Opozita nën akuza për bllokim – Pushteti fajëson, Kushtetuesja hesht

Politika

Opozita nën akuza për bllokim – Pushteti fajëson, Kushtetuesja hesht

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 7 korrik 2025 Në ora: 10:02
Kuvendi i Kosovës

Të dielën, për herë të 42-të me radhë, u mbajt seanca e Kuvendit të Kosovës për konstituimin e tij.

Fatkeqësisht, edhe kjo seancë u mbyll pa ndonjë rezultat konkret.

Pas përfundimit të seancës nga kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një pjesë e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës qëndruan në sallën e Kuvendit, ku disa prej tyre mbajtën edhe fjalime.

Në të njëjtën kohë, në hollin e Kuvendit të Kosovës, para mediave, Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, reagoi pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit. Ai kritikoi ashpër qëndrimin e opozitës, të cilin e cilësoi si të pandryshueshëm dhe në vazhdimësi në shkelje të Kushtetutës.

Murati e ka cilësuar për keqardhje qëndrimin e vazhdueshëm të opozitës, duke e akuzuar për shkelje të përsëritura të Kushtetutës dhe përpjekje për uzurpim të foltores.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë ndryshim në rendin e ditës dhe se akuzat janë shpifje.

“Është për keqardhje qëndrimi i vazhdueshëm i partive opozitare, i cili përbën shkelje të Kushtetutës në mënyrë të përsëritur. Ju i dëgjuat vetë teksa tentonin të uzurponin foltoren, duke pretenduar se po shkelet Kushtetuta. Nuk ka pasur asnjë ndryshim të rendit të ditës – kjo që thotë opozita është thjesht shpifje”, ka deklaruar Murati.

Muçiqi: Opozita po mban peng shtetin për interesa partiake e klanore

Opinionisti Ismail Muçiqi, në një bashkëbisedim ka vlerësuar se interpretimet e ndryshme të Kushtetutës nga aktorët politikë kanë thelluar krizën dhe ndarjet politike.

Image
Opinionisti Ismail Muçiqi

Sipas tij, të gjithë deputetët që ndjekin verbërisht udhëheqësit partiakë kanë kontribuar në këtë situatë.

“Mendoj se Kushtetuta është shkelur pikërisht nga vetë Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ka ofruar zgjidhje për bllokimin institucional të Parlamentit të Kosovës. Nenet kushtetuese po interpretohen në mënyra të ndryshme nga liderët partiakë, grupet parlamentare dhe madje edhe nga vetë deputetët, çka e dëshmon thellimin e krizës. Kjo situatë, për mendimin tim, është e papranueshme dhe dramatike, pasi ka krijuar përçarje të thella në skenën politike dhe ka politizuar opinionin publik.

Kushtetuta është shkelur nga të gjithë deputetët që janë rreshtuar verbërisht pas liderëve të partive përkatëse, duke mos ofruar asnjë zgjidhje për ndërtimin e institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës. Mendoj se e vetmja zgjidhje e mundshme është që Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani, t’u bëjë presion partive politike për të arritur një konsensus në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Pas kësaj, në bashkëpunim me Presidenten, duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në këtë rrethanë, çdo kompromis ndërmjet kësaj klase politike nuk jep shpresë për ndërtimin e institucioneve kredibile dhe demokratike që do t’i sillnin të mirë Kosovës. Elektorati duhet të vetëdijësohet dhe të mobilizohet që në zgjedhjet e reja të mos votojë më asnjë nga deputetët që janë bërë pjesë e kësaj bllokade politike”, ka thënë ai.

Tutje, Muçiqi ka dënuar ashpër edhe sjelljen e opozitës.

Ai ka theksuar se me deklaratat dhe veprimet pas seancave të dështuara, opozita ka treguar se po e mban peng shtetin për interesa personale, partiake dhe klanore.

 “Sjellja e opozitës, së bashku me deklaratat e njëpasnjëshme pas seancave të dështuara, reflekton mjerimin e vërtetë të kësaj klase politike, e cila e ka marrë peng shtetin për interesa të ngushta personale, partiake dhe klanore”, ka cilësuar ai.

Gjithashtu, Muçiqi ka vlerësuar se opozita është e gabuar nëse mendon se do të përfitojë nga kjo situatë, duke e cilësuar si një iluzion.

“Mendoj se është iluzion i opozitës nëse mendon se do të përfitojë diçka më shumë nga elektorati i saj. Qytetarët janë thellësisht të zhgënjyer nga kjo sjellje e papërgjegjshme, pasi opozita ka dështuar në mbi 40 seanca të njëpasnjëshme në Kuvendin e Kosovës”, ka përfunduar Muçiqi.

Heshtja e Gjykatës Kushtetuese dhe pagat e deputetëve bllokues, Mehazi kërkon përgjegjësi

Image
Sulejman Mehazi

Ndërkaq, profesori Sulejman Mehazi e ka cilësuar mosmarrëveshjen mes partive si të patolerueshme, për qytetarët dhe vetë kushtetutën e Kosovës, duke kritikuar veçanërisht deputetët opozitarë që, sipas tij, prej shkurtit e kanë lënë vendin pa funksion institucional.

“As përpjekjet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për të bërë një baraspeshë të partive për zgjedhjen e kryeparlamentarit të Kosovës nuk ndikoi fare, kjo mosmarrveshje e partive parlamentare është bërë e pa tolerueshme, e bezdisshme dhe e rrezikshme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për kushtetutën e Kosovës e cila rrezikohet nga vetë ata që duhet ta mbrojnë të zgjedhurit, sidomos deputetët e partive opozitare të cilët me veprimet e tyre që nga shkurti kanë lënë Kosovën jetime, të urritur e të zbehur institucionalisht”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Mehazi ka theksuar nëse opozita vepron kundër Kushtetutës, atëherë edhe ministri Murati vepron kundër saj duke i paguar deputetët për mos-punën e tyre.

Përveç tjerash, ai ka kritikuar heshtjen e Gjykatës Kushtetuese ndaj kësaj situate.

“Nëse deputetët e opozitës  janë shurdhëmemec ndaj konstituimit të Kuvendit të Kosovës, dhe kundër kushtetutës atëherë dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, është kundër kushtetutës së Kosovës për shkak se si financier shtetëror duhet t'ua bllokojë rrogat deputetëve të partive opozitare të cilët e kanë lidhur nyje ligjvënësin dhe ligjbërësin e shtetit në Kuvend.

Nëse deputetët e opozitës bllokojnë konstituimin e Kuvendit, pse dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ua bllokon rrogat deputetëve të opozitës, pasi ata nuk janë votuar për të bllokuar institucionet e Kosovës, por paguhen për të funksionuar institucionet e Kosovës, Në këtë rast nuk e dimë  pse dhe  Gjykata Kushtetuese heshtë e nuk reagon?, çështë kjo heshtje e Gjykatës Kushtetuese?, pse nuk e mbron veten nga ata që janë kundër saj me anë të Ministrit të Financave, Muratit, që të bënte bllokadë financiare të deputetëve të opozitës sesa të deklarohet Murati se: "opozita vepron kundër kushtetutës", kur dhe vetë Ministri Murati vepron jashtë kushtetutës duke i paguar deputetët e opozitës për mos punën dhe mos detyrën e tyre ndaj institucioneve të Kosovës.

Pra, fajtor i gjithë kësaj krize institucionale është Ministri i parave, financave, Hekuran Murati, i cili shpërblen deputetët e opozitës që bllokojnë Kuvendin e Kosovës”, ka vlerësuar Mehazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat