Situata politike në Kosovë “nuk është në ditët” e saja më të mira. Zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë arritur të nxjerrin një fitues absolut dhe kësisoj me votat e fituara partia e parë nuk po arrinë të konstituojë Kuvendin në mënyrë që t’i hap rrugë qeverisë.
Pas një muaj përpjekje dhe dështimeve të një pas njëshme, presidentja Vjosa Osmani, ka provuar ta marrë situatën në dorë për zhbllokimin e kuvendit.
Osmani kishte ftuar të enjten liderët e partive politike në Kosovë për të diskutuar rreth zhbllokimit të Kuvendit, por as takimi i tyre nuk ka sjellë ndonjë gjë të re.
Presidentja Osmani ka thënë pas takimit se nuk ka pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se ka parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
“Dua t’i përgëzoj liderët për qasjen e tyre konstruktive në këtë takim, sado që kishin qëndrime të ndryshme në shumicën dërrmuese të temave. Secili prej tyre tregoi vullnet të mirë për një zgjidhje përpara, që të konstituohet kuvendi sa më parë”, ka deklaruar Osmani.
Osmani u shpreh se ky ishte vetëm takimi i parë dhe paralajmëroi se takimet do të vazhdojnë edhe javën tjetër me secilin lider veç e veç, nëse është e nevojshme.
Në anën tjetër, analistët politikë thonë se dalje nga kriza nuk ka dhe se ka qenë e pritshme që takimi me të të mos ketë sukses.
Kriza, hapat dhe liria e Kosovës
Analisti Skënder Zogaj, thotë se pas takimit me presidenten u dëshmua se nuk ka zgjidhje, por vetëm zhagitje drejt gremisë së madhe.
Sipas tij, hapat e tjerë nuk mund të parashikohen.
“Ftesa e Presidentes Osmani për partitë politike ishte një shprehje e vullnetit të mirë, e cila është dashur të gëzojë një konsideratë më të mirë dhe të shërbejë si rast reflektimi për të kuptuar marrëzinë që e ka përfshirë Kosovën, e cila mund të sjellë pasoja të rënda.
Është absurde vetëdija dhe papërgjegjësia kaq bizare e partive politike, të cilat janë për t’u vajtuar dhe përbëjnë dëshmi se skena politike është në kolaps. Këto parti janë autike!
Pas takimit me Presidenten, u dëshmua se dalje nga kriza nuk ka! Nuk ka zgjidhje, por vetëm zhagitje drejt greminës së madhe që na pret.
Hapat e mëtejmë nuk mund të parashikohen, sepse me parti që i ka zënë “epidemia e derrave”, nuk ka mundësi të arrihet ndonjë rezultat për një shoqëri që pretendon të jetë demokratike”, deklaron Zogaj.
Sipas tij, Kosova ende është një shtet në luhatje, shumë i brishtë dhe për fat të keq jo fort e sigurt.
“Publiku, por edhe specialistët, kohëve të fundit po e theksojnë pyetjen: "Kush duhet të lëshojë pe për ta zhbllokuar situatën?" Unë mendoj se askush nuk duhet të lëshojë pe, por të gjithë duhet të kryejnë obligimin e tyre moral, kushtetues dhe historik.
Kosova është çliruar dhe është shpallur e lirë dhe e pavarur, por ende nuk është as e lirë dhe as e pavarur — është një shtet në luhatje, shumë i brishtë dhe, për fat të keq, fort i pasigurt!”, shton analisti.
Liderët e partive politike pas takimit me presidenten nuk ishin opitimist.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partitë politike kryesisht qëndruan në pozicionet e tyre paraprake, "që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik dhe nuk ka as iniciativë që do të zhbllokojë këtë gjendje të tanishme".
Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës u shpreh se “siç mund ta shihni, nuk ka dalë tym i bardhë, pra nuk ka risi”.
“Nuk jam optimist që Kurti do ta ndërrojë propozimin. Ai nuk i ka votat as për komision as për kryetare e as për kryeministër. Duke mos i pasur votat po e mban peng krejt shtetin”, deklaroi Krasniqi pas takimit.
Krasniqi dhe Abdixhiku thanë se presidentja do të duhej ta shqyrtonte dërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shtoi se “ne e kemi dhënë idenë tonë si të ecim përpara, pra për ta votuar një kandidat për kryetar të Kuvendit, një person unifikues në mënyrë që ta kalojmë në një etapë tjetër”
Kurse, Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka folur për gazetarë pas takimit.
Vazhdim i krizës politike?
Analisti Faton Mehmeti, deklaron se janë vetë partitë politike në Kuvend ato që mund ta zhbllokojnë procesin.
Sipas tij, kjo gjendje do të vazhdojë deri në aktivizimin e faktorit ndërkombëtar.
“Ka qenë e pritshme që takimi i Presidentes Vjosa Osmani nuk do të sjellë sukses, pasi presidentja nuk ka kompetenca për ta ndryshuar situatën. Janë vetë partitë politike në Kuvend ato që mund ta zhbllokojnë procesin. Derisa nuk ka vullnet, është e vështirë të pritet ndonjë ndryshim i situatës. Pres dhe besoj se, nëse kjo gjendje vazhdon, do të aktivizohet faktori ndërkombëtar. Ambasadori gjerman tashmë ka dhënë një deklaratë në këtë drejtim. Pres që edhe Ambasada Amerikane të ketë një reagim më të ashpër dhe "kërcënues" ndaj deputetëve dhe liderëve të partive, për të zhbllokuar këtë situatë absurd”, deklaron Mehmeti.
Sipas tij, opozita dhe partia fituese duhet të lëshojnë pe.
“Kosova çdo ditë po humb fonde dhe mundësi të mëdha, për shkak të një situate sa komike, aq edhe absurde, ku të dyja palët janë pozicionuar si dy qytete mesjetare që nuk flasin, por vazhdojnë këtë "cirkus". Është e tmerrshme dhe e pafalshme që, ndërkohë që çmimet rriten dhe jeta bëhet gjithnjë e më e vështirë për qytetarët, kjo gjendje vazhdon pa asnjë zgjidhje. Opozita, por edhe partia fituese, duhet të lëshojnë pe — pa pritur që të vijë ultimatumi amerikan”, përfundon Mehmeti.