Dështimi për ta bërë Kuvendin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Madje, duke parë deklaratat e liderëve politikë, vështirë se mund të pritet që kjo situatë të zgjidhet shpejt.
E në një bashkëbisedim me “Bota sot”, opinionisti Gani Mehmeti foli për këtë ngërç të krijuar në Kuvend.
Ai u shpreh pesimist se shpejt mund të gjendet ndonjë zgjidhje, duke parë edhe qëndrimet e partive politike dhe refuzimet e tyre për bashkëpunim me vete.
“Paksa e vështirë të gjendet një rrugëdalje sa i përket zhbllokimit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Janë lidhur shumë keq, e edhe më keq janë ato inatet mes liderëve partiakë dhe partive mes vetit.
Këtu u gabua nga fillimi, kur u rrokën me inate, qysh gjatë fushatës parazgjedhore e zgjedhore. Ndoshta edhe para fillimmit të fushatës parazgjedhore, partitë opozitare qenë prononcuar se nuk do të bashkëqeverisin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025”, nënvizoi ai.
Megithatë, Mehmeti konsideron se më lehtë është të dilet nga bllokada me votim të fshehtë, se sa të pritet marrëveshje mes partive politike.
“Nisur nga kjo, edhe kryetari i LVV, Albin Kurti u ngut pakëz me fjalorin e tij dhe partitë opozitare u larguan edhe më shumë. Tani, unë do të thosha se më lehtë do të konstituohej Kuvendi, duke votuar me vota të fshehta sesa përmes ndonjë marrëveshje mes partive politike.
Sa i përket marrëveshjes politike mes partive, asnjëra nuk janë të gatshme sot, me sa po shihet, as mes partive opozitare e assesi me Lëvizjen Vetëvendosje”.
Ndër të tjera, opinionisti u tregua kritik me PDK-në dhe LDK-në, ku tha se asnjëra prej tyre nuk po tregohet parti institucionaliste.
Ai shtoi edhe se një mundësi tjetër për zgjidhjen e kësaj situate janë zgjedhjet e reja.
“Si LDK, ashtu edhe PDK, kanë pasur zëra se janë parti institucionale, por kjo u mohua prej të dyja këtyre partive, derisa nuk pranun asnjëra të hyjë në koalicion me partinë fituese për formimin e Kovendit dhe Qeverisë së Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Këto dy parti ishin "institucionale" vetëm në lidhje të koalicioneve mes tyre për disa madate, por nuk u treguan institucionale kësaj radhe.
E, deri sa kjo është kështu, zgjedhja më e mirë do të ishin zgjedhjet, ani që ndoshta do të ishin të përafërta me zgjedhjet e 9 shkurtit”, përfundoi Gani Mehmeti për “Bota sot”.