Kërcënimi ndaj Presidentes Osmani – Dashevci: Siguria e shtetit është më e fortë se çdo kërcënim

Politika

Kërcënimi ndaj Presidentes Osmani – Dashevci: Siguria e shtetit është më e fortë se çdo kërcënim

Nga: A.M. Më: 21 maj 2025 Në ora: 20:32
Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë përmes një mesazhi të dërguar në adresë zyrtare të Presidencës.

 Nga Presidenca e Kosovës kanë njoftuar  se rasti është raportuar menjëherë te organet kompetente për hetime të mëtejshme.

Kurse, këtë rast e kanë konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Lidhur me këtë rast, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, ka deklaruar për “Bota sot” se institucionet e sigurisë i trajtojnë me seriozitet të lartë të gjitha kërcënimet dhe se në të kaluarën ato kanë qenë të suksesshme në identifikimin dhe kapjen e personave që kanë kërcënuar zyrtarët shtetërorë.

 “Organet tona te sigurisë i trajtojnë me shumë seriozitet rastet e kërcënimeve çfarëdo lloji qoftë ai kërcënim.

Dhe, kur është në pyetje kreu i shtetit (Presidentja në këtë rast) trajtohet me prioritet dhe seriozitetin maksimal në 24/7.

Organet tona të sigurisë gjithmonë kanë qenë të suksesshme në rastet që kanë ndodhur mê përpara në identifikimin dhe kapjen e personave që kërcënojnë zyrtarët shtetërorë”, ka theksuar ai.

Dashevci, ka theksuar se roli i Policisë dhe AKI-së është thelbësor në grumbullimin, analizën dhe trajtimin e kërcënimeve, si nga individët ashtu edhe nga grupet.

Image
Arben Dashevci

Sipas tij, në rajonin e Ballkanit, institucionet e Kosovës janë ndër më të suksesshmet në këtë fushë, dhe vlerësimi i rrezikshmërisë i takon ekskluzivisht këtyre institucioneve.

“Roli i Policisë dhe AKI është krucial në grumbullimin, përpunimin, analizën e informacionit (AKI) identifikimin, zbulimin dhe kapjen e individëve, por edhe grupeve kërcënuese (Polici në bashkëpunim me AKI).

Gjithçka merret me seriozitetin më të lartë, trajtohet dhe punohet me seriozitetin më të lartë.

Institucionet tona janë mjaft të përgatitura për të parandaluar,zbuluar çfarëdo lloj kërcënimi.

Dhe në rajonin e Ballkanit institucionet tona mendoj unë në këtë aspekt janë më të përgatiturat në parandalimin e kërcënimeve,sepse kanë pasur gjithmonë suksesin maksimal.

Dhe është punë që u takon institucioneve të sigurisë se si e trajtojnë nivelin apo shkallën e rrezikshmërisë për këto raste”, ka përfunduar Dashevci për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat