Kriza politike që po vazhdon për disa muaj më radhë, duket se do t’i shkaktojë dëme të mëdha Kosovës në fusha të ndryshme.
Përveҫ politikës, nga ekspertët po thuhet se do të sjellë edhe dëme ekonomike e po ashtu edhe në sferën diplomatike.
Procesi i dialogut, integrimet evropiane do të jenë pikat që do të kenë ngecje për shkak të krizës në vend.
Por kjo situatë, a po e shpërfaq dobësinë e rendit kushtetues të Kosovës? Çfarë pasojash mund të ketë për stabilitetin kushtetues të Kosovës nëse kjo krizë vazhdon?
Lidhur me këtë ҫështje kanë folur njohësit e ҫështjeve juridike.
“Kriza erdhi nga mungesa e vullnetit politik”
Kështu, avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për “Bota sot”, tha se kriza para se gjithash dhe në radhë të parë është krizë politike.

“Kjo krizë vjen si rezultat i mungesës së vullnetit politik, veçmas të subjektit fitues të zgjedhjeve për sigurimin e shumicës së nevojshme për konstituimin e Kuvendit, përkatësisht zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve, si hapi i parë drejtë themelimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, vlerëson ai.
Sipas Bajraktarit, sa më parë që reflektojnë partitë politike, pasojat për vendin do të jenë më të vogla.
“Sa më parë që të ketë reflektim nga ana e subjekteve politike, e veçmas subjektit politik fitues, pasojat do të jenë më të vogla për vendit në përgjithësi”, vlerëson avokati.
Burjani: Kjo krizë nuk po shkakton bllokadë shtetërore për shkak të ekzistencës së qeverisë në detyrë dhe shërbimit civil të shtetit
Po ashtu, për të njëjtën temë, në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka folur edhe profesori dhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani.
Sipas tij, kushtetuta dhe rendi janë bllokuar nga problemet e shkaktuara nga politika e papërgjegjshme, ose nga tentativat për të fshehur arsyet pse nuk po konstituohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“A janë këto arsye rezultat i pakënaqësisë ndaj rezultatit zgjedhor, ku të gjitha subjektet politike mbetën të pakënaqura, apo kemi të bëjmë me një lojë të fshehtë konspirative dhe arsyet e dhëna publikisht nuk kanë bazë apo peshë politike, siç është rasti me kandidimin e Albulenës”, thekson ai.
Burjani tutje thotë se, kriza e tillë nuk shkakton bllokadë shtetërore, meqë funksionon qeveria në detyrë.
“Është e ditur se kjo nuk paraqet ndonjë rëndësi institucionale, sepse kryetari i Kuvendit ka më shumë rol formal: t’u japë fjalën deputetëve dhe të nënshkruajë ligjet e dala nga Kuvendi, pa ndonjë rëndësi tjetër thelbësore. Kjo krizë nuk po shkakton bllokadë shtetërore për shkak të ekzistencës së qeverisë në detyrë dhe shërbimit civil të shtetit. Administrativisht, shteti mund të udhëhiqet edhe në situata kritike nga shërbyesit civilë, por problemi është se shteti duhet të ketë qeveri dhe Kuvend legjitim”, thotë ai.
Ai thotë po ashtu se, më mirë do të ishte të kishte një deklarim të qartë se synohet mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme krahas atyre lokale, dhe kjo situatë të përfundojë si përpjekje për themelimin e institucioneve.
“Është e logjikshme gjithashtu që të ndalen pagat dhe benefitet për deputetët, e pastaj të trajtohet edhe çështja e rishikimit të buxhetit”, vlerëson Burjani për ‘Bota sot’.