Kuvendi në ngërç: 18 dështime, paralajmërim për krizë të thellë – Çfarë pritet të ndodhë?

Politika

Kuvendi në ngërç: 18 dështime, paralajmërim për krizë të thellë – Çfarë pritet të ndodhë?

Nga: N.E Më: 19 maj 2025 Në ora: 13:55
Foto ilustrim

Që nga 15 prilli deputetët e Kuvendit të Kosovës ccdo 48 orë “shkojnë” në kuvend për ta konstituar, por pa rezultat.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk heq dorë nga kandidati i saj për kryetar të Kuvendit, Albulena Haxhiu edhe pas dështimeve për t’i siguruar votat.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka akuzuar partitë e tjera në Kuvend se me votën e tyre kundër po bllokojnë konstituimin e legjislaturës së nëntë të legjislativit.

Pas dështimit për herë të tetëmbëdhjetë të zgjedhjes së trupave të Kuvendit, Basha para mediave tha se “LVV-ja po tregohet konstruktive duke tentuar të zgjidh krizën politike në vend”, mirëpo, sipas tij, nuk mund të ia “plotësojnë dëshirat PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që pa ndonjë arsye të shëndoshë të tërhiqen nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare”.

“LDK-ja del thotë ne nuk votojmë asnjë kandidat. LDK-ja është komplet përgjegjëse për bllokimin. PDK-ja thotë ne nuk votojmë asnjë kandidat që ka qenë pjesë e qeverisë. AAK-ja thotë ne kemi një propozim tonin. Propozimi na takon neve dhe derisa dikush nuk ka asnjë arsye të shëndosh që del e kundërshton zonjën Haxhiu, atëherë ne nuk mundemi me iu nënshtruar dëshirave të opozitës. Bllokimi vjen prej tyre dhe nuk është përgjegjësi e jona me i plotësu dëshirat atyre”, tha ai.

Opozita kërkon me ngulm ndryshimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas dështimit të përpjekjes së 18-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndërrojë kandidaten për kryeparlamentar, derisa e vlerësoi gjendjen e shtetit si emergjente.

“Edhe sot patën përpjekjen e njëjtë që të shtyhen këto seanca dhe të mbahen në kundërshtim me rregulloren një herë në javë, por vullneti i partive tjera ishte që kjo të mos ndodhë. Sa na përket neve si PDK, nuk duhet të pritet as dy ditë, sepse rregullorja thotë brenda 48 orëve, por kjo mund të ndodhë brenda 24 orëve dhe nuk do të ishte fare e gabueshme nëse mblidhemi çdo ditë, sepse ky do të ishte parasegjithash një detyrim që e kemi para votuesve dhe ndoshta një presion ndaj njëri-tjetrit që të dilet nga kjo situatë, por nuk pres që një gjë e tillë të ndodhë për shkak të faktit tashmë të dëshmuar që Vetëvendosje nuk është e interesuar të zhbllokojë situatën”, ka theksuar Krasniqi.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u shpreh se lideri i VV-së, Albin Kurti sot do duhej të reflektonte e të ndryshonte kandidatin e saj për kryeparlamentar.

Ai madje deklaroi prerazi se janë kundër votimit të fshehtë.

”Duket një deja vu. Derisa nuk ka një marrëveshje mbetet e njëjta”.

”Tash nuk bëhet llaf më për pushtet, flasim për partinë që ka dalë e para në zgjedhje. Është antikushtetues ndryshimi i mënyrës së votimit gjatë vazhdimit të seancës”.

”Është ofertë e mirë dhe zotri Kurti sot ish dashtë me reflektu [ ta ndërrojë kandidatin]”.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas dështimit të 18-të, ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione.

“Mungesa e urgjencës është vërtetë lajm i keq për Republikën, Kosova ka nevojë për institucione,për veprime politike të partisë së parë”, u shpreh Abdixhiku.

I pari i LDK-së shtoi se është e pakuptimtë që LVV nuk po arrin të bëjë një shumicë minimale.

“E pakuptueshme që një parti me 48 deputetë nuk arrin të bëjë një shumicë minimale”, ka shtuar Abdixhiku.

Analisti politik, Eduard Gashi, thotë se klasa politike ndodhet në një ngërç serioz.

Sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje tregon më shumë sesa thjesht mospërputhje politike.

“Takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike, zhvilluar të enjten për të gjetur zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret. Ky është një sinjal i qartë se klasa politike ndodhet në një ngërç serioz, jo vetëm numerik, por edhe strategjik dhe kulturor sa i përket mënyrës së menaxhimit të krizave politike në një sistem parlamentar. Mungesa e një marrëveshjeje tregon më shumë sesa thjesht mospërputhje politike. Ajo tregon mungesë vullneti për kompromis dhe mungesë përgjegjësie ndaj qytetarëve. Edhe pse partitë janë thirrur për të diskutuar për një nga funksionet më bazike të një demokracie parlamentare – konstituimin e Kuvendit – ato kanë ardhur në takim me axhenda të ngurta dhe të orientuara më shumë nga interesi partiak sesa nga ai shtetëror. Kuvendi është institucioni themelor i demokracisë parlamentare. Nëse ai nuk funksionon, asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë legjitimitet. Mospajtimi për përbërjen e kryesisë së Kuvendit, posaçërisht për postin e kryetarit, është bërë nyja e bllokadës, dhe si duket, asnjëra palë nuk po dëshiron të bëjë hapin e parë për kompromis”, shprehet Gashi.

Image
Analisti politik, Eduard Gashi

Sipas tij, partia që ka dalë e para në zgjedhje ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrim moral dhe politik për të bërë lëvizjen e parë drejt zgjidhjes.

“Në këtë fazë paszgjedhore, nuk ka ende një qeveri legjitime, pasi nuk është krijuar shumica parlamentare. Megjithatë, partia që ka dalë e para në zgjedhje ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin moral dhe politik për të bërë lëvizjen e parë drejt zgjidhjes. Nëse ajo nuk ka numrat për të kaluar kandidaturën e propozuar për kryetar Kuvendi, atëherë duhet të reflektojë dhe të ofrojë zgjidhje alternative – qoftë përmes një kandidati tjetër, qoftë përmes një marrëveshjeje më të gjerë politike që përfshin ndarjen e posteve në mënyrë më gjithëpërfshirëse. Nga ana tjetër, opozita ka po ashtu përgjegjësi: nëse synon të bllokojë vetëm për të imponuar një krizë, pa ofruar një vizion të qartë alternativ, atëherë edhe ajo është bashkëpërgjegjëse për paralizën institucionale. Demokracia nuk është thjesht një lojë numrash – është edhe një kulturë bashkëpunimi në interes të qytetarëve”, thekson analisti.

Ai përmend rreziqet që mund të jenë si pasojë e vazhdimit të kësaj situate, por mbi të gjitha ai thotë se rrezikohet të minohet besimi i qytetarëve në institucionet dhe në systemin demokratik në tërësi.

“Nëse Kuvendi nuk konstituohet, nuk mund të zgjidhet as Qeveria, dhe vendi mbetet pa një ekzekutiv legjitim. Në një situatë të tillë, të gjitha çështjet strategjike, financiare dhe diplomatike të vendit mbeten në limbo. Mbi të gjitha, rrezikohet të minohet besimi i qytetarëve në institucionet dhe në sistemin demokratik si tërësi. Një krizë e zgjatur institucionale mund të çojë në: • Paralizë buxhetore dhe administrative • Humbje të besimit ndërkombëtar • Rënie të investimeve • Rritje të tensioneve sociale dhe politike • Shtyrje të reformave euroatlantike”, pohon Gashi.

Si hapa të mëtutjeshme, Gashi konsideron se duhet të ketë një raund të ri negociatash opsionit të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjet e reja.

“Cilat duhet të jenë hapat e mëtutjeshëm? a. Një raund i ri negociatash më i strukturuar. Presidentja duhet të marrë një rol më aktiv dhe ndërmjetësues, ndoshta përmes takimeve dypalëshe, jo vetëm në formate të gjëra. b. Krijimi i një marrëveshjeje për postet institucionale, ku çdo palë pranon të marrë pjesë në ndërtimin e institucioneve pa kushte maksimaliste. c. Nëse nuk arrihet marrëveshje, atëherë duhet të shqyrtohet seriozisht mundësia e një opinioni nga Gjykata Kushtetuese për të përcaktuar rrugën përpara nëse bllokada vazhdon. d. Në skenarin më ekstrem, shkohet drejt zgjedhjeve të reja – megjithëse kjo do të thellonte krizën dhe do të dërgonte sinjale negative, por mund të shihet si dalje e vetme nëse çdo rrugë tjetër dështon”, shton analisti.

Në fund, Gashi shton se palët që lëshojnë pe nuk do të shihen si dobësi, por si forcë udhëheqse që mendon për shtetin dhe qytetarin dhe jo vetëm për partinë.

“Lëshimi i pe-së nuk është akt nënshtrimi, por pjekurie politike. Në këtë rast, duhet të lëshojnë pe ata që e kuptojnë se bllokada po dëmton vendin më shumë se çdo përfitim partiak afatshkurtër. Palët që pretendojnë të kenë përgjegjësi të madhe politike, që kanë synime për drejtim të shtetit apo për të ndikuar në reformën e thellë institucionale, duhet të jenë të parat që lëshojnë terren. Kjo nuk do të shihet si dobësi, por si forcë udhëheqëse që mendon për shtetin dhe qytetarin, jo vetëm për partinë. ⸻ Përfundim: Kosova ndodhet në një pikë kyçe. Zgjidhja e krizës nuk është vetëm çështje e numrave, por e mentalitetit politik. Nëse partitë nuk e kuptojnë se demokracia kërkon bashkëpunim dhe jo vetëm fitore, atëherë vendi rrezikon të mbetet peng i një lufte të pafrytshme politike, ku humbësit më të mëdhenj do të jenë qytetarët”, përfundon Gashi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat