A po rrezikohet stabiliteti nga bllokada e partive politike? Ja çka paralajmërojnë ekspertët

Politika

A po rrezikohet stabiliteti nga bllokada e partive politike? Ja çka paralajmërojnë ekspertët

Arife Morina- Mulaku Nga Arife Morina- Mulaku Më 26 maj 2025 Në ora: 12:03
Foto ilustrim

Kosova po përballet me sfida që nga përfundimi i zgjedhjeve të reja parlamentare.

Mirëpo, sfida kryesore për momentin është konstituimi i Kuvendit dhe zhbllokimi i tij.

Sërish, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të dielën – për herë të 21-të radhazi – ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Dështimi për ta bërë Kuvendin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.

Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve.

E përveç kësaj, nga ky ngërç politik po vihet në pikëpyetje edhe stabiliteti i sigurisë së vendit, duke marrë parasysh qe kemi vetëm institucione në detyrë.

Kjo bëhet edhe më e rrezikshme, kur dihen synimet dhe provokimet e vazhdueshme të Serbisë dhe qeverisë së saj.

Gjithashtu, disa organizata të shoqërisë civile në vend i bënë thirrje partive "të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës".

Ato thanë se kriza institucionale me bllokimin e konstituimit të Kuvendit "ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit".

E në lidhje me atë se si ndikon krejt ky ngërç në aspektin e sigurisë, folën njohësit e kësaj çështje.

Gecaj: Ruajtja e stabilitetit nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shoqërisë politike dhe qytetar

Në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.

Së pari, tha se numri i dështimeve të seancave për konstituim është tregues i një krize serioze, e cila rrezikon edhe stabilitetin e vendit, madje këtë në disa dimensione.

Sipas tij, mungesa e institucioneve me funksione të plota krijon pasiguri në shoqëri. 

“Dështimi i përsëritur në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tashmë për të 21-tën herë, është një tregues serioz i një krize të thellë politike dhe institucionale. Një situatë e tillë, nëse zgjat më tej, pa dyshim se rrezikon stabilitetin e vendit në disa dimensione.

Së pari, mungesa e institucioneve funksionale e paralizon shtetin në vendimmarrje, zbatimin e ligjeve dhe përfaqësimin ndërkombëtar. Në një kontekst rajonal të ndjeshëm dhe në një periudhë kur Kosova ka nevojë për konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtar dhe përballje me sfida të sigurisë dhe zhvillimit, kjo bllokadë është tepër e dëmshme.

Së dyti, kjo qasje bllokuese cenon besimin e qytetarëve te demokracia dhe te përfaqësuesit e tyre. Kur Kuvendi nuk arrin as të konstituohet, mesazhi që i dërgohet opinionit publik është ai i një klase politike të paaftë për të marrë përgjegjësi. Kjo thellon hendekun mes institucioneve dhe qytetarëve, dhe mund të rrisë frustrimin dhe pasigurinë në shoqëri”, theksoi ai.

Image
Hysen Gecaj

Krahas kësaj, eksperti potencoi se deputetët duhet ta marrin seriozisht situatën dhe të punojnë për daljen nga kjo bllokadë, pasi që ruajtja e stabilitetit nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por e gjithë shoqërisë politike.

“Po ashtu, përfaqësuesit e popullit duhet ta shohin këtë situatë me seriozitetin maksimal. Krizat politike janë pjesë e çdo demokracie, por zgjidhja e tyre kërkon vullnet politik, dialog dhe respekt për mandatin që u ka dhënë qytetari. Të gjithë akterët politikë, pa përjashtim, duhet të vënë interesin e vendit mbi kalkulimet partiake.

Në fund, duhet theksuar se ruajtja e stabilitetit nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shoqërisë politike dhe qytetare. Çdo vonesë tjetër i bën dëm Kosovës – si në sytë e qytetarëve të saj, ashtu edhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Softa: Mosformimi i institucioneve legjitime e pengon funksionimin demokratik të shtetit

Ndërsa, edhe eksperti tjetër, Fatjon Softa e vlerëson shqetësusese situatën, pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituim të Kuvendit.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” përmendi disa rreziqe për stabilitetin e sigurisë, nga kjo bllokadë e krijuar. Eksperti theksoi, rrezikun për funksionimin demokratik, uljen e besimit të qytetarëve dhe dëmtimin e imazhit ndërkombëtar.

“Dështimi i vazhdueshëm në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, për herë të 21-të, është një shqetësim shume serioz për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe në veçanti për qytetarët e vendit. Kjo situatë krijon disa rreziqe për stabilitetin e institucioneve të Kosovës:

Rrezik për funksionimin demokratik

Mos formimi i institucioneve legjitime e pengon funksionimin demokratik të shtetit. Kuvendi është themeli i demokracisë parlamentare, dhe mungesa e tij paralizon kontrollin demokratik mbi ekzekutivin, miratimin e ligjeve, buxhetit dhe politikat shtetërore.

Ulje e besimit të qytetarëve

Situata bllokuese dhe mungesa e vullnetit për kompromis minojnë besimin e qytetarëve në përfaqësuesit e tyre dhe në sistemin politik. Në një vend me demokraci të re si Kosova, ky është një rrezik serioz që mund të çojë në apati politike, apo në destabilizim social.

Dëmtim i imazhit ndërkombëtar

Për një shtet si Kosova, që ende po kërkon konsolidim të plotë ndërkombëtar dhe të marrëdhënieve me partnerët strategjikë, si BE dhe SHBA, ky bllokim institucional dërgon sinjale negative ku mund të ngadalësojë proceset e integrimit dhe të tërheqjes së investimeve të huaja”, shpjegoi Softa.

Image
Fatjon Softa

Krahas kësaj, kërkoi reflektim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi tha se roli i tyre është përfaqësimi i qytetarëve dhe jo i interesave partiake.

“Kjo situatë duhet të jetë thellësisht shqetësuese për deputetët dhe liderët politikë, sepse reflekton dështimin e tyre për të përmbushur detyrimet e mandatit që ua ka besuar populli. Roli i tyre nuk është të përfaqësojnë interesat e ngushta partiake, por të garantojnë funksionimin e shtetit dhe të përfaqësojnë interesin e përgjithshëm”.

Në vazhdim, Softa propozoi disa opsione për të dalë nga ky ngërç, në mënyrë që të mos rrezikohet stabiliteti i sigurisë.

“Çfarë duhet të bëjnë?

Palët politike duhet të ulen dhe të kërkojnë zgjidhje që vendosin institucionet në funksion, jo që i përdorin ato si mjete bllokimi.

Presion i qytetareve dhe civil. Shoqëria civile dhe qytetarët duhet të kërkojnë llogari dhe të shprehin qartë pakënaqësinë e tyre me këtë bllokim.

Opsioni për zgjedhje të reja.

Nëse bllokada vazhdon dhe konstituimi dështon në mënyrë të përsëritur, një zgjidhje mund të jetë thirrja e sovranit në zgjedhje të reja, për një përfaqësim më funksional”, nënvizoi eksperti.

Në fund, ai kërkoi maturi, përgjegjësi dhe veprim, pasi situata në fjalë rrezikon direkt sigurinë e shtetit, dhe tha se tani është koha për zgjidhje të guximshme në interes të qytetarëve dhe kombit.

“Kjo situatë është një rrezik i direkt për stabilitetin e Kosovës dhe nuk mund të trajtohet si një fragment i normal politik. Kërkohet maturi, përgjegjësi dhe veprim i menjëhershëm.

Koha nuk është bakër dhe sfidat që ka Kosova, janë emergjencë kombëtare. Mbi flamurin dhe interesin politik, të dominojë interesi kombëtar. Kosova është në një moment shumë delikat të rrugëtimit të saj, e kërcënuar nga armiq potencial dhe të investuar që duan ta pengojnë rrugëtimin e saj Euroatlantik, një aspiratë e qytetarëve të saj që e kane kryer detyrën e tyre me votë.

Koha nuk është plastelinë, duhen zgjidhje të guximshme në interes të qytetarëve dhe kombit”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat