Pse sulmohen viktimat? Rasti i Saranda Bogujevcit dhe heshtja ndaj Serbisë

Politika

Pse sulmohen viktimat? Rasti i Saranda Bogujevcit dhe heshtja ndaj Serbisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 qershor 2025 Në ora: 08:04
Deputetja dhe e mbijetuara e masakrës së luftës në Kosovë më 1999, Saranda Bogujevci, flet në selinë e partisë së saj Vetëvendosje në Prishtinë, më 28 korrik 2017, për arsyet që e shtynë të hyjë në politikë. (Foto REUTERS)

Ka humbur tetë anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit, u mbijetoi plumbave serb dhe dëshmoi në gjykatë për krimet serbe, por sot Saranda Bogujevci është bërë cak i disa gazetarëve.

E mbijetuara e masakrës së vitit 1999 dhe tashmë deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, po atakohet nga gazetarët për shfrytëzim të tragjedisë së familjes së saj për qëllime politike.

Debati filloi me publikimin e një fotografie nga gazetari Ilir Mirena duke kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin e tij, por ajo fotografi kishte peshë emocionale për deputeten Saranda Bogujevci e cila duke i reaguar Mirenës, ia bëri me dije që qëndrimi i Kurtit ishte në përkujtim të masakrës së familjes së saj.

Bogujevci madje e ka quajtur Mirenën “mjeran” dhe mjerim që ndajnë ajrin e njëjtë.

 “Mjeran, Ilir Mirena. Kjo foto është bë në ditën e përkujtimit të masakrës së familjes sime, në një ditë kur asnjëri nga shefat e tu nuk e ka hapur derën – as për ne, as për të tjerët. Mjerim që jetojmë dhe marrim frymë në të njëjtin ajër me mjeranë si ti. Nuk keni as kufij, as turp për asgjë. Keni mbetur veç të mjerë”, ka shkruar Bogujevci.

Reagimi i Bogujevcit nuk ka mbetur pa kundër reagim, gazetari Mirena vendosi këtë herë të reagojë më ashpër, madje duke e akuzuar për shfrytëzim të tragjedisë për qëllime politike.

Ai publikoi një fotografi të Bogujevcit me Ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, një figurë e afërt me regjimin e Millosheviqit, dhe zëdhënës i tij gjatë luftës.

 “E mjerë je ti, Saranda Bogujevci, që lejon veten të bëhesh vegël për t’u përdorur nga Albin Kurti dhe partia e tij. E mjera ti, që përdor tragjedinë e viktimave civile të familjes tënde për ta shndërruar në përparësi morale dhe elektorale.

E mjerë je ti, që zëri yt nuk dëgjohet për hajnitë, krimin dhe korrupsionin e partisë ku bën pjesë.

E mjerë je ti, që përpiqesh t’ia zbusësh zemrën zëdhënësit të kasapit Sllobodan Millosheviq, Ivica Daçiqit, për krimet e kryera në Kosovë, edhe ndaj familjes tënde.

I mjeri është edhe shefi yt, Albin Kurti, që në një përvjetor të familjes tënde paraqitet i veshur si i mjerë, dhe jo siç duhet për të respektuar të gjallët dhe të rënët...

Hezitova të merrem me ty, por ndryshova mendim, sepse po mendoni se po na ngushtoni – edhe me biografitë tuaja – dhe po ju lëshojmë rrugë...”,ka shkruar Mirena.

Në anën tjetër, Bogujevci sqaroi arsyen e fotografisë, gjersa akuzoi Mirenën për shpifje dhe tentativë për njollosje të viktimave të luftës

Bogujevci rikujtoi se ekspozita “Bogujevci // Histori Vizuele” është rezultat i guximit dhe përballjes me krimet e Serbisë në Kosovë, dhe se që nga fillimi është planifikuar të shfaqet edhe në Beograd.

Ajo u shpreh e zhgënjyer që pas gjithë kontributit të familjes së saj për drejtësinë, ende detyrohet të japë sqarime përballë atyre që, sipas saj, dikur nuk ishin askund por sot kërkojnë vëmendje në media. Bogujevci paralajmëroi padi për shpifje ndaj gazetarit, duke theksuar se do të vazhdojë të mbrojë viktimat e luftës edhe në sallat e gjyqit.

Kategoritë në luftë dhe relativizimi i krimeve serbe me apo dashje

I pyetur se çfarë mesazhi përcillet kur viktimat e luftës sulmohen publikisht, gazetari Gëzim Olluri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se duhet bërë dallimi i kategorive.

Image
Gëzim Olluri

Sipas tij, përplasjet në hapësirën publike nuk duhet të kthehen në fushë- betejë kontaminuese

“Fillimisht duhet bërë dallimin mes heronjve, dëshmorëve, viktimave, martirëve dhe cilësdo kategori tjetër. Me këtë nuk po e zbehi kontributin e askujt për Lirinë e Atdheut kundër forcave pushtuese të Serbisë. Nejse, temë tjetër kjo por që duhet trajtuar me kujdes dhe seriozitet. Megjithatë, ky dallim nuk guxon të shkojë deri në atë pikë sa të zhvleftësohen krimet e aparatit shtetëror të Serbisë. Në radhë, përplasjet në hapësirën publike nuk duhet të kthehen në fushë-betejë kontaminuese, ku denigrohen personalitetet e dala nga lufta, përfshirë ata dhe ato që kanë mbijetuar”, deklaron Olluri.

Ai shprehet se insistimi duhet të jetë në tregimin se kush i udhëhoqi katër luftëra në më pak se dhjet vjet.

“Askush nuk po thotë që viktimizimi të jetë orientimi ynë apo ideologji shtetërore. Por viktimizimi dhe harresa e dëmit janë gjëra të ndryshme. Insistimi ynë është të tregojmë kush i udhëhoqi katër luftëra në më pak se dhjetë vjet. A po ndoshta duhet t'ua rikujtojmë serbëve se ne nuk shkuam në Kralevë të vrasim civilë serbë. Pra, agresori ishte Serbia. Serbia kishte kryesi të shtetit, akademi dhe shtatmadhori që bashkarisht e miratuan dhe e zbatuan sa hapur e sa heshtur gjithë çfarë ngjau nga Sllovenia deri në Kosovë”, pohon gazetari.

Olluri i cili është edhe autor i librit “"Kulturocidi serb në Kosovë 1990-1999", thotë se me apo pa dashje që nga pas lufta ka pasur tentative për t’i relativizuar krimet e Serbisë nga qarqet të ndryshme.

Sipas tij, këto tendenca përveç që janë të rrezikshme, sjellin edhe pasoja tjera.

“Pse nuk e drejtojmë kritikën ndaj Serbisë? Kjo do analizë të thelluar veçse mund të them se ne kemi probleme të shumta si shoqëri dhe si popull. Ne akoma nuk bëjmë dallime elementare në gjërat krejt elementare. Rrjedhimisht, shpikim dhe prodhojmë armiq brenda nesh dhe armikun kryesor Serbinë, e lëmë anash për të vazhduar planet fashiste kundër nesh. Këtu brenda natës a ditës bëhesh hero ose shpallesh tradhtar, varësisht si ndryshojnë interesat e individëve a grupeve të caktuara që veprojnë brenda një spektri kolektiv. Realisht, se kam përcjell debatin e temës që keni ngritur. Mirëpo, me ose pa dashje, që nga paslufta ka pasur tentativa për t'i relativizuar krimet e Serbisë nga qarqe të ndryshme dhe përveçse të rrezikshme, këto tendenca sjellin edhe pasoja të tjera. Fatkeqësisht e kanë sjellë situatën deri në atë pikë sikur nuk dihet kush është viktima e kush agresori. I kemi rreth 13 mijë civilë të vrarë dhe masakruar nga forcat serbe, por akoma nuk kemi dokumentim për gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Dhe kjo i thotë të gjitha. Krimet e Serbisë kanë qenë të llahtarshme, tash ju mbetet shqiptarëve t'ia qesin lapsin përçarjes mes vete. Ne nuk guxojmë të sillemi sikur nuk kemi përjetuar asgjë”, shton gazetari.

Debatit Mirena- Bogujevci i ishin bashkangjitur edhe gazetarët Lirim Mehmetaj e Valon Syla, duke treguar se Bogujevci kishte marrë dëmshpërblim  44 mijë euro nga Serbia për krimet ndaj familjes së saj, edhe pse në publik kishte thënë se nuk do ta pranojë dëmshpërblimin, madje Bogujevci u quajt edhe “heroinë e kompensuar nga Serbia”.

Kujdesi ndaj figurave emblematike, skena politike në Kosovë dhe ‘takimi’ Bugujevci- Daçiq

Në anën tjetër, politologu Adnan Qaka thotë se rasti i Saranda Bogujevcit kërkon një reflektim të thellë në shoqëri.

Image
Adnan Qaka

Ai kërkon dënimin e gjuhës së ashpër kundrejt Bogujevcit, gjersa shton se çdo sulm ndaj familjeve emblematike të Kosovës është sulm ndaj Kosovës dhe lirisë së saj.

“Është gabim i madh ajo që ndodhi me Sarandën. Duhet të jemi të kujdesshëm që ata që kanë dhënë për këtë shtet dhe që vërtet kanë sakrifikuar shumë, nuk guxojmë t’i diskreditojmë për ndonjë gabim eventual, duke mohuar gjithçka që ata apo familjarët e tyre kanë bërë për vendin. Rasti i Sarandës kërkon një reflektim të thellë në shoqërinë tonë, dhe e dënoj ashpër gjuhën e përdorur nga disa gazetarë që iu vërsulën asaj pa mëshirë.

Si shoqëri, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj familjeve emblematike të Kosovës. Çdo tentativë për t’i denigruar ato është në fakt një sulm ndaj vetë Kosovës dhe lirisë së saj. Fatkeqësisht, kemi qenë dëshmitarë të rasteve kur disa opinionistë kanë përdorur një gjuhë fyese dhe të pabazë ndaj figurave kyçe të historisë sonë, siç është heroi i kombit Adem Jashari apo ish-presidenti Ibrahim Rugova”, deklaron Qaka.

Ai thotë se skena politike në Kosovë është e tensionuar dhe polarizuar, gjersa konsideron se kjo gjendje është e dëmshme për shoqërinë.

“Shteti duhet të jetë më i ashpër në mbrojtjen e figurave që kanë dhënë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë tonë. Është e papranueshme që individë të ndryshëm, përmes portaleve apo shkrimeve të paguara, të përdorin gjuhë ofenduese dhe shpifëse. Në këtë drejtim, dua të theksoj rastin e opinionistit Isa Mulaj, i cili në të kaluarën ka shkruar artikuj në “Kosova Sot” dhe ka bërë komente jashtëzakonisht fyese — duke e quajtur Ibrahim Rugovën “rom” dhe Adem Jasharin “hajn traktorësh”. Këto janë fyerje të ulëta dhe të pa tolerueshme për çdokënd që e ndjen këtë shtet dhe këtë komb.

Fatkeqësisht, skena politike në Kosovë është e tensionuar dhe e polarizuar, ku çdo parti politike ka edhe “analistët” e saj që përhapin dezinformata, shpifje dhe tensionojnë opinionin publik. Kjo gjendje është jashtëzakonisht e dëmshme për shoqërinë tonë.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet mbarëkombëtar. Përballë sfidave të mëdha që kemi si shtet dhe si komb, duhet t’i lëmë anash dallimet partiake dhe të bashkohemi për të mirën e përbashkët. Asnjëra nga partitë aktuale nuk ofron ndonjë alternativë reale për zhvillimin e vendit, prandaj është thelbësore që të refuzojmë lojërat politike që i ndajnë njerëzit dhe që nuk sjellin asnjë kompromis konstruktiv”, thekson politologu.

Saranda Bogujevci nuk është dashur të shkojë në atë ekspozitë, thotë Qaka, gjersa shton se vizita e saj nuk solli dobi.

“Nuk mendoj që Serbia ka fituar diçka nga kjo paraqitje në Beograd, siç po thuhet nga disa. Serbia nuk pranoi atë që është më thelbësorja — nuk e mori përsipër përgjegjësinë për krimet, përkundrazi deklaroi se “nuk ka faj shteti serb”. Por në bazë të fakteve dhe dëshmive të pamohueshme, përgjegjësia direkte për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë bie mbi shtetin serb, përfshirë edhe rastin e familjes së Sarandës. Prandaj, nuk mund të thuhet se Serbia fitoi diçka nga kjo ngjarje. Ajo nuk dëshmoi as pendesë, as demokratizim. U përpoq vetëm të paraqitej para botës si një shtet që ka reflektuar, por në realitet nuk pranoi asgjë më shumë sesa ato që i ka thënë edhe më parë — se kinse krimet janë kryer nga grupe që nuk kanë qenë nën kontrollin e shtetit. Ne e dimë mirë si u prit kjo ngjarje në vetë Serbinë: me protesta të dhunshme nga ekstremistët ortodoksë në Beograd. Është absurde të thuhet se Serbia doli fituese nga kjo situatë. Bota e di mirë që Serbia nuk po shfaq kurrfarë pendese. Madje edhe sot, protagonistët kryesorë të politikës serbe, përfshirë edhe opozitën, vazhdojnë të kenë një qasje skajshmërisht shoviniste ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Megjithatë, unë mendoj se Saranda nuk është dashur të shkojë atje. Jo se bëri ndonjë dëm, por as ndonjë dobi të madhe nuk solli. Pse them kështu? Sepse xhelati nuk do të dëgjojë për vuajtjet e viktimave. Ata kanë një urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve, në veçanti ndaj Kosovës, dhe në mënyrë të vazhdueshme po përgatiten për ta sulmuar sërish”, shton Qaka.

Ai lavdëron guximin e Bogujevcit, gjersa thekson se të vërtetat duhet t’u thuhen serbëve në gjykatat ndërkombëtare.

“Megjithatë, vlen të lavdërohet guximi i saj për t’u përballur drejtpërdrejt me Ivica Daçiqin — një nga personat që mbajnë përgjegjësi për krimet e gjenocidit ndaj shqiptarëve. Ajo ia tha të vërtetën në sy dhe tregoi një guxim të madh.

Por sërish theksoj: këto të vërteta dhe këto fakte duhet t’u thuhen serbëve në gjykatat ndërkombëtare, siç e kanë bërë shumë shqiptarë në Hagë kundër kriminelëve serbë. Ato duhet të prezantohen në konferenca shkencore ndërkombëtare serioze dhe në takime politike të nivelit të lartë ndërkombëtar”, përfundon politologu.

...

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat