Ligji për Pagat në Sektorin Publik është miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 22 dhjetor 2022 dhe pritej të hynte në fuqi më 5 shkurt 2023. Megjithatë, implementimi i tij është vonuar për shkak të disa faktorëve, përfshirë mungesën e konsultimeve të nevojshme dhe pasigurinë ligjore që ka lindur si pasojë e ndryshimeve të paplanifikuara në strukturën e koeficientëve të pagave.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka theksuar se Qeveria dhe Kuvendi kanë shkelur Kushtetutën duke mos e miratuar ligjin brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.
E në lidhje me vonesën e miratimin te Ligjit të Pagave për këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Ai thotë se po mungon vullneti nga institucionet e Kosovës për ta miratuar Ligjin e ri të Pagave përkundur aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu Jakaj thotë që miratimi i një ligji të ri është domosdoshmëri për të siguruar barazi dhe kthim të të drejtave sociale.
“Institucionet e Kosovës po e neglizhojnë miratimin e Ligjit të ri për Paga përkundër aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse mungon vullneti politik për ta përmbushur këtë obligim kushtetues. Kjo neglizhencë po prodhon pasiguri juridike dhe pabarazi të theksuar në trajtimin e të punësuarve në sektorin publik. Moszbatimi i aktgjykimit është tregues i mosfunksionimit të mekanizmave të kontrollit kushtetues dhe dështim institucional për të siguruar respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Miratimi i një ligji të ri është domosdoshmëri për të siguruar barazi dhe kthim të të drejtave sociale dhe në anën tjetër dhe transparencë në sistemin e pagave, dhe se çdo vonesë e dëmton funksionimin efikas të administratës publike”, u shpreh ai.
Më tej, Jakaj përmend pasojat që mund të sjellë mos miratimi i Ligjit të Pagave duke filluar me shkeljen kushtetuese e deri tek sfidat socio-ekononike aktuale.
“Mosveprimi i Kuvendit përballë obligimit kushtetues që ka, i cili mosveprim cenon të drejtat e gjithë zyrtarëve publikë, është një shembull skajshmërisht negativ. Përpos shkelje kushtetuese dhe cenim i të drejtave të zyrtarëve publikë, në kontekstin e sfidave socio-ekonomike aktuale, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25% sjell pasoja në jetën e familjeve të 90,696 zyrtarëve publikë.
Nëse Kuvendi nuk vepron për të adresuar dëmin e shkaktuar ndaj zyrtarëve publikë, këta të fundit kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje gjyqësore dhe kompensim përmes gjykatës, çka mund të rezultojë në një vërshim të sistemit gjyqësor me rreth 90,000 lëndë të reja që duhet të trajtohen individualisht, duke cenuar efikasitetin e përgjithshëm të gjyqësorit; për më tepër, realizimi i të drejtave përmes rrugës gjyqësore”, përfundoi Jakaj për “Bota sot”.