Pse shqiptarët nuk “bëjnë” bashkë?/ Dorëheqja e Taravarit - Njohësit flasin dhe japin arsyet e dorëheqjes!

Politika

Pse shqiptarët nuk “bëjnë” bashkë?/ Dorëheqja e Taravarit - Njohësit flasin dhe japin arsyet e dorëheqjes!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 19 maj 2025 Në ora: 20:19
Arben Taravari

Arben Taravari ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut. Dorëheqja e tij i është dorëzuar kryeministrit të ri, Hristijan Mickoski, duke shënuar kështu një fund formal të angazhimit të Taravarit në këtë funksion qeveritar.

Vendimi vjen pas ndryshimeve politike që pasuan zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, ku formimi i qeverisë së re ka sjellë rikonfigurime të pozicioneve ministrore.

Taravari, një figurë e njohur politike dhe pjesë e Aleancës për Shqiptarët, ka shërbyer në këtë post me fokus në reformimin e sistemit shëndetësor dhe përballimin e sfidave të sektorit gjatë viteve të fundit. Ai ende nuk ka komentuar zyrtarisht për të ardhmen e tij politike, megjithatë pritet që të mbetet aktiv në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Hristijan Mickoski ende nuk ka emëruar pasardhësin e Taravarit në Ministrinë e Shëndetësisë.

Shabani: Dorëheqja erdhi pas disa takimeve mes Taravarit dhe Ali Ahmetit

Image
Amir Shabani

Njohësi i politikës në Maqedoni, Amir Shabani, thotë se kjo dorëheqje erdhi pas disa takimeve mes Taravarit dhe Ali Ahmetit, që sipas Shabanit dyshohet për "pazare" të futjes së BDI-së në qeveri dhe largimin e VLEN-it.

Derisa, thotë se votuesit shqiptarë e konsiderojnë të pahijshëm vendimin e Taravarit.

“Tërheqja e ish-ministrit të shëndetësisë, Dr. Arben Taravari nga qeveria dhe nga koalicioni shqiptar në pushtet VLEN, erdhi si pasojë e realizimit të disa takimeve mes Taravarit dhe Ali Ahmetit të BDI-së, gjë që dyshohet për "pazare" të futjes së BDI-së në qeveri dhe largimin e VLEN-it.

Vendimi ka ardhur pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski i cili me shumë gjasë nuk ka pranuar një "pazar" të tillë dhe se ka qëndruar korrekt ndaj parterit shqiptar në qeveri.

VLEN-i dhe votuesit shqiptarë e konsiderojnë të pahijshëm vendimin e Taravarit në një periudhë kur duhej të qëndronin të bashkuar dhe ashtu siç fituan zgjedhjet parlamentare, t'i fitonin edhe ato lokale, por fatkeqësisht plani për ideal (nëse ka ekzistuar një i tillë) ishte afatshkurtër. Megjithatë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut duket stabile dhe se do të ketë riformësim të disa pozicioneve, ndër to edhe Ministria e Shëndetësisë ku do të zëvendësohet Arben Taravari”, thekson Shabani për “Bota sot.

Mehazi: Dorëheqja dhe ikja e tij nga Vleni është ironike, cinike, mashtruese

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka komentuar dorëheqjen e Arben Taravarit nga posti i ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, duke e quajtur atë një akt të detyruar nga rrethanat politike dhe jo një vendim të lirë të vetë Taravarit.

Sipas Mehazit, dorëheqja nuk ishte në dëshirën apo planin e Taravarit, por një pasojë e presionit nga kryeministri i ri, Hristijan Mickoski.

Ai përmend një "paralajmërim simbolik" të kryeministrit për një “kafe të fundit dhe përshëndetëse”, që sipas tij ishte një mesazh i qartë politik që e detyroi Taravarin të largohej, vetëm për t’u justifikuar para qytetarëve dhe votuesve shqiptarë.

“Dorëheqja e Arben Taravarit nga posti i Ministrit të Shëndetësisë nuk ka qenë dëshirë e tij, por e kryeministrit të RMV-së, Mickoskit që e paralajmëroi Taravarin për kafen e fundit dhe përshëndetëse, ky paralajmërim i kafes së fundit të kryeministrit Mickoski e detyroi Taravarit të jap dorëheqja vetëm  për t'u arsyetuar para qytetarëve dhe të 100 e 7000 votueve shqiptarë. Argumenti tjetër është, se Taravari para se të dorëhiqet lavdëroi Mickoskin, se është njëri ndër kryeministrët më të mirë deri më tani për shqiptarë e në anën tjetër ik nga qeveria e tij.

Ikja e Taravarit nga qeveria ka doza hipokrizie

Në përgjithësi politikanët shqiptarë përveç Albin Kurtit, janë hipokritë të padukshëm, po ja që Taravari me veprimet e fundit tregoi hipokrizi politike më të hapur e më të dukshëm para qytetarëve shqiptarë të RMV-së.

Cilësitë e politikanëve hipokritë janë:

-para qytetarëve ndryshe folin, ndryshe mendojnë e ndryshe punojnë, njëri prej tyre është Taravari i cili njëkohësisht ndryshe flet, ndryshe mendon, ndryshe punon.

Politikanët me karakter hipokrizie ndëshkojnë partinë dhe shpirtin e vetë e kurrsesi popullin.

Hipokrizia është cilësi e të mjerëve, hipokritët kurrë nuk gjejnë paqë brenda vetes për shkak se kërkojnë arsyetime hipokrite nga të tjerët”, thotë profesori.

Tutje, profesori akuzon Taravarin për hipokrizi të thellë, duke thënë se si neurolog, ai më shumë po “shton pacientë” sesa zgjidh hallet e qytetarëve.

Sipas tij, veprimet e Taravarit janë psikolabile dhe të motivuara vetëm nga interesat personale.

Ai ngre disa hipoteza për arsyet e largimit të tij nga VLEN dhe qeveria: refuzimi për shkrirjen e ASH-së në VLEN, frika nga ndonjë material komprometues në dorë të Ahmetit, apo presione nga biznesmeni shqiptar Samir Manaj në emër të Ramës e Ahmetit.

Mehazi thotë se Taravari ka mbetur i izoluar politikisht, pasi ka hidhëruar një sërë figurash politike, përfshirë Ahmetin, Selën, Mickoskin, Kasamin, Mexhitin, Gashin, Kurtin dhe mijëra votues shqiptarë.

“Dorëheqja dhe ikja e tij nga Vleni është ironike, cinike, mashtruese që tregon rrugën e Taravarit drejt BDI-së opozitare, që e kritikonte, shante dhe ofendonte kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, si person me të meta neuro-psikiatrike, kurse tani Taravari shkon në prehrin e të "sëmurit për mend", Ali Ahmetin për ta shpëtuar ai. I vetë pëlqyeri Arben Taravari nuk çon politikë mirëqenies për të shëruar qytetarët dhe votuesit shqiptarë, por çon politikë neurologjike për të bërë më shumë pacientë si specialist i neurologjisë që është.

Pra, veprimet politike të Arben Taravarin janë psikolabile që luan lojëra të trefishta vetëm për interesat e veta personale.

Pse u largua Taravari nga Vleni e qeveria?, nuk mund ta dimë, por na lejohet të japim disa mendime:

Ndoshta Taravari nuk ka dashur të shkrihet ASH-ja e tij në VLEN?

Ndoshta Taravarin e ka kapur keq në korrupcion Ali Ahmeti dhe nga frika është kthyer në anën e BDI-së;

Ndoshta biznesmeni i fuqishëm i Shqipërisë, Samir Manaj e ka kushtëzuar si ministër Taravarin në emër të Ramës dhe Ahmetit të largohet nga qeveria dhe Vleni?

Edhe vetë Taravari e vëren se ka mbetur i vetmuar si qyqe, i ka hidhëruar të gjithë: para një viti, gjatë zgjedhjeve parlamentare hidhëroi Ali Ahmetin dhe Selën, tani ka hidhëruar Mickoskin dhe ka tradhtuar Kasamin, Mexhitin, Zekirianin, Gashin, Kurtin dhe 100 e 7000 votuesit dhe atë për një Gostivar që do ta humb, s'e kupton që gjate zgjedhjeve lokale të gjithë ata që i ka hidhëruar do lidhen bashkë për ta deklasuar Taravarin në Gostivar.

Nuk është e rastësishme dorëheqja e Salim Sulejmanit nga posti i deputetit dhe nga funksionet e larta partiake të partisë së Taravarit, ASH-së”, përfundon Mehazi për gazetën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat