhe jo ta përkëdhelë atë, sepse Serbia është pro Rusisë dhe kundër BE-së dhe SHBA-së”, ka përfunduar Hasani.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat