Mbyllja e USAID-it: Fundi i një epoke ndihmash amerikane dhe ndikimi në Kosovë e Shqipëri

Politika

Mbyllja e USAID-it: Fundi i një epoke ndihmash amerikane dhe ndikimi në Kosovë e Shqipëri

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 korrik 2025 Në ora: 18:55
Foto ilustrim

Të martën (1 korrik) është mbyllur zyrtarisht Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio njoftoi ndryshimin në mënyrën se si do të menaxhojë ndihmën e huaj.

“Gjatë rishikimit të mijëra programeve dhe mbi 715 miliardë dollarëve të shpenzuara gjatë dekadave, u bë e qartë se USAID-i ka rënë shumë poshtë standardeve për të avancuar interesat e kombit tonë.

Nga 1 korriku, USAID-i do të pushojë së zbatuari ndihmën e huaj. Programet e ndihmës së huaj, që përputhen me politikat e administratës amerikane, do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të ofrohen me më shumë llogaridhënie, strategji dhe efikasitet”, u shpreh Rubio.

Më tej sekretari amerikan i Shtetit kritikoi ashpër mënyrën sesi USAID-i ka funksionuar, duke thënë se agjencia “shpesh promovonte ide dhe grupe anti-amerikane” dhe e kishte modelin e saj të ndihmës si një “bamirësi” dhe jo si instrument të politikës së jashtme që shërben për interesat amerikane.

Në të dhënat e publikuara nga i dërguari për misione të posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, USAID gjatë viteve 2020-2024 i ka ndarë 1.7 miliardë dollarë, kurse Kosova ka përfituar më së shumti gjatë viteve 2020-2024, me 537 milionë dollarë.

E Shqipëria i ka përfituar 189 milionë dollarë gjatë katër vjetëve.

USAID në ekonomi

Biznesmeni Burim Piraj, thotë se USAID ka dhënë kontribut të madh në Kosovë.

Sipas tij, USAID ka sjellë ekspertë të ndryshëm për menaxhim, por edhe për trajnim të punëtorëve të ndryshëm.

Image
Burim Piraj

“Që nga mbarimi i luftës USAID ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh, sidomos në trajnimin e menaxherëve, punëtorëve të ndryshëm si me trajnues brenda për brenda Kosovës, ashtu edhe me udhëtime jashtë Kosovës për të marrë praktika, për të marrë përvoja të mira në udhëheqjen e biznesit. Atë punë që e ka bërë USAID dhe jo vetëm në menaxhim por edhe për trajnim të kompanive për t’u marrë me marketingun dhe gjërave tjera, ka pasur shumë ndikim në shtimin e vendeve  të punës dhe në freskimin e kompanive, mundësimin e kompanive për të qenë konkurrente në treg. Gjithashtu ka sjellë edhe ekspertë të ndryshëm nga jashtë në Kosovë, ekspertë këta që kanë ardhur në vendin e ngjarjes dhe i kanë trajnuar kompanitë e ndryshme. Ne kemi pasur rast që ta kemi një ekspert të tillë për mish, i cili ka ardhur nga Amerika dhe i ka mësuar punëtorët tonë sesi të bëhet klasifikimi i mishit të gjerë. Kjo ka bërë ta lehtësojë punën në Kosovë dhe më vonë ka filluar edhe me grante të ndryshme, ku ka përkrahur shumë start up në Kosovë dhe shumë prej tyre tani funksionojnë dhe janë kompani të cilat janë zhvilluar dhe të cilat vazhdimisht USAID i ka mbështetur me këshillime, monitorime me udhëtime të ndryshme që ata të mos dështojnë”, deklaron Piraj.

Ai kërkon që Kosova të vazhdojë të bashkëpunojë me SHBA-në, gjersa shton se duhet një traktat të ngjashëm si me BE-në.

“E ardhmja e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një e ardhme që do të vazhdojë edhe më tej, janë dy kombe që kanë respekt për njëra- tjetrën dhe që kanë dashuri në mes vete. Populli i Kosovës kurrë nuk e ka mohuar ndihmën e Amerikës dhe secili e di se po të mos ishte ndihma e Amerikës, sot Kosova nuk do të ishte në gjendjen në të cilën është. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe mendoj se i takon Kosovës, Qeverisë së Kosovës për lirimin e të gjitha mallrave amerikane nga taksa, ose më shkurt të themi të bëjë një traktat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, traktat ekonomik i cili do të ishte i ngjashëm me traktatin e bërë me Bashkimin Evropian për stabilizim asocim që do të lirohen produktet amerikane, por edhe produktet kosovare nga taksimi i ndërsjellë. Ne e kemi një marrëveshje, ndërmjet dy shteteve që nuk lejon tatimin e dyfishtë mes Kosovës dhe Amerikës, pra kapitali mund të investohet lirisht pa qenë e nevojshme të paguhet taksë në fitim në Amerikë apo në Kosovë, por kjo nuk duhet të mjaftohet me kaq, ne duhet të mundohemi t’i ngrisim marrëdhëniet me Amerikën edhe më lart sesa i kemi tani”, shprehet Piraj.

Çfarë është USAID dhe kur filloi?

Në një përpjekje të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm John F Kennedy, USAID u krijua si pjesë e Aktit të Ndihmës së Jashtme të vitit 1961.

Ai solli ndryshime të mëdha në programet e SHBA-së jashtë shtetit, duke kombinuar disa organizata dhe programe ekzistuese në një, sipas një versioni të arkivuar të USAID-it.

“Deri atëherë, nuk kishte pasur kurrë një agjenci të vetme të ngarkuar me zhvillimin ekonomik të huaj”, sipas faqes së internetit.

Sipas faqes zyrtare të qeverisë së SHBA-së, USAID-i është “agjencia kryesore e SHBA-së për të shtrirë ndihmën për vendet që rikuperohen nga fatkeqësia, duke u përpjekur t’i shpëtojnë varfërisë dhe që angazhohen në reforma demokratike”.

Andrew Natsios, ish-administrator i USAID-it, shkroi në vitin 2020 se agjencia kontribuoi në suksesin e SHBA gjatë Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik.

“Unë do të argumentoja se historitë më të mëdha të suksesit të USAID-it gjatë Luftës së Ftohtë, ishin ato të lidhura drejtpërdrejt me interesat kombëtare të SHBA”, tha ai.

“Këto suksese padyshim që fituan, por ato gjithashtu përfituan vendet në zhvillim ndërsa kaluan në tranzicion për t’u bërë vende të zhvilluara të përparuara”, shtoi ai.

Para ngrirjes, agjencia ishte donatori më i madh i vetëm në botë. Në vitin fiskal 2023, SHBA-ja shpërndau 72 miliardë dollarë ndihmë në mbarë botën për gjithçka, nga shëndeti i grave në zonat e konfliktit te qasja në ujë të pastër, trajtimet për HIV/AIDS, siguria e energjisë dhe puna kundër korrupsionit.

USAID ofroi 42 për qind të të gjithë ndihmave humanitare të gjurmuara nga Kombet e Bashkuara në vitin 2024, dhe ka një staf prej më shumë se 10,000 personash.

USAID në drejtësi

Avokati Ardian Bajraktari, thotë se ndihmat nga USAID kanë qenë të jashtëzakonshme.

“Kosova është e bekuar që ka pas dhe ka partner dhe aleat të jashtëzakonshëm. Këta partner e kanë mbështetë Kosovës në të gjitha fazat e rrugëtimit të saj, e pa dyshim njëri nga ta dhe shumë i rëndësishëm është USAID-i. Ndihma nga USAID-i në shumë fusha dhe sektor ka qenë e jashtëzakonshme, në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, e cila pa dyshim se ka ndikim edhe në fusha të tjera kjo mbështetje ka qenë e madhe dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në hartimin e ligjeve të mira, në avancimin e zbatimit të legjislacionit në ndërtimin dhe renovimin e objekteve të institucioneve të drejtësisë duke ju mundësuar qytetarëve qaje më të lehtë në drejtësi. E gjithë kjo mbështetje ka ndikuar në avancimin dhe forcimin e institucioneve tona, për çka duhet punë e angazhim në mënyrë të vazhdueshme”, deklaron Bajraktari.

Image
Ardian Bajraktari

Me mbylljen e USAID, Bajraktari konsideron se pëson Kosova, por ai shton se bashkëpunimi me SHBA-në duhet të ruhet.

“E gjithë kjo mbështetje ka ndikuar në avancimin dhe forcimin e institucioneve tona, për çka duhet punë e angazhim në mënyrë të vazhdueshme. Raportet me aleatët dhe veçmas me SHBA-të duhet parë si interes strategjik i Kosovës, padyshim se nga mbyllja e USAID-it pëson Kosova, mirëpo kjo është një veprim dhe vendim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por pavarësisht kësaj, raportet me ta, duhet ruajtur si sytë e ballit”, përfundon avokati.

Kujtojmë se ndihmë më të madhe nga USAID ka marrë Ukraina në vitin 2023, e cila mori 14.4 miliardë dollar.

Përfituesi i dytë më i madh, Jordania, mori 770 milionë dollarë ndihmë ekonomike nëpërmjet USAID. Jemeni dhe Afganistani morën përkatësisht 359.9 dhe 332 milionë dollarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat