LDK synon rikthim në Gjilan, Podujevë dhe Prizren, analisti tregon mundësitë

Politika

LDK synon rikthim në Gjilan, Podujevë dhe Prizren, analisti tregon mundësitë

Nga: M.L. Më: 11 korrik 2025 Në ora: 10:00
Mbledhja e fundit e Kryesisë së LDK-së

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dje, e enjte, ka zyrtarizuar ekipin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në shumicën e komunave, LDK do të garojë me kandidatët aktualë, ndërsa përjashtim bëjnë komunat e Gjilanit, Fushë Kosovës, Mitrovicës etj.

Lutfi Haziri dhe Burim Berisha nuk do të rikandidojnë për këto dy komuna. Në vend të tyre, kandidatë do të jenë Arbër Ismajli në Gjilan dhe Besnik Osmani në Fushë Kosovë.

Sipas publicistit Nexhat Haziri, lista e kandidatëve për kryetarë komunash nga LDK-ja përfaqëson fuqishëm vlerat dhe konceptin politik të kësaj partie.

“Është një listë përfaqësuese që reflekton qartë vlerat dhe konceptin politik të LDK-së si një parti e spektrit të djathtë, dhe e bën këtë subjekt politik favorit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në këtë listë ka emra të dëshmuar që kanë qeverisur me sukses dhe tashmë kërkojnë mandate të reja, si dhe kandidatë të rinj në komunat ku LDK-ja nuk ka qeverisur ose nuk ka fituar në zgjedhjet e vitit 2021,” ka deklaruar Haziri për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Ai beson se LDK-ja do të rrisë numrin e votave dhe komunave të fituara në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Madje, ai parashikon edhe rikthimin e kësaj partie në komuna si Gjilani, Podujeva, Prizreni e të tjera.

“Duke marrë parasysh historikun e LDK-së, e cila tradicionalisht performon më mirë në zgjedhjet lokale – ku strukturat partiake janë më aktive dhe më të angazhuara se në ato qendrore – dhe listën e kandidatëve, mendoj se LDK-ja jo vetëm që do të ruajë qeverisjen në komunat ku aktualisht udhëheq, por ka gjasa të mëdha që ta rrisë numrin e komunave të fituara.

Ka shanse reale të rikthehet në Gjilan me Arbër Ismajlin, një figurë e respektuar që përfaqëson qytetari dhe ndershmëri, në Podujevë me Ekrem Hysenin – nëse nuk përsërit gabimin e vitit 2021, kur humbi një fitore të sigurt – si dhe të garojë fuqishëm në Prizren me Driton Selmanajn. Po ashtu, ka kandidatë të tjerë të denjë dhe interesantë si Shefqet Shehu në Gjakovë, Gëzim Plakolli në Mitrovicë dhe të tjerë,” përfundoi Haziri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat